I mbeten shapkat në vendngjarje, nëna “tradhton” të birin grabitës

Si u zbulua vjedhja me dhunë në Tiranë e një gruaje të moshuar

Policia pyeti për shapkat në disa shtëpi dhe nëna e të dyshuarit tha se shapkat ishin të djalit të saj

Të gjithë e mbajnë mend përrallën e Hirushes, kur princi e gjeti nëpërmjet këpucës së humbur. Këtë përrallë e kanë rikthyer në kohët moderne policët e Tiranës, por në kushte të tjera, duke zbuluar një grabitës, të cilit i kanë mbetur shapkat në vendin, ku ai kishte vjedhur me dhunë varësen e një gruaje të moshuar. “Tradhtarja” për hajdutin ka qenë nëna e tij, e cila sapo ka parë shapkat në dorën e policit, ka treguar se ato i përkisnin të birit, i cili është arrestuar edhe për një vjedhje tjetër.

Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet, kur një grua 70-vjeçare ka rënë pre e një sulmi tjetër të hajdutëve të varëseve të floririt, teksa po kthehej nga pazari drejt shtëpisë së saj në Tiranë. Edhe pse në mes të ditës dhe në një zonë të populluar, duke mos marrë parasysh edhe masat e policisë për rastet e vjedhjeve të varëseve të floririt, autori sërish ka guxuar, duke sulmuar të moshuarën Lumturie Topulli. Gruaja me origjinë nga Peja e Kosovës dhe banuese prej vitesh në rrugën “Tefta Tashko” në kryeqytet, ka qenë duke u kthyer në shtëpi në momentin kur një djalë i ri është afruar pranë hyrjes së një pallati dhe i ka tërhequr me forcë varësen që mbante në qafë. Megjithëse ka realizuar planin e tij, duke ia shkulur varësen nga qafa gruas së moshuar, autori nuk i është gëzuar për më tepër se 8 orë “triumfit” të tij, pasi është vënë në pranga nga policia. Shërbimet e Komisariatit Nr.2 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë autorin e ngjarjes, rreth orës 20:00 të së martës së kaluar. Atë ditë, burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se i arrestuari është Durim Hasan Onuzi, 26 vjeç, me 3 klasë shkollë. Në momentin e arrestimit atij i është sekuestruar edhe varësja e floririt që i kishte grabitur gruas së moshuar, të cilën ende nuk kishte arritur që ta shiste në ndonjë argjendari, ashtu sikurse ndodh në raste të tilla.

Por, interesant është fakti i zbulimit nga policia. Menjëherë pas grabitjes, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, të cilat kanë kontaktuar me të dëmtuarën dhe me disa dëshmitarë. Ata kanë treguar se një palë shapka që ndodheshin në vendin e ngjarjes ishin lënë nga grabitësi, i cili gjatë arratisë, i ka lënë në shesh dhe ka vrapuar zbathur. Në këto kushte, oficerët e policisë kanë pyetur disa familjarë aty pranë vendit të ngjarjes, nëse i njihnin shapkat e gjetura. Duke pyetur në shtëpitë pranë vendngjarjes, një grua ka deklaruar se ato ishin shapkat e djalit të saj. Në këto kushte, policia ka gjetur të dyshuarin, të cilit i është kapur edhe varësja e floririt dhe është arrestuar për vjedhje me dhunë. Sipas grupit hetimor, ai dyshohet edhe për vjedhje të tjera të kryera në kryeqytet, në bashkëpunim me persona të arrestuar më parë. Sipas policisë, grabitja ishte kryer në të njëjtën mënyrë siç u tentua edhe ajo e Fatbardha Tafës, e cila kundërshtoi për të lëshuar varësen e floririt dhe u qëllua nga hajduti i dhunshëm me thikë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Madje, në rastin e Fatbardhës, hajdutit i mbeti në vendngjarje kapelja që mbante për të mos u njohur nga të tjerët. Ble. Gi.

Autor te 4 Shtator 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry