Kritikat ndaj Kancelares gjermane, Merkel, kanë qenë jo të pakta në Gjermani gjatë periudhës së saj në pushtet. Tani një zë i ri ka dalë kundër gruas së fuqishme të Europës. Ajo është Gertrud Hehleri, një njeri i afërt i ish-mentorit politik të Merkel-it, ish-Kancelarit gjerman, Khol. Në një libër të saj të ri, të botuar së fundi, ajo pretendon se Kancelarja gjermane është e fiksuar pas pushtetit, po e shkatërron euron dhe është duke instaluar në vend një “regjim autokratik”.
Shfaqja e dobësisë nuk është një opsion për ata që kërkojnë të shpëtojnë demokracinë në Gjermani. Gertrud Hehleri ndodhet në Literaturhaus në Berlin. Nuk dëshiron të hajë ndonjë gjë për drekë, madje as të provojë ndonjë ëmbëlsirë. “Sheqeri të bën të avashtë dhe të mefshtë”, thotë ajo. Ata që janë të mefshtë, e kanë humbur paraprakisht çdo betejë që do të duan të ndërmarrin.
Hehleri është një ish-profesoreshë e letërsisë që ka dalë shumë shpesh, për vite me radhë, nëpër talk-show gjermanë. Në këto biseda është pozicionuar si përfaqësuese dhe mbështetëse e Unionit Kristian Demokrat, të djathtë, pra, e partisë së Merkelit, aktualisht. 20 vjet më parë u propozua nga ish-kancelari i atëhershëm i Gjermanisë, Khol, për postin e një ministreje në kabinet. Ndërsa tani është duke bërë betejën e jetës së saj. Dhe ka të gjitha shanset që të jetë beteja më e vështirë, sepse edhe kundërshtarja kësaj here është e përmasave dhe e një kalibri të madh. Ajo është vetë Kancelarja gjermane, Merkel, gruaja më e fortë në Gjermani dhe ndoshta edhe në botë. Hehleri i referohet Angelës si “ajo vajza” që hyri në politikën e Gjermanisë kur Gjermania Lindore pësoi kolaps, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Është një konflikt me përmasa historike, një konflikt që ka të bëjë me mbrojtjen e Gjermanisë nga një diktaturë e tretë, nga një vazhdim i varianteve të komunizmit apo edhe të fashizmit, që kanë ekzistuar më parë. Të paktën kjo është mënyra se si Hehleri e sheh situatën aktuale në Gjermani dhe vetë rolin e Merkel-it në gjithë këtë situatë.
“Ajo vajza” është Kancelarja gjermane, Merkel. Hehleri ka shkruar një libër, “Kumbara”, në lidhje me ardhjen e Merkel-it në pushtet dhe mbi të gjitha në lidhje me gërryerjen e ngadaltë që i bëri demokracisë në vendin e saj. Hehleri ka shkaktuar jo pak debate, kundërshti dhe përplasje së fundi, kur bëri një përmbledhje të pikëpamjeve që parashtron në librin e saj edhe në një gazetë të përditshme gjermane. Ndërkohë që librin e saj e ka prezantuar për publikun të enjten e kaluar. Në faqet e këtij libri, autorja paraqet të gjitha kritikat që iu deshën Merkelit. Për shembull, ajo shkruan se ishte Merkeli ajo që orkestroi fundin e karrierave politike të pothuajse të gjithë guvernatorëve të fuqishëm apo edhe të rivalëve të saj brenda partisë. Dhe, sipas autores, këtë e ka bërë në vijim dhe pak nga pak. Ajo nuk i ndan vlerat e demokracive perëndimore, është duke e shkatërruar euron dhe e gjithë vëmendja e saj është përqendruar te sigurimi i sa më shumë pushteti rreth vetes. Disa nga pretendimet e kësaj autoreje nuk është se janë fare pa bazë. Ajo nuk është aspak e vetmja që ka vënë në qendër të shënjestrës mënyrën me të cilën Merkel qeveris vendin dhe partinë, qëndrimet e saj politike, gjepurat që thotë shpesh dhe paaftësinë që ka për të shpjeguar politikat e saj. Por Hehleri ndërmerr edhe një hap më shumë, se sa kritikat që i janë bërë Kancelares deri tani. Ajo është e para që e vendos Merkelin në të njëjtën traditë me atë të diktatorëve të tjerë të mëdhenj të shekullit të kaluar. Shkrimtarja porosit një kupë kafe. Kafeja është e mirë dhe asaj i pëlqen, sepse të mban zgjuar dhe të bën luftarake, duke të hequr topitjen që mund të të mundojë shpesh. Ndërsa pi kafe, vë theksin në një pasazh kyç të librit të saj, në të cilin ajo ngre pyetjen nëse politikanët e tjerë që janë rrotull Merkelit e kanë harruar përvojën “që i çoi gjermanët të pranonin dy diktatura në shekullin e 20-të, së pari Hitlerin dhe më pas regjimin komunist në Gjermaninë Lindore”.
Për fat të keq, sipas autores, politikanët gjermanë e kanë harruar një gjë të tillë. Ajo e sheh Merkelin si një “aliene”, një Kancelare me një prirje, kur bëhet fjalë për përvoja me regjime që zbatojnë konformitetin politik”. Së pari, ajo përçoi këtë frymë në partinë e saj, CDU dhe më pas edhe te partitë e tjera. Dhe tani, sipas Hehlerit, ajo kërkon që të bëhet “Mbretëresha e Europës”. Duket se të gjithë po pranojnë, përveç luftëtares së rezistencës, Gertrud Hehleri. Një ekspert i biznesit të politikës së CDU-së, Josef Schlarmann, vetëm një javë më parë kritikoi ashpër atë që po e quajnë: Sistemi i Merkelit. Ky studiues dhe politikan, që është një nga kritikët më të ashpër të Kancelares brenda partisë, thotë në një intervistë të bërë për median gjermane se “në parti nuk ka më debate themelore, sepse gjithçka në partinë e Merkelit paraqitet prej saj dhe mbështetësve të saj si një çështje që nuk ka alternativë tjetër. “Është si një mensë shkolle, që ofron vetëm një lloj gjelle dhe vetëm kaq. Ata që nuk e pëlqejnë këtë gjellë janë të përjashtuar dhe nuk hanë fare”, thotë politikani. Ajo vazhdon duke thënë se pushteti në parti është i përqendruar te Kancelarja dhe rrethi i saj i ngushtë i njerëzve dhe të vetmit njerëz që kanë shanse për të bërë karrierë dhe për t’u emëruar në poste të ndryshme janë njerëzit e Merkelit. Ai thotë edhe se asnjë sfidues real politik i Merkelit brenda partisë nuk ka mbijetuar politikisht dhe se do të jetë e pamundur për një sfidues të Merkelit që të arrijë më në fund të fitojë mbi të dhe të marrë në dorë partinë. Por autorja e librit, për të cilin po flasim, e quan pikërisht këtë politikan një “humbës”. Ajo e akuzon se për shkak të humbjes së tij ai nuk bën gjë tjetër veçse e akuzon Merkelin si “grabitëse pushteti”. “Ky është një budallallëk, një burracakëri dhe mefshtësi”.
Një rol në CDU-në që është bërë periferik
Hehleri pi sërish pak kafe dhe ora e saj e artë i shkëlqen në dorë. Ajo është 71 vjeç dhe ka qenë këshilltare për disa nga kompanitë më të mëdha dhe më të fuqishme të Gjermanisë. Aktualisht jeton me moton e një trashëgimtareje të pasur amerikane, Gloria Vanderbilt: “Një grua nuk mund të jetë kurrë as shumë e pasur, as shumë elegante”. Ajo është pa dyshim një grua shumë inteligjente, por a i beson vallë gjithçkaje që shkruan? Ndoshta ajo që shkruan, a mos vallë ka të bëjë me një rol shumë të vogël që ka pasur në parti, që kur erdhi Merkeli në krye të saj? Ajo vetë thotë se fillimisht fliste shpesh me Merkelin dhe se të dyja kalonin kohë të gjatë me biseda në zyrën e saj, më pas gjërat u rralluan. Dhjetë vjet të shkuara, një revistë gjermane e cilësoi Merkelin “gruan më mbresëlënëse të vitit”, por duket se një reagim i saj në media nuk i ka pëlqyer Merkelit dhe këtu mund të kenë nisur të çarat në miqësinë e tyre. Po nën qeverinë e Khol Hehlerit kishte shansin që të bëhej ministre, pra anëtare e kabinetit të tij, por duket se ia zuri rrugën një rivale dhe, që kur Merkeli u bë Kancelare duket se nuk ka pasur më vende të larta në parti për të, në partinë së cilës i përkiti për shumë e shumë vite. Dhe kjo mund të jetë e dhimbshme.
Ndoshta Hehleri ka vërtet frikë për “mënyrën e fshehtë” të Kancelares për të eliminuar parlamentarizmin dhe shtetin e së drejtës dhe për largimin nga ekonomia e tregut të lirë. Të paktën dhe gjithsesi kjo është një teori që tërheq shumë njerëz dhe publik. Gjatë kohëve në vijim ajo do të ketë mundësi të shumta për ta bërë publik shqetësimin e saj.