Shoqëria civile ka reaguar sot për mënyrën se si është pasqyruar në media rasti i Nazime Vishës, 18-vjeçares e cila më 13 gusht ekzekutoi me armë zjarri 45-vjeçarin Fiqiri Muça. Vajza pranoi krimin, duke rrëfyer se viktima e kishte përdhunuar në moshën 14-vjeçare, e kishte rrëmbyer për 11 ditë dhe po tentonte ta trafikonte në Kosovë.
Komiteti i Helsinkit dhe Rrjeti kundër dhunës gjinore e trafikimit, në një letër të hapur drejtuar Kryeprokurores Ina Rama, kanë kërkuar ndalimin e dhënies së informacioneve nga organi që ajo drejton për të “ushqyer” median, e cila e ka shndërruar rastin e Nazimes apo viktimave të tjera të dhunës si personazhe telenovelash të përçudnuara.
Letrën e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Në vëmendje të:
Znj. Ina Rama – Prokurore e Përgjithshme
Gjithë mediave vendase
Letër e Hapur në lidhje me trajtimin e çështjes së Nazime Vishës
Përmes kësaj letre shprehim shqetësimin tonë si aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të grave dhe fëmijëve lidhur me mënyrën joprofesionale dhe diskriminuese, me të cilën po trajtohet nga mediat shqiptare rasti i adoleshentes, Nazime Visha.
Ne jemi po aq të shqetësuara me informacionin që rrjedh nga Institucioni i Prokurorisë dhe me pafuqinë e Prokurores Znj. Ina Rama, për të ndaluar rrjedhjen e informacionit.
Faqet e para të gazetave shqiptare në vend që të trajtojnë çështje të tjera shumë të rëndësishme për vendin dhe opinionin shoqëror, trajtojnë me detaje historinë e dhimbshme të një shtetase viktimë e shumë lloj dhunimesh.
•I kërkojmë Prokurores së Përgjithshme të ndalojë shpërndarjen e informacionit nga institucioni që drejton për të pandehurit si në rastin e Nazimes.
•I kërkojmë mediave Shqiptare të ndalojnë së trajtuari çështjen e Nazimes si një telenovelë të përçudnuar vetëm e vetëm se i konsideron histori të tilla si burim të ardhurash dhe të lejojnë drejtësinë të bëjë punën e saj, në përputhje me ligjin.
Si aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të grave dhe fëmijëve, pretendojmë nga mediat që të jenë më të kujdesshme për respektimin e të drejtave të shtetasve gjatë hartimit dhe publikimit të materialeve që përzgjedh të trajtojë, sepse kjo është një nga funksionet e natyrshme të tyre në një shoqëri demokratike.
Shpresojmë që institucionet shtetërore e ato të medias se shkruar dhe elektronike të Shqipërisë të marrin parasysh kërkesat tona.
Sinqerisht,
Komiteti i Helsinkit
Rrjeti kundër dhunës gjinore e trafikimit
6 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)