NDUE DEDAJ


Një vit i ri mësimor, akademik nis dhe sytë e të gjithëve janë tek oborri i shkollës, dita e parë e saj, përherë me një shkëlqim diellor. Këtë herë rituali i fillimit të vitit të ri të dijes ka më shumë dekor kombëtar, flamuj kuqezi, vargje rilindëse kushtuar abc-së. Në pranverën e sivjetme, në Prizren, qytetin lajmëtar të Pavarësisë, udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës pagëzuan abetaren unike. E të tjera lajme jubilare nga “udha e shkronjave”. Por a mbahen sytë atje, për kah klasat dhe auditorët gjithë vitin? A i kanë shkollat stafet të afta profesionalisht dhe drejtuesit të standardit bashkëkohor, apo në këtë pikë ka ende shikim politik? Me gjasë drejtimi i shkollës nuk është bërë objekt analize, trajnimi dhe certifikimi. Duhej ndaluar në këtë çështje, por është në vigjilje viti elektoral dhe zor se do të ndërmerret një reformë thelbësore, për sa i përket drejtimit të shkollës, siç është kërkuar dhe nga shoqëria civile. A mund të vihen në lëvizje kapacitetet e sotme të shkollimit, me drejtim tradicional, mediokër, partiak? Pastaj a është shkolla një vend konkurrimi për vetë mësuesit? Logjika e do që një institucion edukimi, që përgatit konkurrentë të përvitshëm për arsimin e lartë, brenda dhe jashtë vendit, duhet ta krijojë këtë mundësi pikësëpari për punonjësit e vet, për pozicione të ndryshme në hierarkinë arsimore, drejtim, inspektim, trajnim etj. Në një njëqindvjetor si ky, kur pritet të merret statusi i vendit kandidat për në BE, mësuesi nuk mund të shihet si zanatçi, as si shërbyes i politikës së radhës. Arsimtarët qysh nga Rilindja janë pasuri kombëtare dhe plotësisht të aftë për t’u “vetëqeverisur” demokratikisht, pa qenë nevoja t’u vihet mbi krye ndonjë “dorë e fortë”, siç ngjet herë-herë me mentalitetin zyrtar. Kultura e drejtimit është një problem jo vetëm për shkollën, por për gjithë spektrin drejtues në vend.


 


Përparësi edukimit kombëtar, qytetar


Para njëqind vjetësh, kur po krijohej shteti modern shqiptar, mësuesit ishin ndër punëtorët e paepur të Pavarësisë. Ata besonin se energjia e abc-së ishte e pakufishme. Në Zym të Hasit, dheun e Bogdanit, me 1900 qe botuar një abetare, për të cilin është ngritur një obelisk. Abetaret ishin kushtetutat e para të dijes ndër shqiptarë dhe sot është e denjë të përkulemi para të parëve abetareshkrues të shekullit të 19-të. E teksa vazhdojmë “shtegtimin” tonë dituror nëpër shekullin jubilar, na duhet t’u themi shkollarëve, se ca punë të historisë dhe kulturologjisë sonë nuk kanë zënë vend. Se nuk u ka ardhur ende koha, apo se nuk i lëmë ne? Ka ca gjëra që nuk di si t’ua shpjegosh nxënësve, bie fjala, se si në të njëjtin kryeqytet, me të njëjtin vendim qeverie, ngrihen njëherësh, si shtatorja e Hasan Prishtinës, si ajo e Ahmet Zogut? Apo se cilën duhet të marrin për ditë të Çlirimit, 28 apo 29 Nëntorin? Ka mësues që kur flasin për Luftën Nacionalçlirimtare u mëshojnë meritave të Komandantit, ndërsa kur bëjnë fjalë për luftën e klasave sikur iu meket zëri para “arkitektit” të saj, që është po ai, siç ngjet dhe e kundërta. Më tej, si duhet ta kuptojnë nxënësit tanë njësimin e gjuhës letrare kombëtare me 1972, kur sipas disa gjuhëtarëve dhe jo vetëm gegnishtja letrare nuk qe përfillur, mbase si gjuhë “klerikësh reaksionarë” etj. Kemi pasur një letërsi të realizmit socialist, po ama kemi pasur dhe një Kadare, jashtë kornizës ideologjike-letrare, që tetori i këtij viti urojmë ta sajdisë me “Nobelin” e aq përfolur për të dhe të aq merituar prej tij. Mbase Akademia e Shkencave mund të formulojë nga një përgjigje të pranueshme për këto e të tjera tema të nxehta, që nëpër tekstet mësimore të mos ketë diletantizëm. Edukimi qytetar demokratik është një tjetër detyrim i shkollës. Një intelektual ankohej këto ditë përmes rrjetit social se “shkolla nuk po jep sa duhet mesazhe edukative dhe pune, si me jetue me djersë, si me e dashtë njeriun, atdheun”, thua se këto janë të tejkaluara për shkollën moderne. Një tjetër qytetar, nisur nga rendi publik i rënduar, shkruante me shqetësim se: “grupe adoleshentësh kanë dalë jashtë kontrollit të familjes, shkollës, shtetit. Një kontingjent i frikshëm krimi po rritet. Them se ky është një problem që meriton trajtim më të shpeshtë në media, çka do ishte një apel për sot e një investim për të ardhmen”. Është e drejtë të kërkohet një rol më i madh mediatik, ashtu si vetë media e të tjerë lypin më shumë nga shkolla, familja, elitat e përgjumura. Ani se është festa e fillimvitit shkollor, ani se është jubileu i madh i Pavarësisë, që nuk flasim vetëm për arritje. Thelbi është se na duhet ta bëjmë ndryshe këtë adoleshencë, ta “modelojmë” për andej nga është udha e progresit dhe prirja europiane e zhvillimit. Një rini “qejflie” kotësish nuk i hyn askujt në punë.


 


Shkolla e integruar dhe analfabetizmi i ri


Integrimi europian është ëndrra që shohim përditë, prej ‘90-s. Por integrim do të thotë jo vetëm të marrësh nga vlerat e qytetërimit të Europës, por dhe të japësh nga vlerat e tua. Do të ishte e padrejtë të thuhej me inferioritet se ne nuk kemi asgjë për të dhënë. Ne kemi pasur për të dhënë që nga shekullit i 15-të. Jo më kot përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut gjenden në muzeun e Vjenës prej shekujsh dhe tashmë janë duke u ekspozuar në Tiranë për festë. Por dhe të tjera vlera albanologjike, natyrore etj. Shkolla është bartësja e diturisë kombëtare dhe ajo ka dhe barrën e përçimit të kësaj kulture autentike në atë “metropolitane” europiane. Integrimi fillon nga vetë njeriu. Është ai që integrohet i pari dhe jo resurset e një vendi. Por a mund të integrohet një rini pa motive të forta në jetë? A ka zhvillim arsimor të kompletuar, pa tregues të lartë dhe në arsimin profesional? Problemi është dhe më i mprehtë kur prek analfabetizmin, jo vetëm në katundet e thella të malësive, ku ndodh nga një vrasje në tri ditë, po dhe në periferi të Tiranës. Ka adoleshentë që nuk dinë të shkruajnë emrin e vet, vetëm nëse vënë gisht në letër. E, pra, kanë kaluar 162 vjet nga abetarja e parë e Naum Veqilharxhit dhe më shumë se treqind vjet nga shkollat e para dioqezane shqipe të shekullit të 17-të, si ajo e Velës, çka do të thotë se analfabetizmi është i pafalshëm në shekullin e 21-të. Përpjekjet e rilindësve për analfabetizimin e shqiptarëve kanë qenë të ngjashme me ato për ungjillizimin e popujve. Prandaj sa herë bëjmë hapa prapa në shkollim, duhet të ta kthejmë kryet nga Buzuku dhe gjithë buzukianët e ndritshëm të kombit tonë. Në këtë qasje, në prag të vitit të ri shkollor, ke dëshirë të dish dhe sa fëmijët e emigrantëve nëpër botë vazhdojnë shkollat shqipe atje, krahas mësimeve në gjuhën e vendit ku rrojnë. Është njëqindvjetori i Pavarësisë dhe kjo kërkesë është më e ligjshme se kurrë. Por është e pamundur, përfaqësitë tona diplomatike nuk na e sigurojnë dot lajmin, dhe se dihet që ka shkolla shqipe në emigracion, në komunitetet e shqiptarëve në Belgjikë, Zvicër, Londër, Amerikë, Athinë e të tjerë, por si fakte patriotike, gati njësoj si në kohën e shoqërive atdhetare në diasporë të Rilindjes. E, pra, kushtet dhe mundësitë janë krejtësisht të tjera. Nëse atëherë “shkronjat” na vinin nga kolonitë shqiptare jashtë, tani është barra e shtetit shqiptar që t’i shpie atje abetaret shqipe për fëmijët e emigracionit. Por atë që nuk e merr dot zyrtarisht, e mëson nga vetë emigrantët që erdhën këtë verë. Shkruante një nxënëse e klasës së shtatë në ditarin e saj: “Një të diel shkuam te tezja në Tiranë, që kishte ardhur nga Italia. U çmallem dhe luajtëm me fëmijët e saj binjakë. Edhe pse kanë jetuar plot 6 vite në Itali, nuk e kanë harruar gjuhën shqipe”. Ky është një lajmth i këndshëm, jo aq i “vogël” sa vogëlushët për të cilët bëhet fjalë. Prindërit e emigracionit kanë dhe një barrë më shumë, shqipen e fëmijëve të tyre. Janë ata Asdrenët e kësaj kohe…