Peng familjen
RENEA, tre orë negociata për dorëzimin e 49-vjeçarit në Shijak
Vali Qyrfyçi
Një kryefamiljar nuk ka pranuar “ta hajë turpin me bukë” dhe ka planifikuar të ekzekutojë bashkëshorten, djalin e tij dhe më pas veten, por fatmirësisht forcat speciale RENEA kanë arritur të shmangin vrasjen e trefishtë brenda familjes. Vetëm ndryshimi i rrethanave dhe disa orë negocime kanë çuar në dorëzimin e 49-vjeçarit, i cili nuk ishte dakord që i biri të ribashkohej me gruan e divorcuar, me të cilën kishte edhe një vajzë. Sipas tij, nuk mund të pranonte më në shtëpi të renë, të cilën, i biri e kishte ndarë pasi dyshonte për tradhti bashkëshortore.
Kryefamiljari Flamur Smoqi, 49 vjeç, që kërcënonte të vriste bashkëshorten dhe djalin e tij pas negociatave, është detyruar të ulë armën dhe të dorëzohet, ndërsa familjarët i kanë shpëtuar rrezikut që u kanosej nga njeriu i tyre. Me një armë automatike të tipit kallashnikov në dorë Flamur Smoqi i kishte zënë pusi në oborrin e shtëpisë gruas së vet dhe të birit. Kishte planifikuar gjithçka për t’i dhënë fund një situate familjare, me të cilën nuk pajtohej dot, ndërsa e shoqja dhe i biri kishin vendosur për të kundërtën. Por është rrethuar nga forcat e policisë të Shijakut, të cilat më pas janë përforcuar edhe nga forca të RENEA-s. Negociatori e ka bërë të arsyetojë, ndonëse ka qenë e vështirë dhe në fund shërbimet kanë mundur të shmangin krimin e paramenduar dhe kanë shoqëruar në ambientet e policisë kanosësin. Paraprakisht, nga veprimet hetimore dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë situata e rënduar familjare dhe marrëdhënia e prishur me nusen e djalit. Dy muaj më parë djali i Flamur Smoqit ishte ndarë nga e shoqja. Shkaku i deklaruar, një tradhti bashkëshortore. Çifti kishte dhe një fëmijë, një vajzë 3-vjeçare e ardhmja e së cilës duket se ka shkaktuar pendime në zemrën e babait dhe të gjyshes. Por jo të gjyshit, i cili në asnjë çast nuk ka pranuar që gjithçka të kthehet si më parë. Dhe kur komunikimi në familje nuk ka dhënë aspak rezultate, nuk janë marrë vesh, Flamuri ka menduar ta zgjidhë situatën me grykën e automatikut “për të mos u bërë gazi i botës”. Dy muaj pas ndarjes nga gruaja për tradhti bashkëshortore, djali i Flamurit ka vendosur ta marrë sërish gruan dhe të vazhdojnë jetën së bashku me vajzën e tyre trevjeçare. Për këtë ka gjetur edhe mbështetjen e nënës së tij, po jo të babait, i cili e ka quajtur këtë një çështje nderi, morali të nëpërkëmbur dhe nuk ka pranuar që nusja të futet sërish në shtëpinë e tyre. Konflikti është rënduar aq sa ditën e djeshme, Smoqi ka vendosur të vrasë gruan dhe djalin e më pas veten. Këtë e ka deklaruar në polici, ku është pyetur gjerë e gjatë për situatën që krijoi dhe motivet pse donte të vriste njerëzit e familjes. Ka pohuar gjithçka. E ndërsa ngjarja është mbyllur pa viktima, historia e familjes Smoqi, mosmarrëveshja mes tyre qëndron ende e hapur dhe në pritje të një zgjidhjeje brenda familjes, pavarësisht historisë që e kapërceu kufirin e fshatit që nga dita e djeshme.