Arrestohet 19-vjeçari, i biri i Ediat Kaninës, komandant i pikës kufitare të Sopikut
Kristi Kanina dhe shoku i tij, Sajmir Laçi, u kapën në hyrje të Tiranës me 45 kg kanabis në makinë
SHKB-ja ka nisur menjëherë hetimet edhe për oficerin e policisë, nëse është i përfshirë në trafik
Bledi Gilaj
Antidroga ka arrestuar djalin e një oficeri policie, i cili është komandant i pikës kufitare në Sopik të Gjirokastrës, pasi bashkë me një shokun e tij, po tentonin të trafikonin 45 kg drogë drejt Kosovës. Ngjarja e rëndë ka sjellë menjëherë reagimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, oficerët e të cilit, veç arrestimit të 19-vjeçarit, kanë nisur hetimet edhe për babanë e tij, Ediat Kanina, me detyrë drejtues në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër.
Nga të dhënat mësohet se kur antidroga ka ndaluar makinën ku udhëtonte djali i një oficeri policie, duke improvizuar një kontroll të rastësishëm, menjëherë, Kristi Kanina ka reaguar, duke u shprehur se ishte djali i një kolegut të tyre. Por, ai nuk e ka ditur se ishte në vëzhgim prej disa kohësh dhe që agjentët e antidrogës e dinin mirë se mjeti i tij ishte i mbushur me kanabis. Në këto kushte, antidroga ka kontrolluar mjetin, brenda të cilit gjendeshin jo pak, por gjithsej 45 kg drogë, e llojit kanabis, e cila mendohet se ishte blerë në Lazarat dhe po trafikohej drejt Kosovës.
Hetimi për kapjen e dy personave që transportonin lëndën narkotike, njëri nga Gjirokastra dhe tjetri nga Kukësi kishte nisur dy javë më parë, ndërsa dje ata kishin vendosur të transportonin lëndën narkotike, duke përfituar nga emri i babait të 19-vjeçarit. Policia e kryeqytetit tha se zbardhja e kësaj ngjarjeje të rëndë u realizua gjatë operacionit të koduar “Don’t Park”, kur specialistët e antidrogës vunë në pranga Kristi Ediat Kanina, 19 vjeç dhe shokun e tij Sajmir Laçi, 21 vjeç. Gjatë kontrollit të mjetit, me të cilin udhëtonin dy të rinjtë, policia ka gjetur 45 kg kanabis, e paketuar në ndarje gjysmëkilëshe.
Sipas të dhënave policore, dy personat e lartpërmendur janë kapur në afërsi të Unazës së Re në Tiranë dhe menjëherë janë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ata janë marrë në pyetje për lëndën narkotike të sekuestruar, por nuk kanë pranuar asgjë, duke deklaruar se ata nuk dinin asgjë për kanabisin dhe që po vinin në Tiranë për fundjavë. Megjithatë, policia dyshon se droga ishte destinuar për tregun e brendshëm të kryeqytetit, por edhe për t’u trafikuar drejt Kosovës me ndihmën e kuksianit të arrestuar.
Nga verifikimet e kryera nga antidroga ka rezultuar se Kanina ishte vërtet personi që kishte pretenduar që në momentin e ndalimit të mjetit me të cilin udhëtonin. Në këto kushte, antidroga ka njoftuar oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kanë nisur hetimet, nëse babai i tij, oficer policie, ka pasur dijeni apo ka ndikuar në këtë veprimtari kriminale të të birit. Sipas të dhënave policore, Ediat Kanina ka punuar prej disa vitesh në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, ndërkohë që aktualisht mban funksionin e komandantit të postës kufitare të Sopikut, rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës dhe kohët e fundit ka funksionuar vetëm për këmbësorët.