Gjykata e Norvegjisë e shpalli të premten Anders Bahring Breivikun të aftë mendërisht dhe ai do të qëndrojë në burg për 21 vjet, pasi shpallet fajtor për vrasjen e 77 personave në Oslo dhe ishullin Utoya, në qershor të vitit të kaluar. Në momentin e dhënies së vendimit, Breivik ka buzëqeshur.


Pesë gjykatësit e çështjes duhej të vendosnin, nëse vrasësi duhej konsideruar i aftë mendërisht, apo i sëmurë, sikur kishte kërkuar ta shpallte prokuroria. Në rast se ai do të kishte probleme mendore, për norvegjezin ky do të ishte një ndëshkim më i rëndë, pasi për të kjo do të ishte një mosarritje e idealeve.


Anders Breivik akuzohet për terrorizëm dhe vrasje masive.


Ai ka pranuar vrasjen e 77 personave dhe plagosjen e 240 të tjerëve më 22 qershor 2011. Ai kishte vendosur një bombë në një ndërtesë qeveritare në Oslo, ku mbetën të vrarë tetë persona.


Më pas, i ishte drejtuar një kampi veror që organizohej nga Partia Laburiste në qeveri në ishullin Utoya. I armatosur rëndë, ai hapi zjarr ndaj të rinjve që ndodheshin në kamping, duke lënë të vdekur 69 veta dhe duke shkaktuar kaos.


33-vjeçari ka pranuar vrasjet, por jo fajësinë. Ai ka thënë se sulmet ishin protestë kundër politikave imigruese liberale të Norvegjisë dhe ishte e domosdoshme që të parandalohet që Norvegjia të mos mbizotërohet nga myslimanët.


Në deklaratën e tij, Breivik e ka përshkruar veprimin e tij si “sulmin politik më të sofistikuar dhe më spektakular në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, dhe theksoi se kështu do të vepronte përsëri.


Tani Breivik do të vuajë ditët e tij të burgut në një burg me kushte shumë të mira. Atij i janë vënë në dispozicion tri qeli me një madhësi prej 8 metrash katrorë secila, me pajisje normale, me kompjuter jo të lidhur me internetin dhe me televizor të sheshtë. Po ashtu, për të mbajtur trupin në formë, ai do të ketë një kënd për vrapim.


Fox News ka vënë në pah se kjo hapësirë është thuajse e njëjtë me apartamentet normale në New York.


Gjykata në Oslo e ka shkarkuar njërin nga tre anëtarët e jurisë, për shkak të komenteve të tij në Facebook, se Breiviku e meritonte dënimin me vdekje.


Gjyqtari porot, Thomas Indreboe, në komentet e tij në ditën pasi ishte bërë masakra, kishte shkruar se “dënimi me vdekje është e vetmja finale korrekte në këtë rast”. Në sistemin juridik në Norvegji nuk ekziston dënimi me vdekje.