Sot, ora 12:00 luhet akti final i privatizimit. Loja politike dhe konkurrentët


Në sytë e medias, Ministria e Ekonomisë tenton të bëjë sa më transparent procesin e privatizimit të “Albpetrol”-it. Paraqitja e ofertave do të bëhet sot, ora 12:00, dhe mundësitë për t’u ndjekur live janë të shumta, sikurse u veprua 4 vjet më parë me ARMO-n. Në tre muajt e verës nuk munguan informacionet nga më të ndryshmet se kush ishte më i interesuari, kujt “do t’ia jepte qeveria” dhe loja e kujt po luhej. Sot do të mësohet se cila nga 19 kompanitë që kanë tërhequr dokumentacionin e tenderit do të paraqesin ofertat. Mësohet se seriozisht e kanë marrë vetëm 5 kompani, të cilat vizituan nga afër ambientet e kompanisë, panë me sy puset, mënyra si punohej, kushtet, bënë pyetje etj.


Rusët ishin të parët që u vërsulën. Janë dy kompani të njohura, “Gazprom” dhe “Rusneft”, që me anë të partnerëve të tyre në Serbi dhe Turqi kanë potenciale ekonomike për të blerë “Albpetrol”-in. Pastaj erdhën kinezët, të cilët qëndruan disa ditë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Fier, madje në fushat me erën e rëndë të naftës. Nuk mbetën pas edhe kanadezët, “të zotët e shtëpisë”. Kompania “Bankers” e njeh mirë territorin e naftës në vend, pasi operon prej 2004-s dhe zotëron mbi 90% të puseve dhe nuk do të ishte çudi një ofertë nga e ana e tyre.


Megjithatë ditët e fundit, në ambientet e kompanisë qarkullon lajmi se një kompani nga Azerbajxhani i ka të gjitha potencialet për të fituar garën, tashmë të kthyer në politike-ekonomike. Burime të gazetës pohojnë se një shoqëri azere, pjesë e projektit gazsjellës TAP, pritet të jetë një nga konkurrueset në tenderin e privatizimit të “Albpetrol”-it. Burimet shtojnë se ky interesim ka lindur pas konfirmimit se projekti i TAP-it po merr gjithnjë e më shumë konfirmime se do të jetë fitues dhe do të kalojë edhe në territorin shqiptar.


Qeveria shqiptare, përveç të drejtës për të kërkuar dhe zhvilluar naftë, i jep shoqërisë së interesuar licencë rafinerie, por edhe tregtimin apo transmetimin e gazit, shtesa këto që tentojnë t’i rrisin vlerën “Albeptrol”-it. Natyrshëm që kompania azere, me interesa në projektin TAP, e sheh më me leverdi se konkurrentët e tjerë sipërmarrjen e privatizimit. Kjo, pasi shfrytëzimi i hidrokarbureve, përpunimi dhe eksportimi i tyre do të jetë me kosto më të ulët për kompaninë në fjalë, kandidate në privatizimin e “Albpetrol”-it. Por, burimet nuk kanë dhënë më shumë detaje rreth kësaj kompanie. Ndërkaq, mësohet se kjo kompani nuk ka pasur një interesim të drejtpërdrejtë për aspektin financiar dhe juridik të “Albpetrol”-it, ashtu si kandidatet e tjera. Mësohet gjithashtu se pranë kompanisë azere ka interesa dhe një kompani amerikane.


Gjatë muajve të fundit janë futur në një garë që ngjasonte më shumë me një “luftë” gjeopolitike, mjaft kompani ndërkombëtare që kanë influencë të madhe në biznesin botëror të hidrokarbureve.


Në bazë të pasqyrës financiare të vitit 2012, kapitali total i “Albpetrol”-it kap shifrën e rreth 600 milionë dollarëve. Ndërkohë që nga burime të METE-së është mësuar se pritet që “Albpetrol” të privatizohet për jo më shumë se 300 milionë dollarë. Në paketën e privatizimit është parashikuar që blerësit t’i jepet edhe licencë për ndërtimin e një rafinerie nafte.


 


Në bazë të pasqyrës financiare të vitit 2012, kapitali i kompanisë kap shifrën e 600 milionë USD


Punonjësit  – Privatizimi do të pasohet me largimin nga puna të rreth 1800 punonjësve, të cilët prej shtatorit të vitit të kaluar paguhen në gatishmëri


 


 


 


 


Maksim Shuli, ekspert dhe ish-drejtor i kompanisë analizon procesin


Nuk mund të shiten të gjitha aksionet, varianti më i mirë


Hapat e parë të privatizimit të “Albpetrol” janë hedhur në vitin 1993, kur u miratua ligji “Për hidrokarburet”, por gabimi më i rëndë është kryer në fund të viteve ’90, kur kompania u nda në tri pjesë, dy prej të cilave aktualisht kanë falimentuar. E treta. “Albpetrol” po shitet 100% në kushte tejet të vështira dhe në kohë të papërshtatshme. Maksim Shuli, ekspert i naftës analizon procesin e privatizimit dhe tregon variantin më të mirë. Ai ka punuar prej 25 vjetësh në industrinë e naftës dhe gazit, ish-president i kompanisë “Albpetrol” dhe ish-n/kryetar i Agjencisë Kombëtare të Energjisë. Sipas tij, qeveria duhet të mbajë disa aksione, sikurse kanë vepruar shumë shtete të tjera.


