Video porno gruas për ta prostituuar

Burri dhunues

Policia arreston agresorin pas denoncimit të 30-vjeçares. Filmimet u gjetën në celular

Engjëll Serjani

Martesa mes një çifti në Gjirokastër nuk kishte ecur, pasi burri dhunonte shpesh të shoqen. Në këto kushte, gruaja kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore, por shumë shpejt burri e kishte zbuluar tradhtinë. Ai nuk e kishte ndarë, por menjëherë kishte filluar ta filmonte, teksa e detyronte të kryente veprime të ndryshme gjatë marrëdhënieve seksuale me të. Më pas, videot i kishte përdorur për kërcënime ndaj saj, me qëllim që ajo mos ta linte, e të pranonte të bëhej prostituta e tij. Por, ajo nuk e ka pranuar një gjë të tillë, duke e braktisur burrin dhe ka nisur procedurën e divorcit. Megjithatë, burri nuk e ka pranuar divorcin, kështu që i ka dalë në rrugë të shoqes, duke e dhunuar dhe kërcënuar që ajo të kthehet me të.

Policia e Gjirokastrës ka mundur të arrestojë disa minuta pas denoncimit të bashkëshortes të dyshuarin Mihal Koroni. Burime të policisë bënë të ditur se pas arrestimit të tij, agjentët kanë arritur të sekuestrojnë edhe celularin, brenda së cilit ishin memorizuar dhjetë filmime, ku i arrestuari kishte filmuar nudo bashkëshorten e tij gjatë kryerjes së akteve seksuale. Pas denoncimit të bërë nga e dhunuara Z. G. rreth orës 18.50, agjentët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë reaguar menjëherë dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë të 32-vjeçarit Mihal Koroni, banues në Gjirokastër. Zëdhënësi i policisë së qarkut bëri të ditur se arrestimi i tij u bë për arsye se ish-bashkëshortja e tij 30-vjeçarja me inicialet Z. G. kishte denoncuar në polici se bashkëshorti i saj, Mihal Koroni, më datë 22.08.2012, rreth orës 10.40 minuta në një rrugë të lagjes “18 Shtatori” të qytetit e ka dhunuar fizikisht, duke i shkaktuar plagë në trup e fytyrë, ndërkohë që i kërkonte asaj që të pranonte të prostituonte për llogari të tij.

Gjatë denoncimit, viktima ka deklaruar se prej katër vitesh bashkëshorti i saj ka ushtruar sistematikisht dhunë fizike dhe psikologjike. Mësohet se pas konsumimit të marrëdhënieve midis dy bashkëshortëve, gruaja kishte krijuar një lidhje të re me një person të tretë. Kur bashkëshorti kishte mësuar lidhjet e saj me një person tjetër, ai i kishte bërë disa video pornografike me celularin e tij, duke i bërë presion bashkëshortes që të pranonte të prostituonte, në të kundërt pamjet e regjistruara me celular do t’i shpërndante në internet. Sidoqoftë, duke vepruar në kohë, policia arriti që pas kontrollit që iu bë të arrestuarit të gjente dhe sekuestronte celularin, i cili në rubrikën e menysë ku rezervohen pamjet video, kishte dhjetë regjistrime video me skena nudo dhe pornografike që bashkëshorti i kishte bërë ish-bashkëshortes së tij. Sipas policisë, ato ishin realizuar nga 32-vjeçari, kur ai ishte nën efektin e alkoolit dhe teksa kryente marrëdhënie seksuale me gruan, ai e dhunonte edhe fizikisht. Policia bëri të ditur gjithashtu se denoncuesja Z. G., ka deklaruar në polici se prej rreth katër muaj që ishte larguar nga shtëpia e ish-bashkëshortit dhe se marrëdhëniet e martesës së tyre ishin në prag të divorcit zyrtar.

Autor te 24 Gusht 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry