Kasat fiskale 


Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, u miratua një ndryshim në vendimin për kasat fiskale, i cili tenton të ulë koston që paguan çdo biznes për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale, nga 9400 lekë që është paguar deri tani, në 4000 lekë. Gjithashtu, sipas këtij vendimi, biznesit do t’i kërkohet certifikimi i funksionimit të kasës vetëm një herë në vit, pra çdo 12 muaj dhe jo çdo 6 muaj, siç i kërkohej deri tani.


Debati mbi shërbimet e “kolaudimit” të pajisjes fiskale ka vënë në diskutim kostot reale të mirëmbajtjes dhe normës së fitimit nga 5 shoqëritë e autorizuara nga qeverisë. Sot paguhet dy herë në vit nga biznesi 9600 lekë (me TVSH) shërbimi i detyrueshëm i kontrollit të kasës, ndërsa qeveria miraton ndryshimin, sipas të cilës kontrolli do të jetë një herë në vit dhe kushton 4 mijë lekë (pa TVSH).


Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vendim si shumë të rëndësishëm e lehtësues në fushën e biznesit. Kryeministri theksoi se vendosja e këtyre kasave në sistemet nga më modernet, ishte një nga arritjet më kryesore të Shqipërisë dixhitale dhe të tregut, por kompanitë të cilat kanë targetin e mirëmbajtjes së tyre, u treguan shumë lakmuese në çmim dhe i kërkonin biznesit një “taksë” të dytë të rëndë.


“Mendoj se ky është një lehtësim serioz që u bëhet bizneseve në veprimtarinë e tyre. Pra, nga dy kontrolle në vit, do të kenë vetëm një kontroll në vit dhe ai do të jetë me më pak se gjysma e çmimit të kontrolleve që bëheshin deri tani”, u shpreh Kryeministri. Ajo çfarë nuk sqarohet në vendim është fakti se biznesi do të paguajë me 4 mijë lekëshin vetëm kontrollin periodik, pa shërbimin e transmetimit të sinjalit, që kushton po 4 mijë lekë (gjithnjë pa TVSH). Edhe ky shërbim do të paguhet sërish po nga biznesi,  që nisi i mbledhim shkon sërish në 96 mijë lekë në vit. Pra, ajo që ndryshon është vetëm kontrolli, i cili do kryhet një herë dhe jo dy herë në vit.


A.Kola