Aktualitet Dëshmia, “Me paratë e drogës do kuroja diabetin dhe zemrën”

Dëshmia, “Me paratë e drogës do kuroja diabetin dhe zemrën”

150
SHPËRNDAJE

Lizheta Zharra, e arrestuar tri ditë më parë në Portin e Vlorës, teksa po tentonte të trafikonte drejt Italisë një sasi prej 500 gramësh heroinë që e kishte fshehur në një korse poshtë brezit, ka dalë dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda për masën e sigurisë. 59-vjeçarja është pyetur për episodin e datës 30 gusht, ku pas një kontrolli fizik, agjentët e policisë i kanë gjetur të fshehur drogën. E moshuara ka treguar para gjykatës se ishte ajo “pronarja” e lëndës narkotike, të cilën e kishte siguruar te disa të afërmit në qytetin e Vlorës. Lizheta më pas ka treguar se drogën do ta shiste në Itali, madje kishte gjetur edhe “blerësit”. Ajo është treguar “besnike” ndaj familjarëve të saj, duke mos përmendur asnjë emër. E pyetur përse e kishte bërë këtë akt, pohoi se “vuaj prej kohësh nga diabeti dhe zemra dhe me paratë që do të merrja nga shitja e heroinës, do kurohesha në Itali, pasi jam në gjendje jo të mirë financiare dhe në Shqipëri nuk kam asnjë të ardhur që të kurohem rregullisht”. Më pas ka pohuar se ka edhe dokumente që vërtetojnë sëmundjen disavjeçare, për shkak të diabetit dhe zemrës. Megjithëse pranon se ka tentuar të kryejë një vepër penale, e moshuara në prag të pensionit thotë se ndihet e penduar dhe kërkoi një masë të butë sigurie, duke qenë se vuan nga dy sëmundje që duan trajtim shëndetësor që nuk kryhet në qeli. Duket se 59-vjeçarja ka qenë e përgatitur për masën e sigurisë, pasi avokati i saj kishte gjetur edhe dosjen shëndetësore të Lizhetës ku detajohej historiku i dy sëmundjeve. Në fund të seancës gjyqësore, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit shtëpiak. s.çobo