AKKP do të ndajë tokat e mbetura, ende pa u shpërndarë

Oborret që janë në përdorim tani, jepen në pronësi

Qeveria mori dje vendimin për t’i hapur rrugë regjistrimit të oborreve që janë në përdorim nga pronarët e banesave. Vendimi i djeshëm detajon dhe procedurat që do të ndiqen për zbatimin e këtij vendimi, duke përcaktuar Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si institucionin që do të ndjekë këtë proces.

“Autoriteti shtetëror i ngarkuar për tjetërsimin e oborreve në përdorim është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. AKKP-ja vepron gjatë procedurave të regjistrimit fillestar me kërkesë të regjistruesit apo të një personi ose çdo grupi të ngarkuar nga kryeregjistruesi (kërkuesi) sipas nenit 25, të ligjit nr.33/2012, ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’”, theksohet në vendim. Vendimi thekson se AKKP-ja duhet të nisë procedurën e regjistrimit vetëm në momentin kur oborri të jetë në posedim dhe pa ndërprerje të pronarit të ndërtimit dhe brenda tyre të ketë një lidhje funksionale. Këto prona do të regjistrohen vetëm në momentin kur janë në pronësi të shtetit, por të patransferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr. 8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar. “Këto sipërfaqe toke duhet të rezultojnë fizikisht të lira dhe të pazëna nga ndërtime pa leje, sipas kuadrit ligjor përkatës; Të jenë të patrajtuara nga legjislacioni përkatës për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës”, theksohet në draftin e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Sipas vendimit, oborret në përdorim tjetërsohen pa kundërshpërblim, në rastin kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr pa kompensim, për shkak të ligjeve të kohës. Për kalimin e pronësisë së oborreve në përdorim, kërkuesi paraqet pranë AKKP-së kërkesën, drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës rekomande.

Autor te 30 Gusht 2012. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry