Deklarata


Akuza: Po diskriminohen kompanitë shqiptare ndaj atyre maqedonase


Aleanca Kuqezi ka akuzuar Berishën se kërkon të privatizojë Portin e Durrësit për t’ua dhënë klientëve të tij, duke përmendur biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Në një deklaratë publike, pranë portit të qytetit bregdetar, AK-ja bëri të ditur se “Porti i Durrësit duhej të ishte porta kryesore e lidhjes së Ballkanit me vendet e Bashkimit Europian, por për fat të keq ky port është lënë në mëshirë të fatit, duke u rikonstruktuar fasada e tij dhe jo strategjia e menaxhimit, e cila duhej të buronte të ardhura për arkën e buxhetit të shtetit. Ky port është kthyer nga sekserët e qeverisë së Sali Berishës në nyjën kryesore të trafikimit të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore, sepse administrata e tij është tejmbushur me militantët e mafies bardheblu. Aleanca Kuqezi denoncon me forcë dhe ngre zërin për diskriminimin që u bëhet kompanive transportuese me origjinë nga Shqipëria në metodologjinë e taksimit të tyre, pa harruar shërbimet që janë jashtë çdo standardi europian. Kompanitë shqiptare të transportit kanë nisur të përdorin Portin e Selanikut dhe kjo është dëshmia e skandalitetit që Porti i Durrësit gëzon prej politikave të gabuara të qeverive klienteliste, e cila favorizon kompanitë e transportit nga Maqedonia”, thuhet në deklaratën e AK-së.


“Është fakt i pamohueshëm që kamionët me targa maqedonase dhe serbe nuk paguajnë as edhe një taksë në Portin e Durrësit dhe kjo ka bërë që shumë kompani ndërkombëtare të kontraktojnë kompani nga këto vende për transport me destinacion Shqipërinë. Ky port tashmë ka hyrë në procedurat e privatizimit të prezantuara nga organet qeverisëse, privatizim që shkon në favor të klientëve të Damir Fazlliç, i cili njihet për lidhjen e ngushtë me Kryeministrin Berisha”, vijon deklarata.