Konkurrentë të rinj, garë e fortë, emocione të mëdha dhe zëra që presin të zbulohen. “The Voice of Albania 2” nis së shpejti në “Top Channel”. Elton Deda, Miriam Cani, Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri, katër trajnerët, do të vendosen para zgjedhjeve të vështira. Ledion Liço do të jetë sërish në prezantim, ndërsa autorët premtojnë surpriza të reja në format.
Sot, audicionet e fundit në Tiranë dhe Prishtinë
“The Voice of Albania” rikthehet së shpejti. Sërish në kërkim të zërit. Edicioni i dytë do të jetë plot surpriza e mbi të gjitha me konkurrentë që muzikën e kanë vërtet pasion. Ata që ende duan të bëhen pjesë e këtij formati të veçantë duhet të nxitojnë. Sot janë audicionet e fundit. Audicionet përmbyllëse zhvillohen në Tiranë, pranë ish–Ekspozitës prej orës 10.00 e njëkohësisht edhe në Prishtinë, në sallën e kuqe të pallatit “Rinia”. “Të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë ose që kanë qenë në audicion, por që mendojnë se nuk kanë dhënë maksimumin, ky është shansi i fundit. Sezoni i dytë i ‘The Voice of Albania’ do të vijë së shpejti në ‘Top Channel’”, thekson kryeredaktorja e programit, Melsi Qirici. Ndërkohë, të gjithë ata që ndodhen jashtë shtetit dhe e kanë të pamundur praninë fizike, mbetet i hapur aplikimi online. Interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Janë rreth 3 mijë konkurrentë që kanë aplikuar dhe numri vazhdon të rritet. