Spanjë, rikthehen ndeshjet me dema në televizor

Kryeministri i ri është tifoz i sportit të debatuar

Qeveria e Spanjës vendosi të heqë ndalimin ligjor për transmetimin në televizionin publik të ndeshjeve të famshme me dema për herë të parë pas gjashtë vjetësh, gjë që lidhet me faktin që Kryeministri i ri konservator, Mariano Rajoy, është një nga të pasionuarit e këtij sporti. Ndeshjet me dema që po zhvillohen në qytetin verior të Vajadolidit do të transmetohen në televizionin kombëtar TVE. Qeveria e mëparshme socialiste e kishte ndaluar me argumentimin se qenë të kushtueshme, të dhunshme dhe shfaqeshin në kohën kur televizioni shihet nga fëmijët.

Një debat i zjarrtë është zhvilluar gjatë viteve të fundit në Spanjë, ku rajoni i Katalunjës, simboli historik i ndeshjeve me dema, ndaloi përfundimisht këtë sport në janar. Rreth 180 mijë vetë patën nënshkruar një peticion për të ndaluar atë që për shumë është një torturë e pafund për kafshët.

Por Korrida, siç njihet në Spanjë, vijon të mbetet një sport i ligjshëm në të gjithë pjesën tjetër të Spanjës me përjashtim të ishujve Kanaries. Mbështetësit e ndeshjeve me dema, përfshirë edhe Kryeministrin Rajoy thonë se kjo është një traditë, një formë arti i ngulitur thellë në historinë e Spanjës. Ai besohet se është krijuar si sport rreth 4 mijë vjet më parë dhe se është popullarizuar nga romakët.

Torrerot, ose njerëzit që ndeshen me demat, kanë kapur imagjinatën e shumë shkrimtarëve dhe artistëve, duke u bërë një simbol i pandashëm për Spanjën. Por kundërshtarët thonë se kjo është një praktikë barbare dhe krejtësisht e panevojshme.

 

Autor te 6 Shtator 2012. Botë, Kuriozitete. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry