Qeveria përgjysmon listën e mbetjeve që do importohen në Shqipëri

Qeveria ka vendosur që të përgjysmojë listën e mbetjeve që do të lejohen të importohen nga jashtë. Zëdhënësja e kryeministrisë, Erla Mëhilli, në një dalje publike ka sqaruar se kreu i qeverisë ka firmosur dje vendimin “Për disa ndryshime në vendimin “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi, dhe përpunimi” të qeverisë, me të cilin lista prej 56 artikujsh të importit të mbetjeve jeshile të riciklueshme përgjysmohet në 25 artikuj.

Sipas Mëhillit, Bashkimi Evropian ka një listë prej mbi 460 artikuj mbetjesh jeshile, qarkullimi i lirë i të cilave është i detyrueshëm për vendet anëtare dhe natyrisht Shqipëria, duke avancuar në procesin e saj të integrimit do të pranojë standardet dhe normat e kërkuara nga ky proces.

“Në stadin aktual, qeveria, pas konsultimesh të gjera me shoqërinë civile, zërin e të cilës Kryeministri është i vendosur ta dëgjojë, pas konsultimesh me grupet e interesit dhe biznesin, konstatoi se ishte plotësisht e mundur që importi i mbetjeve jeshile të riciklueshme të reduktohej në 25 artikuj të tillë, të cilët përdoreshin gjerësisht nga industria e riciklimit në Shqipëri, industri në të cilat janë investuar nga sektori privat vendas e të huaj mbi 400 milionë euro, nga letra te metalurgjia dhe ku janë punësuar mbi 3000 punonjës në vend.

Kjo industri në kapacitetet e saj të mëdha përpunuese ka jetike lëndën e parë, dhe sasitë e saj në vend janë të pamjaftueshme”, u shpreh Mëhilli, duke i bërë thirrje shoqërisë civile të marrë pjesë dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, por duke “shmangur rënien në anti-globalizëm, i diskretituar tashmë si varianti i sotëm i marksizëm – leninizmit”.

2 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

Autor te 2 Shtator 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry