‘Apple’ është fituesi i betejës ligjore mes dy gjigantëve të teknologjisë: Samsung, që pritet të apelojë vendimin, sipas vendimit të një gjykate amerikane ka kopjuar teknologjinë dhe risi funksionale që i përkasin ‘Apple’ si në rastin e iPhone dhe iPad. Për shkak të një kopjimi tërësisht të vullnetshëm, sipas vendimit të gjykatës, kompania koreano-jugore, ‘Samsung’ duhet t’i paguajë kalifornianes ‘Apple’, rreth 1 miliardë dollarë dëmshpërblim.
Ky vendim mund të sjellë ulje në shitje të produkteve të markës ‘Samsung’ për të cilat u vendos se ka pasur plagjiaturë teknologjike, çka shkon edhe një herë në favor të gjigantit tjetër të teknologjisë, ‘Apple’ e cila së fundi arriti një rekord duke kaluar edhe ‘Microsoft’ për nga vlera e aksioneve të saj në bursa, çka e bën kompaninë më të vlefshme në histori.
Dy kolosët e teknologjisë, ‘Apple’ dhe ‘Samsung’ janë prodhuesit më të mëdhenj dhe zotërojnë tregun e smartphone-ve në gjithë botën.
25 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)