Rreth 100 mijë fotografi të realizuara nga viti 1878 deri më 1944, pjesë e fototekës së Arkivit të Shtetit do t’u serviren studiuesve në mënyrë dixhitale. Nga ana tjetër, të njëjtit proces i janë nënshtruar materialet fotografike dhe regjistrimet që kanë qenë pjesë e Arkivit të Partisë


Oliverta Lila


Rreth 100 mijë fotografi, pjesë e fototekës së Arkivit të Shtetit do të jenë së shpejti të dixhitalizuara. Procesi që ka filluar një vit më parë, vazhdon ende. Janë fotografi nga vitet 1878 deri më 1944. Deri më sot, çdo studiues, në bazë të rregullave të institucionit ka punuar mbi origjinalin që ruhet në fondet e arkivit. Sipas specialistëve, përveçse një procedure më të koklavitur (që do të thjeshtohet përmes sistemit dixhital), shqetësimi kryesor ishte rreziku i një dëmtimi të vazhdueshëm të fotografive nga përdorimi. “Ne do t’i dixhitalizojmë të gjitha dhe me një program të veçantë do të jenë të disponueshme online në sallën e leximit. Çdo i interesuar do të mund të shohë materialin, pa pasur mundësi ta kopjojë apo përdorë kundër rregullave të institucionit. Sa më shumë që preken këto fotografi aq më shumë dëmtohen, prandaj ne duam t’i dixhitalizojmë”, shprehet Endrit Musaj, përgjegjës i sektorit audio-vizual në Arkivin e Shtetit. Fotografia më e hershme që ruhet në këtë fototekë është ajo e Hamz Kazazit, e vitit 1858, por që në fakt nuk është origjinali i realizuar nga Marubi. Të tjera fotografi nisin nga viti 1878, që përkon me Lidhjen e Prizrenit, për të vazhduar më tej deri në vitin 1944. Dixhitalizimi i tyre po bëhet në bazë të një skeme klasifikimi, ku dosjet janë ndarë në jetë politike, ekonomike, shoqërore dhe kleri, përfaqësuar me tri fetë kryesore. “Është dixhitalizuar pjesa kryesore e fototekës, ajo që quhet jeta politike në Shqipëri, që nga viti 1878-1944. Është kjo kategori që kërkohet, është studiuar dhe shfrytëzuar më shumë nga studiuesit shqiptarë”, tregon Musaj. Fototeka përfshin fotografi origjinale, të tjera të riprodhuara, negativë në xham, etj. Këto të fundit do të mbeten të fundit në këtë proces, për shkak të kërkesës së një teknologjie më të avancuar për skanimin e tyre. Megjithatë nuk do të jetë thjesht çështje muajsh hedhja në sistemin dixhital. Musaj nuk përcakton një limit kohor, por thekson se puna po vazhdon. Mes dosjeve të sistemuara në fototekë, gjen edhe nga ato që mbajnë shënimin: fotografi për t’u restauruar. Përgjegjësi i sektorit audio-vizual shpjegon se janë fotografi që kanë nevojë t’i nënshtrohen një procesi restaurimi për shkak të dëmtimit të tyre, ndoshta nga ruajtja në kushte jo të përshtatshme. “Në përgjithësi, gjendja e fotografive është e mirë. Edhe ato që shfaqin dëmtime të vogla apo zbehje të ngjyrës, gjatë procesit të dixhitalizimit do të restaurohen dhe do të kenë një qartësi më të madhe se origjinali”, thekson Musaj. Nga ana tjetër, pjesë e kësaj fototeke, për mungesë të informacioneve në pjesën e pasme të fotografisë apo të personazheve apo situatave të fiksuara, ka dosje me fotografi të paidentifikuara. Dixhitalizimi është një kërkesë që po shtrohet gjithnjë e më fort për fondet e trashëguara, si pasojë e një kërkese në rritje për shfrytëzimin e tyre.



Procesi


Ish-Arkivi i Partisë


Fototeka e Arkivit të Shtetit nuk është sektori i vetëm që i është nënshtruar procesit të dixhitalizimit. Ish-Arkivi i Partisë së Punës, i vendosur pas viteve ‘90 pranë Arkivit të Shtetit po dixhitalizohet. Procesi përfshin fototekën, por edhe fonotekën me materiale që nisin nga 1945 deri në fund të viteve ‘80. Dixhitalizimi në këtë fond po vazhdon me ritme të shpejta dhe ndoshta do të jetë në shërbim të studiuesve më parë se fototeka e vetë arkivit.


 


Fotografitë


Zbardhet arkivi “Luçe”


Mes dosjeve të shumta të sistemuara në fototekën e Arkivit Shtetëror, gjenden një sërë kutish që mbajnë shënimin “Luçe”. Instituti “Luçe” është i njohur për imazhet e xhiruara dhe të fiksuara në Shqipëri. Endrit Musaj, përgjegjës i sektorit audio-vizual në Arkivin e Shtetit shprehet se ky fond është për t’u sistemuar dhe do të bëhet pjesë e procesit të dixhitalizimit. Nuk e dinë me saktësi se sa fotografi ruhen në këtë fond dhe çfarë paraqesin në tërësinë e tyre. “Po përpiqemi të sistemojmë fondin e shoqërisë fotografike “Luçe” që ka qenë në Shqipëri në vitet 1939-‘43 dhe ka lënë një fond të pasur, kryesisht nga jeta politike, por ka fotografi edhe për punët publike, si ndërtimi i bulevardit kryesor, ministritë, korpusi, përfshirë edhe rrugët kryesore që janë bërë në të gjithë Shqipërinë, vizita të funksionarëve të asaj kohe, shqiptarë në Itali, pjesë nga luftimet në frontin italo-grek, etj.”, thekson Musaj. Sipas tij, fotografitë tregojnë ngjarje që pas vitit 1945 nuk janë paraqitur në publik, të ndaluara për shkak se i përkisnin periudhës së fashizmit. Në fakt, nga kërkesat e përditshme për shfrytëzimin e këtij fondi, Musaj thotë se janë kryesisht studentë apo studiues të arkitekturës e jo të shumtë në numër.


 


Alarmi


Zhduken objektet origjinale të Shtëpisë së Flamurit


Një ditë pas lajmit për ringritjen e Shtëpisë së Flamurit, shembur më 16 gusht në Korçë, studiuesit ngrenë një tjetër shqetësim. Bëhet fjalë për zhdukjen e objekteve origjinale që i përkisnin monumentit të kulturës, shtëpisë ku u ngrit flamuri i Krahinës Autonome të Korçës nga Themistokli Gërmenji. Historiani Bashkim Jahollari, njëkohësisht ish-drejtor i muzeve dhe studiuesi Niko Kotherja japin alarmin se në “Shtëpinë e Flamurit” nuk gjenden më objektet e vjetra me vlerë të mëdha historike, pasi ato janë zhdukur në kohë të ndryshme. Studiuesit pretendojnë se objektet e muzeut ishin dërguar pas viteve 1990 në Pallatin e Kulturës, por këta të fundit kanë hedhur poshtë akuzat duke thënë se në këtë institucion ruhen vetëm objekte të luftës. Sipas studiuesve, muzeu do të rindërtohet me objekte jo origjinale, ndërkohë që shprehin shqetësimin se objektet tashmë të zhdukura mund të jenë pjesë e tregut të zi. Këto javë, Korça është përfshirë nga një sërë skandalesh që kanë të bëjnë me veprat e artit dhe objektet e trashëgimisë kulturore. pas zhdukjes së pikturave nga galeria “Guri Madhi”, mes të cilave pjesa kryesore e piktorit Vangjush Mio, shembet monumenti i kulturës së kategorisë së I, banesa që nga pikëpamja historike vinte e dyta pas shtëpisë së pavarësisë në Vlorë. Tashmë studiuesit hedhin alarmin edhe për zhdukjen e objekteve origjinale, ndërkohë që policia vijon hetimet për të gjetur përgjegjësit e shembjes që deri më tani rezulton të jetë e qëllimshme.