 


Kur ka nisur për herë të parë privatizimi i “Albpetrol”, dhe cila do të ishte forma më e duhur?


Pas viteve 1990, sigurisht pas një sistemi të centralizuar si kudo edhe në naftë filluan proceset demokratike të reformimit dhe të transformimit të kompanisë më të madhe në vend, që në atë kohë jepte rreth 25-30% të GDP-së së ekonomisë. Si kudo edhe këtu nisi procesi i reformimit të këtij sistemi, por që fatkeqësisht nuk  filloj si duhej. Këtë unë e kam paraqitur qartësisht në librin tim “Nafta dhe Politika” ku tregohen me argumente se kush ka luajtur faktor negativ dhe pozitiv.


Privatizimi i “Albpetrol”-it ka filluar me miratimin në Parlament të Ligjit të Hidrokarbureve në vitin 1993 në kohën kur qeveriste PD-ja, e cila lejonte thithjen e investimeve të huaja nëpërmjet një kornize ligjore tashmë të përcaktuar, por gjithsesi kishte shumë vend për t’u përmirësuar. Kjo është edhe koha kur “Albpetrol”-i u shndërrua në shoqëri aksionere dhe ku kërkohej të punohej që kjo kompani me një peshë të madhe në ekonominë e centralizuar të bëhej një kompani kompatibël dhe të përballej me ekonominë e tregut të lirë. Në vitet 1997-1998 kur unë personalisht kam qenë deputet dhe Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë është kryer ristrukturimi dhe përgatitja për privatizim. Janë diskutuar dy variante që në vitin 1997-‘98 për ristrukturimin e kompanisë së naftës:


Varianti i parë, kompania të ruante formën që kishte, aktivitetin me cikël të mbyllur (up-stream and down-tream). Kjo formë u përshtatej shumë mirë interesave të vendit tonë, që në fakt të gjitha kompanitë simotra në vendet e Europës Lindore ruajtën këtë formë dhe ia dolën shumë mirë, pasi ndikuan me 30% në totalin ndaj të ardhurave. Nëse do të realizohej ky variant, të ardhurat tona do të ishin maksimale, kurse nga shitja e aksioneve, nisur nga pozicioni gjeografik do të përfitonim shumë e më shumë, nga sa po tentohet sot.


Varianti i dytë, kompania jonë të ndahej në tri pjesë: në kompaninë “Albpetrol”, në kompaninë ARMO dhe në kompaninë “Serkom”. Ky ishte krimi më i madh që i është bërë shtetit shqiptar, sepse ndarja solli falimentimin, në fillim për atë të shërbimeve “Servkom”-in, për shkak të konkurrencës së egër dhe të padrejtë. Kemi shembullin e ARMO-s, tashmë të privatizuar, të ndarë nga “Albpetrol”, dhe ku shihet qartë gjendja e saj në prag falimenti. Pavarësisht gabimeve, sot qeveria do të shesë “Albpetrol”-in në gjendjen e tij më të keqe, me vlerën më të ulët dhe në kohën më të papërshtatshme.


 


Shteti po i shet 100% aksionet. A është e drejtë kjo?


Për mua si ekspert i naftës ndiej keqardhje për gjendjen ku është katandisur ky sektor, sikur më vjen keq edhe për kolegët e mi që po e shfrytëzojnë negativisht këtë pasuri. Shkëputja e ARMO-s nga “Albpetrol” u bë për arsye për t’i rritur vlerën kompanisë, por faktet treguan të kundërtën. ARMO aktualisht ndodhet në prag falimentimi.


Pse duhet që “Albpetrol”-it t’i jepen licenca të tjera për kërkime për nafte dhe gaz? A e dinë ekspertët se këto lloj licencash jepen me lloje të tjera kontratash, një formë e të cilave është kontrata me ndarje prodhimi, dhe tashmë është më e mira dhe më përdorshmja në Europë dhe në botë. Si mundet se me këto licenca qeveria mund të krijojë të ardhura për popullin, por po i jep falas, “gjoja për t’i rritur vlerën ‘Albpetrol’-it”.


