Dyqanet që nuk zhvendosen, do të paguajnë taksë, të tjerat, jo.
Bashkia e Tiranës njoftoi sot se ka ndër mend të imponojë një taksë të re për subjektet që ushtrojnë aktivitetin e lojërave të fatit në qytetin e Tiranës dhe që nuk do të pranojnë të zhvendosin aktivitetin e tyre vullnetarisht në një zonë pranë ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë.
Lëvizja e re e bashkisë erdhi pasi u bë e qartë se mbyllja e lokaleve të lojrave të fatit që nuk pranojnë zhvendosjen, kërkon një ligj të veçantë të parlament. Bashkia njoftoi se dëshironte të pastronte Tiranën nga numri i pafund i dyqaneve të lojrave të fatit, të cilat kanë pushtuar praktikisht të gjitha rrugët në kryeqytet. Qytetarët e kanë pëlqyer idenë e bashkisë. Në një vrojtim të Top-Channel.tv, mbi 86 për qind e lexuesve janë dakord me heqjen e lojërave të fatit nga kryeqyteti. Në vrojtim kanë marrë pjesë mbi 3 mijë lexues.
Sipas propozimit të ri, kazinotë dhe kazinotë elektronike do të vendoset një taksë e re që varion nga 500 deri në 1 mijë lekë për metër katror, respektivisht për dyqanet që gjenden në periferi dhe ato që gjenden në qendër. Nuk është ende e qartë nëse një taksë kaq e ulët do të mjaftojë për të detyruar bizneset e kësaj kategorie të zhvendosen drejt periferisë.
Numri i lokaleve të lojrave të fatit është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Zyrtarisht ekzistojnë mbi 1700 dyqane në të gjithë Shqipërinë ndërsa qindra të tjera besohet se kryejnë aktivitet të palicencuar. Tregu i bixhozit qarkullon zyrtarisht mbi 100 milionë dollarë në vit në Shqipëri.
Bashkia e Tiranës ka qenë shumë e interesuar gjatë vitit të fundit të kapë vëmendjen e publikut duke ndërmarrë nisma që shpesh kanë dështuar. Vitin e kaluar, bashkia urdhëroi çlirimin e trotuareve nga zënia me karrige nga lokalet apo nga shitësit e cigareve dhe angazhoi policinë bashkiake për ta zbatuar vendimin. Por një vit më pas, shumica dërrmuese e trotuareve në rrugët kryesore vijojnë të mbeten të zaptuara. Ndërkohë, mbi zyrtarët e bashkisë rëndojnë akuza se kanë krijuar një bandë kriminale që rrëmben makinat e parkuara keq ose gjysëm keq dhe nuk lëshon as faturë fiskale për tarifat e kripura të karotrecëve.
31 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)