Dekani i Mjekësisë: Shpërndarje e drejtë. MSH të studiojë nevojën e tregut
Shpresa Mezini
Të sapodiplomuarit në Fakultetin e Mjekësisë shfaqen kokëfortë në kërkesat e tyre. Ata kundërshtojnë të punësohen në shërbimet spitalore që ofrohen në zonat rurale, pasi preferojnë zonat urbane. Të vënë përballë kësaj përgjegjësie, reagon dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa, i cili propozon gjetjen e një rruge të mesme për zgjidhjen e pretendimeve të të rinjve, si për punësimet e reja, si për praktikën profesionale, e cila është njëkohësisht me pagesë. Ai i propozon Ministrisë së Shëndetësisë të realizojë një studim të mirëfilltë për të kuptuar nevojat reale që ka tregu sot. Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë për të kuptuar se ku është i nevojshëm shtimi i numrit të personelit, që shpërndarja e mjekëve të rinj të jetë në raport të drejtë si në qytet edhe në fshat. Kështu, problemi i praktikës profesionale për mjekët e rinj, sipas dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, do të zgjidhet vetëm nëse do të ketë një shpërndarje të drejtë të studentëve të sapodiplomuar.
“Vitet e fundit, vërehet se tendenca e të rinjve është punësimi në zonat e populluara urbane, ndërkohë që ka zona të tjera në vend, që nuk kanë mjekë fare ose një numër shumë të paktë.
Nisur nga ky fenomen, Ministria e Shëndetësisë duhet të bëjë një studim të mirëfilltë për nevojat reale që ka tregu, duke marrë parasysh edhe numrin e të diplomuarve nga universitetet private. Edhe pse tregu është i mbipopulluar me mjekë të rinj, konkurrenca do të tregojë se kush është më i miri”, tha Hysa.
Ai shton se zonat periferike janë problematike, për shkak se nuk ka mjekë, për rrjedhojë banorët detyrohen t’u drejtohen qendrave urbane për të marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor, ndonëse ndodhen larg shtëpive të tyre.
“Në qoftë se realizohet shpërndarja e mjekëve në raport të drejtë, natyrisht në bazë të plotësimit të nevojave që ka Ministria e Shëndetësisë, problemi do të ishte i zgjidhur. Megjithëse kohët e fundit të diplomuarit në degën e Mjekësisë dalin edhe prej universiteteve private, ndonëse në këtë rast konkurrencën e përcakton vetë tregu, i cili përzgjedh ajkën”, thekson dekani i Mjekësisë. Hysa shton se edhe këtë vit do të kryhen konkurse për specializimin e të rinjve në mjekësi. Mësohet se kuotat nuk janë shpallur ende, por mendohet se ato do të jenë më të larta se një vit më parë. Ndër të tjera, dekani i Mjekësisë propozon edhe idenë që praktika profesionale në spitale apo ambulanca të nisë më herët, që në vitin e dytë të studimeve, jo pas përfundimit të tyre, në mënyrë që përvoja e tyre në praktikë të jetë më shumë sesa e mjaftueshme.
Vendimi
“Nisur nga notat e ulëta me të cilat janë vlerësuar të diplomuarit në Fakultetin e Stomatologjisë, Farmacisë apo Infermierisë, vendosëm që, përveç testimeve të parashikuara në kurrikulën akademike të këtyre institucioneve, të realizohen provime shtesë. Kjo, vetëm për lëndët që zënë një përqindje të konsiderueshme në testin e shtetit”, shpjegojnë për gazetën “Shqip”, burime në Ministrinë e Arsimit. Ata theksojnë faktin se rezultatet e arritura deri më tani janë përgjegjësi e vetë studentëve, jo e kurrikulave akademike. Kështu, sipas tyre, në rast se në testet specifike që do të përfshihen në fakultete për herë të parë sivjet, të rinjtë nuk do të arrijnë të vlerësohen me mbi 50% të totalit, do të “ndëshkohen”. Ndërsa nuk dihen ende masat që do të merren, bëhet me dije se nuk do të përjashtohet frekuentimi i lëndës gjatë vitit pasardhës.