Shkrimi i dorës, një art i harruar

Të varur nga teknologjia, njerëzit kalojnë javë dhe muaj të tërë pa shkruar diçka në letër. Arti i të shkruarit me dorë po zhduket, ndërsa mësuesit shqetësohen për një brez teknologjik 

Oliverta Lila

Në kohën e tastierave dhe të touchscreen (taçskrin), letra dhe pena po bëhen gjithnjë e më shumë “një modë e vjetër”. Kohët e fletoreve me viza të ngushta e germave që duhet të rrumbullakoseshin, e dorës që dridhej kur duhet të bëhej bukurshkrimi, duket se tashmë janë thjesht nostalgji. Shprehja “e ke shkrimin si të doktorit”, me të cilën kemi qeshur shpesh, sot duket se nuk ka më vlerë. Studiuesit cilësojnë se tashmë, ato shkarravina që hidhen në letër, kjo sigurisht atëherë kur ndodh, janë të lexueshme vetëm për sytë e atij që shkruan e jo për të tjerët. Ndonjëherë na takon të deshifrojmë me vështirësi atë që vetë kemi shkruar. Për shumicën e njerëzve nuk duhet të jetë e huaj ndjenja që teksa merr stilolapsin në dorë, nuk të kujtohet më se si shkruhet një germë e madhe me shkrim dore (p.sh. germa H). Për thjeshtësi, i jep formën e një germe shtypi. Teknologjia sfidon gjithçka. Janë të rrallë ata që sot heqin dorë nga lehtësirat e saj. Të shkruarit me dorë mund të konsiderohet një art i harruar. Një fenomen botëror po aq sa edhe shqiptar. Tashmë shkrimi nuk përdoret as për nevojat më të thjeshta. Copëzat e letrës të lëna mbi tavolinë apo në anë të krevatit, thuajse nuk ekzistojnë më. Mjafton një mesazh i shpejtë në celular dhe gjithçka zgjidhet. Pas kësaj, vjen rreziku i një brezi të varur gjithnjë e më shumë ndaj tastierës. Nga ana tjetër, mësuesit ankohen gjithnjë e më shumë për nxënës që nuk dinë të shkruajnë e që janë të dhënë që në moshë të vogël ndaj kompjuterit. Referuar këtij fenomeni gjithnjë e më shumë të përhapur, disa kohë më parë, gazeta online “Docmail” kishte realizuar një anketë ku kanë marrë pjesë rreth dy mijë njerëz. Nga kjo anketë rezulton se një i rritur mund të kalojë edhe 41 ditë pa shkruar asgjë me dorë. Nëse kjo ju duket një kohë e gjatë, nga pjesëmarrësit në këtë sondazh rezultoi se një në tre veta kalonin edhe më shumë se 6 muaj, nëse nënkuptohet që mesazhi i shkruar të kuptohet edhe nga të tjerët. Rreth 2/3 nga 2 mijë veta pohuan se askush nuk e kuptonte shkrimin e tyre. Nuk është e rastit që një në shtatë thotë se i vjen turp nga shkrimi i tyre, ndërsa 4 në 10 veta tregojnë se përdorin në kompjuter sisteme që korrigjojnë në mënyrë automatike gabimet drejtshkrimore, ndërsa një në katër persona përdor modelet e gatshme të mesazheve që gjenden në telefon (të tipit: jam në mbledhje) për të komunikuar me të tjerët. Ndonëse një anketë e bërë për një popull që është mësuar me teknologjinë vite më parë, të dhënat nuk duhet të jenë shumë larg edhe për realitetin shqiptar. Përveç një brezi fanatik, i cili ndonjëherë refuzon format e reja, të rinjtë e sotëm janë në të njëjtin nivel të përdorimit të teknologjisë me bashkëmoshatarët e tyre.

Kaligrafia

Nëse do të flisnim për nivelin më të lartë të bukurshkrimit, si forma më e lartë e tyre, do të na kujtoheshin kodikët. Kaligrafia është përdorur deri vonë në Shqipëri (rreth viteve ‘90), veçanërisht për shkresa të një rëndësie të veçantë. Një bukurshkrim i shkruar me rregulla të përcaktuara matematikore, të cilin sot e zotërojnë shumë pak njerëz. Gureta Bajrami Breznica, është pedagoge në një universitet privat në Tiranë. Ajo është nga Kosova, por jeton prej vitesh në Shqipëri. Është pedagoge e dizajnerit dhe këtë vit ka përfshirë për herë të parë në program kaligrafinë. “Bukurshkrimi fatkeqësisht sot nuk përdoret shumë, por vetëm nga ata që e njohin. Në Shqipëri thuajse nuk njihet fare, ndërsa në Kosovë deri pak kohë më parë diplomat plotësoheshin me shkrim kaligrafik, por ndoshta për arsye kohe kjo nuk ndodh më”, shprehet Gureta. Sipas saj, institucionet shtetërore duhet ta përdornin më shumë këtë lloj shkrimi, por as kjo nuk ndodh. Hera e fundit që publiku i gjerë shqiptar do të ketë parë diçka të shkruar në kaligrafi, ka qenë deklarata e pavarësisë së Kosovës, shkruar nga pedagogu Shyqyri Nimani. Shkrimi kaligrafik ka sekretet e veta. Duhet një kaligraf, një letër e posaçme dhe mbi të gjitha rregulla strikte. “Kaligrafia më parë është përdorur në shkrimin e librave, veçanërisht kodikëve. Për këtë lloj arti sot nuk ka as kërkesë e as treg dhe mendoj se kjo vjen si pasojë e mosnjohjes si art më vete. Kur e kam hapur këtë degë me 14 studentë, kam pasur vështirësi të madhe sepse nuk kishim mjetet e punës. Në Tiranë nuk gjendej kaligrafi, një lloj stilolapsi maja e të cilit është e sheshtë. E kam sjellë nga Kosova për të punuar”, shprehet pedagogia. Në varësi të cilësisë, një kaligraf kushton nga 20 deri në 200 euro. Çdokush mund të ketë përfytyrimin e penave dhe të shishes së bojës në këtë rast, por teknologjia edhe këtu ka ndërhyrë për të përsosur këto mjete, duke shmangur kështu përhapjen e bojës. Po a mund ta zëvendësojë kompjuteri bukurshkrimin? “Tendenca është që kompjuteri të zëvendësojë çdo gjë, por kjo nuk mund të ndodhë kudo. Të gjitha çmimet “Nobel” shkruhen me kaligrafi. Nuk mund ta zëvendësojë kompjuteri dridhjen e nervit të dorës që i jep vlerën e vetë shkrimit. Kompjuteri nuk e bën këtë. Shkronjat janë gjithnjë uniforme”, thotë Breznica. Ajo beson se shkrimi i dorës nuk do të zhduket ndonjëherë, duke pasur edhe një shpresë se interesi i të rinjve do të rritet.

Autor te 1 Shtator 2012. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry