I akuzuari për vrasje nuk kishte bërë asnjë shkelje më parë


Një dizenjator veshjesh grash ka qëlluar dje për vdekje një koleg jashtë godinës Empire State Building në Nju Jork City para se të vritej nga forcat e policisë që kanë mbërritur menjëherë në vend. Ndërkohë edhe nëntë të tjerë janë qëlluar nga plumbat, disa prej të cilëve mendohet nga policia. Këtë e bëri të ditur bashkiaku i qytetit, Bloomberg. Komisari i policisë deklaroi se krimineli ishte 53-vjeçari Jerey Jonson, i cili jetonte në Manhatan dhe viktima e tij ishte një 41-vjeçar. Nga të shtënat kanë mbetur të vdekur dy persona, mes të cilëve dhe sulmuesi, që është qëlluar nga policia, si dhe janë plagosur tetë persona. Autoritetet policore thanë për mediat se nuk besohet që të ketë qenë një sulm terrorist, ndërsa ende nuk dihen arsyet e këtij sulmi. Empire State Building është një nga gradaçielat më të famshme në botë dhe vizitohet nga rreth 4 milionë turistë në vit. Për këtë arsye, pasojat e sulmit të djeshëm mund të ishin edhe më të rënda, për shkak të pranisë së shumtë të njerëzve në këtë zonë.


Sulmi vjen vetëm pak javë pas ngjarjes së rëndë në Kolorado, ku një person i armatosur hyri në një kinema gjatë premierës së filmit “Batman” dhe vrau 12 persona e plagosi dhjetëra të tjerë. Këtë verë Amerika është tronditur nga sulme të tilla të bëra nga njerëz të thjeshtë, por në vende publike dhe ndaj një grupi të madh njerëzish. Fatmirësisht këtë herë kanë qenë vetëm dy viktima dhe pak të plagosus, por sipas policisë situata mund të kishte dalë jashtë kontrollit dhe në një rast të tillë, viktimat mund të kishin qenë më shumë. Vrasësi nuk ka pasur një rekord kriminal në jetën e tij dhe ende nuk është zbuluar nëse arma e tij ishte blerë në rrugë të ligjshme, apo në rrugë të paligjshme. Gjatë gjithë kohës pas vrasjes ka pasur në vendngjarje prani të madhe të forcave të policisë. Helikopterët e policisë kanë fluturuar për të filmuar nga lart skenën. Zyrtarët federalë thanë se kjo situatë nuk ka të bëjë gjithsesi me terrorizmin. Ka edhe psikologë, sipas të cilëve kjo situatë është e lidhur me shtimin e stresit, për shkak të shtrirjes dhe përmasës që ka marrë kriza në Shtetet e Bashkuara dhe në pasigurinë që kanë njerëzit për mbajtjen e vendit të punës. Kjo do të mbetet një verë famëkeqe për raste të tilla vrasjes masive, edhe pse të gjithë urojnë që gjithçka të mbetet vetëm me kaq.