ANDREA STEFANI
Dallimi thelbësor mes diktaturës nga njëra anë dhe demokracisë liberale apo edhe kushtetuese në anën tjetër, është ndarja dhe baraspeshimi i pushteteve. Diktaturat janë sundim i shtetit nga një parti me anë të përqendrimit të të gjithë pushteteve në duart e liderit të saj që mund të jetë kryeministër, president ose që mund të mos mbajë asnjë post qeveritar. Në diktatura nuk qeveriset, po sundohet. Në demokracinë liberale pushtetet janë realisht të ndara dhe baraspeshojnë e kontrollojnë reciprokisht njëri-tjetrin, duke pasur si arbitër Kushtetutën, ligjin, drejtësinë. Pasi jetoi për shekuj me radhë modelin e shtetit të sunduar nga një njeri i vetëm, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, shqiptarët u ngritën me thirrjet liri-demokraci! Por 23 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, shikojmë që në Shqipëri është rikthyer dhe këmbëngul modeli i sundimit të shtetit nga një njeri i vetëm, ndërkohë që ndarja e pushteteve po katandiset gjithnjë e më rrezikshëm në një garniturë pa vlerë. Është një degradim që i dedikohet në radhë të parë strategjisë autokratike, këmbënguljes dhe intrigave të pashtershme të një politikani të vetëm me emrin Sali Berisha dhe klanit që e mbështet atë. Rreth 23 vjet pasi hyri në politikë me slogane kundër diktaturës komuniste, Sali Berisha është bërë mishërimi i një rreziku të ri diktatorial për vendin. Kështjellat e pushteteve kanë rënë njëra pas tjetrës nën sundimin e këtij autokrati që i ka sulmuar i maskuar me flamurin e “demokracisë” dhe “antikorrupsionit”. Aq i madh dhe i ramifikuar është ndikimi i pushtetit të tij në jetët personale të njerëzve (nëse do të kenë një vend pune apo jo, nëse do të kenë të hanë apo jo) sa tashmë jo pak shqiptarë kanë nisur ta kenë frikë. Si qëmoti diktatorin. Dikur një kardiolog, me ambicien e dështuar për të kuruar insuficensat e tiranit komunist, Berisha është shkaku kryesor i infarkteve të njëpasnjëshme të foshnjës së demokracisë shqiptare. Të gjitha katastrofat, tragjeditë dhe megakorrupsionet e më shumë se dy dekadave, mbajnë damkën e këtij tirani që e do “demokracinë” vetëm si maskë për të maskuar pushtetin e tij pa mbarim me “vullnetin e popullit”. Si të gjithë diktatorët përhap fjalë se “e do dhe e voton populli”. Ai e do demokracinë vetëm për t’ia pirë gjakun. Dy dekada pas rënies së komunizmit, ende shteti më i varfër dhe më i korruptuar i Europës, Shqipëria, që të huajt e njohin si Albania, po merr fytyrën e kryepolitikanit Sali. Prandaj mund të quhet fare mirë Salbania!
***
Diktatorët e kanë pasur prirje për t’i pagëzuar qytete dhe vepra industriale me emrat e tyre. Një shprehje e manisë për përjetësi edhe pas vdekjes. Kështu kanë lindur Peterburgu, Stalingradi, kombinati i autotraktorëve “Enver Hoxha” apo hidrocentrali Mao Ce Dun. Por sa janë gjallë, shteti, jeta, mendimet, veshjet e njerëzve dhe gjithçka, kanë atë formë dhe atë përmbajtje që duan diktatorët. Prandaj nuk do të kish qenë fare e gabuar sikur shtetet diktatoriale të ishin pagëzuar me emrat e diktatorëve të tyre: Stalinistan, Enveristan, Maocedunistan. Madje mbajtja nga shtetet diktatoriale të emrave kombëtarë, sikur e maskonte thelbin e vërtetë të tyre, që ishte sundimi i një njeriu të vetëm. Prandaj nuk është aspak e gabuar që edhe Shqipërinë e sotme ta quash SALISTAN ose edhe SALBANIA, në mënyrë që edhe disa perëndimorë të kuptojnë më në fund, se nuk po ndihmojnë perëndimorëzimin por aziatizimin e mbramë të Shqipërisë. Sepse gjithçka që ndodh në të, mban vulën prej Lalë Krosi të vullnetit të një njeriu të vetëm me emrin SALI dhe jo atë të institucioneve të lira që, sipas aksiomave të qytetërimit perëndimor, janë të vetmet që mund të formësojnë të ardhmen me liri të një kombi.
***
Nuk është rastësi që qysh gjatë qeverisjes së tij të parë, Sali Berisha u njoh edhe në arenën ndërkombëtare si një president autokrat që kërkonte të përqendronte të gjitha pushtetet. Por pas rënies nga pushteti, ai mundi të mashtrojë një pjesë të opinionit, vendas dhe ndërkombëtar, se kish ndryshuar dhe se tash e tutje, qëllimi i tij do të ishte shteti ligjor, sundimi i ligjit dhe jo i atij vetë. Por vetëm pak orë pasi erdhi në pushtet në vitin 2005, Berisha nisi avazin e vjetër të kapjes së shtetit nga qeveria. Autokratizmi biologjik i këtij njeriu, u bë rrënja e konflikteve zinxhir me Presidentin Moisiu, me ish-kryeprokurorin Sollaku, me opozitën politike, me kryeprokuroren Rama, me shefin e shërbimit informativ Shaqiri. Ka pasur dhe ka konflikt me ta, sepse nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen dhe t’i shërbejnë pushtetit të tij. Sot, në sajë edhe të një gafe të opozitës për ndryshimin e Kushtetutës, Berisha vendosi një besnik të tij si në krye të Presidencës. Po ashtu edhe në krye të SHISH-it. Të emëruarit prej tij janë vetëm emra. Ata nuk kanë vullnet të tyrin, nuk janë të lirë. Sot në Shqipëri shumica parlamentare ka një emër: SALI. Ekzekutivi ka një emër: SALI. Presidenca ka një emër: SALI. SHISH ka po një emër: SALI. Tashmë ndarja e tri pushteteve, themelore për demokracinë, është thjesht një butafori. Edhe ekzekutivi, edhe gjyqësori, edhe legjislativi janë sot të nënshtruara ndaj një njeriu me emrin SALI. Shumë shpejt do të caktojë një tjetër kryeprokuror dhe, pavarësisht nga personi, në atë post do të jetë realisht i gjithëpushtetshmi me emrin SALI. Prandaj themi se Shqipëria e meriton të quhet SALBANIA!
***
Mbreti Luigji XIV deklaronte: Shteti jam unë! Sali Berisha nuk e thotë, por e bën një gjë të tillë. Në asnjë shtet në botë nuk mund të shohësh për natë e për ditë një Kryeministër që i flet “popullit” nga ekrani. Një populizëm i pështirë mediatik që u ka dhënë jo pak televizioneve fytyrën e Kryeministrit duke i shndërruar dashur pa dashur në altoparlantë të propagandës së tij sa ngrehaluce aq mashtruese edhe vulgare. Shqipëria ngjason sot me një odë të madhe patriarkale, ku plaku Mere u bën përnatë moral djemve dhe i dikton se ç’duhet të bëjnë. Edhe një çezmë po të përurohet, shiritin do ta presë Saliu. I gjithë pushteti është ngritur mbi kultin e këtij njeriu që shfaqet kudo, kurdo dhe flet për gjithçka! Ai për arrorët, Ai për naftën, Ai për gazin, Ai për plehrat, Ai për bankat, Ai për ushtrinë, Ai për shkencën dhe artin, shkollën dhe universitetet, Ai për sportin dhe Olimpiadat, Ai deri edhe për zhurmën e lokaleve gjatë verës apo për pastrimin e çative nga bora në dimër. Të krijohet përshtypja se në Shqipëri nuk ka ministra, por vetëm një oktapodh që qeveris gjithçka. Ka momente ku Ai po i jep këshilla edhe Europës si ta zgjidhë krizën! Kaq e hatashme është megalomania e Kryeministrit “të madh” të një shteti jo vetëm të vogël, por edhe të rrudhur nga varfëria. Por ai nuk e percepton këtë rrudhje, sepse vetë është bërë i pasur.
***
Nëse Saliu vendos që të bëhet diçka, ajo do të bëhet, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta. Madje ai ka nisur ta përsosë këtë formë sundimi duke pasur kujdes që ta bëjë në përputhje me Kushtetutën. Për këtë i kanë volitur edhe disa lajthitje fatale të opozitës. Saliu ka vendosur që t’ia falë një pjesë të detit Greqisë dhe pavarësisht se ç’tha Kushtetuesja, vullneti i tij do të realizohet se s’bën. Ky është edhe thelbi i rinisjes së negociatave me Greqinë. Sa ishte në opozitë, Saliu e nëmi Fatos Nanon për privatizimin e Telekomit apo për importin e plehrave. Dhe ato nuk u bënë se kështu ishte vullneti i Saliut. Por me të ardhur në pushtet, vullneti i Saliut ndryshoi. Edhe privatizimi i Telekomit u bë, edhe importi i plehrave po ashtu. Berishës i ka shkrepur në mendje që ta zhveshë opozitën nga imuniteti. U ka hedhur trutë e gomarit edhe disa perëndimorëve, se gjoja kjo duhet bërë për të luftuar korrupsionin. Opozita pati më në fund zgjuarsinë të mos e japë konsensusin për këtë kurth që i përgatiste Saliu. Por Saliu ka një vendosmëri të pathyeshme prej lideri historik. Ai ka shpallur se do ta hedhë në referendum çështjen e imuniteteve, pavarësisht nëse një gjë e tillë është kushtetuese apo jo. Në SALBANIA gjërat duhet të bëhen vetëm ashtu si do Saliu. Nëse ai do, për shembull të hedhë 1 miliardë euro në një rrugë (që e emëron demagogjikisht si rruga e kombit për të maskuar me patriotizëm një korrupsion të qartë me këto miliona), kjo do të bëhet, edhe pse shteti nuk ka ende as spitale për të qenë, as shkolla të mjafta, as helikopterë për shuarjen e zjarreve apo as makina për pastrimin e rrugëve. Jetët e njerëzve kanë nevojë urgjente për gjëra të tilla, por ato duhet të presin, sepse kështu është vullneti i Saliut. Nuk zemërohen shqiptarët me këtë gjendje? Ka plot që zemërohen, madje në shumicë. Por edhe kësaj Saliu ia ka gjetur anën. Ai i vjedh zgjedhjet, hapur dhe fshehtë, me anë të një mekanizmi manipulimi, ku banditët e kutive të natës janë në aleancë me institucionet e “pavarura”, si KQZ apo Kolegji Zgjedhor. Saliu e do demokracinë jo vetëm për t’ia pirë gjakun, por dhe për t’u trukuar me të. Ndoshta prandaj edhe disa perëndimorë nuk po arrijnë të shikojnë se në vend që të europianizohet, Albania po kthehet prapa në traditën e shtetit të një njeriu të vetëm duke degraduar në një SALBANIA!