Mendoj se forma më e mirë për thithjen e investimeve të huaja qofshin ato private apo shtetërore është ajo e dhënies me kontrata koncesionare, por jo më shumë se 20-25 vjet. Këto lloj kontratash janë shumë efektive sot në Europë dhe në botë, japin investime 3-5 vjet dhe po brenda 3-5 vjet rikthejnë investimin e kryer dhe pastaj vazhdojnë shfrytëzimin e vendburimeve në përputhje me kushtet e kontratës.


Në përgjithësi shteti këto lloj kompanish i mban publike nuk i privatizon totalisht, sepse janë ekonomi strategjike dhe ruajnë strukturën ekonomike të një vendi. Shembuj kemi plot. Në Poloni kompania “Grupa Lotos”, e cila ka në përbërje 17 filiale është një shoqëri aksionere ku shteti zotëron 50% të aksioneve. Kompania “Gazprom” është një shoqëri anonime ruse, ku shteti mban 51% të aksioneve. ENI, shoqëria Kombëtare e Naftës Italiane e themeluar në 1953 e ka filluar privatizimin në 1998 dhe shteti mban ende 30% të aksioneve. “Rompetrol”-i, kompania rumune e naftës është shoqëri publike shtetërore, ku qeveria ruan 25% të aksioneve.


Shembuj të tjerë ka sa të duash si kompania “Helenik Petroleum”, kompania greke kombëtare e naftës, themeluar në 1975 dhe ka filluar privatizimin në vitin 1998, ku shteti grek mban ende 35,5% të aksioneve dhe ku 39% të aksioneve të tjera i kontrollon “Latsis Group” një kompani greke, pra brenda territorit të tyre.


Kam shumë pikëpyetje rreth procesit se pse qeveria jonë po bën të kundërtën. I bëj thirrje opozitës që të kundërshtojë ligjin e privatizimit të naftës në Gjykatën Kushtetuese, të kërkojë pezullimin e privatizimit të naftës të paktën për këtë periudhë apo për 3-5 vitet e ardhshme deri në përmirësimin e ligjit.


 


Si paraqitet ecuria e kontratave koncesionare?


Sot ushtrojnë aktivitetin disa kompani për të cilat unë për  secilën kam rezervat e mia. Në korrik të vitit 2004 “Albpetrol”-i lidhi kontratë koncesionare me SAXON Ltd, e cila nga ana e saj kishte detyrimin që deri më 30 tetor 2005 të paraqiste Planin e Zhvillimit të Marrëveshjes Hidrokarbure, duke kaluar kështu periudhën e provës, si një nga termat e rëndësishme të marrëveshjes, por që në fakt përfundoi me nënshkrimin e një kontrate tjetër me një kompani që sot ushtron aktivitet në naftë, “Bankers Albanian Petroleum lid”. Për mua ka shumë pikëpyetje lidhur me respektimin e marrëveshjes me kanadezët.


Sa i takon kompanisë tjetër STREAM OIL, kjo për mua është një kompani fantazmë. Ajo ka marrë pothuaj të gjitha vendburimet e gëlqerores; Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Delvine. Është e pamundur që një kompani e tillë e padëgjuar dhe inekzistente të zhvillojë një vendburim si Delvina që ka miliarda metër kub gaz dhe disa milionë tonë naftë. Nuk e di kush qëndron pas kësaj kompanie, por nëse një shtet do të funksiononte normalisht, ajo duhet të ishte larguar sa më parë për mosrespektim të kontratës.


Shtete të rajonit dhe të Perëndimit i kanë ruajtur aksionet te ndërmarrjet e tyre publike të naftës


 


Apeli


I bëj thirrje opozitës që të kundërshtojë ligjin e privatizimit të naftës në Gjykatën Kushtetuese, të kërkojë pezullimin e procesit deri në përmirësimin e ligjit


 


 


Historiku


1875


Në vitin 1875, qeveria turke i dha të drejtën e kërkimit dhe shfrytëzimit të bitumit të Selenicës një kompanie franceze, e cila e shfrytëzoi deri në vitin 1918


 


1918


Po në vitin 1918, një kompani italiane mori të drejtën e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës në koncesionin e Shushicës. Kjo shënon rastin e parë të dhënies me koncesion


 


1926


Rreth fundit të vitit 1926 dhe fillimit të 1927 në vend filloi aktivitetin e saj shoqëria e sapokrijuar italiane AIPA, e specializuar për kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi


 


1945


Në janar të vitit 1945, qeveria shqiptare i konfiskoi impiantet e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës, të menaxhuar nga italianët (AGIP), me rezerva mbi 1 milion ton


 


1993


Privatizimi nisi me miratimin në Parlament të ligjit “Për Hidrokarburet”, më 1993-in, në kohën kur qeveriste PD-ja, e cila lejonte thithjen e investimeve të huaja


 


2012


Më 7 shtator, 2012, qeveria do të presë zyrtarisht ofertat e kompanive të huaja për shitjen e 100% të aksioneve të “Albpetrol”, për kërkimin dhe zhvillimin e naftës