METE miraton ndërtimin e HEC-it “Egnatia-Shushicë”
ARD KOLA
U deshën 5 vjet dhe më në fund, Ministria e Ekonomisë miraton ndërtimin e hidrocentralit “Egnatia-Shushicë”, vepër energjetike për të cilën Ilir Meta, kreu i LSI-së, dhe Dritan Prifti, që të dy ish-ministra të METE-s, përfunduan në gjyq me akuza dhe kundërakuza për favorizim korrupsioni. Ky projekt, me kapacitet të instaluar prej 65 mijë kilovatësh, shkaktoi një stuhi të madhe në qeveri, vitin e kaluar, pasi emisioni investigativ “Fiks Fare”, në “Top Channel”, publikoi pamjet e një videoje të regjistruar nga Dritan Prifti gjatë takimit me Ilir Metën, kur ky i fundit i kërkonte të zgjidhte sa më shpejt problemin me HEC-in, ku aksioner ishte djali i Agim Rrapaj, si dhe shoqëria “Vëllezërit Tola”, ku pjesëmarrës ishte dhe një ish-deputet i PS-së. Prifti, në ato kohë ministër, nuk pranonte ta firmoste për shkak të disa shkeljeve dhe një vendimi gjyqësor, por Meta insistonte, madje në video dukej qartë se pasi komunikoi në telefon me Gimin, ia përcjell Priftit për verifikim. Publikimi i videos realizohet në kohën kur Meta ishte ministër i Ekonomisë dhe më pas jep dorëheqjen, duke nisur më pas një seri përplasjes me Priftin, ndërsa prokuroria filloi hetimet. Çështja shkoi në Gjykatën e Lartë, me kërkesë të prokurorisë, ku Meta ishte në qendër të hetimeve, por më pas u shpall i pafajshëm.
Tashmë, një vit pas skandalit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), e cila drejtohet nga një anëtar i LSI-së, miraton kontratën për ndërtimin e HEC-it famëkeq. Publikimi i vendimit është bërë këto ditë nga Agjencia e Prokurimit Publik, nga ku mësohet se, METE lajmëron bashkimin e përkohshëm të shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k, “Arti” sh.p.k dhe “G.P.A Konstruktion” sh.p.k, se oferta e paraqitur në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Egnatia – Shushicë”, me fuqi të instaluar 65.360 kw dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë 312.802.976 kwh është pranuar.
Gjithashtu, mësohet se ministria ka ftuar zyrtarisht bashkimin e përkohshëm të shoqërive fituese për fillimin e negocimeve të kontratës, e cila duhet të nënshkruhet brenda 30 ditëve.
I gjithë debati vërtitet rreth shoqërisë “Vëllezërit Tola” dhe ndërhyrjes që Agim Rrapaj, i njohur ndryshe “Gimi i 7% dhe i 700 mijëshes” përmendur nga Meta në video, bën te ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri lidhur me zhbllokimin, sipas tij të projektit, pasi Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë nuk i jep të drejtë.
Me fillimin e hetimeve, prokuroria bllokon të gjithë procesin dhe METE ngrin të gjitha procedurat. Ishin këto hetime që zbuluan deklarimet e Priftit, sipas të cilit Meta kishte ushtruar presion për favorizimin e HEC-it “Egnatia-Shushicë”. Megjithatë, pas verifikimeve, hetimeve dhe deklaratave të shumta, mbeti ende e paqartë se çfarë donte të nënkuptonte Meta kur përmendte shifrat “7 për qind” ose “700 mijë”.
Tashmë projekti është mbyllur dhe kompanitë janë të lira ta ndërtojnë objektin energjetik, por në opinionin publik do të mbahet mend gjatë si HEC-i i shumëpërfolur, ku desh futi në burg zyrtarët më të lartë të shtetit.
Prokuroria nisi hetimet për HEC-in ku ishin të lidhur persona me njohje të afërt me zv/kryeministrin
Koncesioni – Projekti për ndërtimin me koncesion të hidrocentralit “Egnatia – Shushicë”, me fuqi të instaluar 65.360 kilovat parashikon një prodhim mesatar vjetor të energjisë 312.802.976 kilovat
Vendimi – Tashmë projekti është mbyllur dhe kompanitë janë të lira ta ndërtojnë objektin energjetik
Rrëfimi
Agim Rrapaj, një nga aksionerët, tregon detajet e projektit famëkeq
E vërteta e “7%” dhe përplasjet me projektin
Agim Rrapaj, personi, që sipas tij, futi pa dashje në telashe Ilir Metën, tregon historinë e ndërtimit të HEC-it “Egnatia-Shushicë”. Në kohën e skandalit, Rrapaj u kontaktua nga gazeta “Shqip”, dhe në rrëfim e sipër pranoi pa të keq se e njihte Metën dhe kishte kërkuar me të drejtë zhbllokimin e projektit, pasi brenda ishin përfshirë investitorë seriozë. Ja çfarë thotë Rrapaj, djali i të cilit zotëron aksione në shoqërinë që do të ndërtojë HEC-in:
Fillimi
Gara ka filluar në vitin 2007, me kërkesë të shoqërisë “Vëllezërit Tola” sh.p.k., si propozim i pakërkuar. Kompania e përbashkët ka fituar bonusin prej 10 pikësh me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 464, datë 18.07.2007. Në zbatim të procedurave të ligjit “Për Koncesionet”, tenderi i parë është hapur në datën 26.11.2007. Kompania rezultoi e para. Agjencia e Prokurimit Publik (APP), në mënyrë të paligjshme anuloi garën. Çështja u ankimua nga kompania në gjykatë, e cila pas 2 vjetësh, në datën 11.07.2009, i dha të drejtë kompanisë, duke rrezuar si të paligjshëm vendimin e APP-së për anulimin e garës. Ky vendim nuk u zbatua nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), duke gjetur justifikime të ndryshme.
Për këtë koncesion u hap gara e dytë më datë 30.04.2008. Përsëri e detyruar, kompania mori pjesë në garë. Rezultoi përsëri e para. Përsëri ndërhyri APP-ja dhe në datën 08.07.2008, me vendimin nr. 8604/8 e skualifikoi kompaninë nga vazhdimi i garës, me pretendimin se kishte konflikt interesi. Vendimi i paligjshëm i APP-së u pezullua përsëri nga gjykata.
“7 përqindëshi”
I tregova vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë, nr. 265, datë 10.09.2009, i cili pezullon vendimin e paligjshëm të APP-së, nr. 8604/8, datë 08.07.2008 që skualifikonte nga gara bashkimin e shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k., ku aksionere është edhe kompania hungareze “GANZ EGYPT CO LT” me rreth 7 për qind të aksioneve. I shpjegova se zvarritjet burokratike, shkeljet e rregullave, mungesa e transparencës, moszbatimi i vendimit të gjykatës, i kishin shkaktuar kompanisë një dëm rreth 700 mijë euro dhe dy kompanitë e tjera i kishin kërkuar përfaqësuesit të “GANZ EGYPT CO LTD” të largoheshin nga Shqipëria. E informova gjithashtu se, ministrisë përkatëse dhe drejtpërdrejt ministrit Dritan Prifti i ishin bërë disa letra dhe nuk u kishte kthyer përgjigje. Mbasi më dëgjoi, më tha se, “këto fakte që po më paraqet mua duken skandaloze. Vendimet e gjykatave duhet të zbatohen patjetër. Zvarritja e procesit është e madhe, shumë kohë ka kaluar, por kompanitë hungareze të mos largohen. Ky shembull nuk është i mirë për investitorët e huaj”.
Premtimi
Ai premtoi se do të bisedonte personalisht dhe shumë shpejt me ministrin Prifti, për t’i dhënë zgjidhje ligjore problemit. Dhe, vërtet shumë shpejt ministri Dritan Prifti më mori në telefon dhe më tha që të dorëzoja edhe një herë vendimet e gjykatave. Iu përgjigja se, “u janë dërguar zyrtarisht dhe i keni në ministri vendimet që më kërkoni”. M’u përgjigj që, “m’i dërgoni përsëri përmes protokollit”. Me sa më kujtohet, ka qenë muaji mars 2010 kur janë bërë këto biseda. Nga muaji mars 2010 deri sa u largua nga detyra, ministri Prifti nuk ktheu asnjë përgjigje zyrtare për kompaninë dhe investitorët e huaj. Në datën 05.11.2010, me shkresën nr. 9370/1 marrim nga kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe sekretari i përgjithshëm i METE-s, z. Durim Kraja, një përgjigje zyrtare befasuese se, e skualifikojnë përsëri kompaninë nga vazhdimi i garës dhe nuk e zbatojnë as vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë me nr. 1190, datë 18.06.2010. As ky vendim gjykate i formës së prerë nuk është zbatuar nga METE. Por, edhe ky vendim i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave është ankimuar përsëri, në zbatim të ligjit nga ana e kompanisë. Dua të përfundoj me dy lajme të mira: Lajmi i parë i mirë është se pala shqiptare dhe ajo hungareze kanë vendosur tashmë të mos tërhiqen, por t’i shkojnë kësaj çështjeje deri në fund, përfshi edhe gjykimin në gjykatat ndërkombëtare, nëse do të jetë e nevojshme.
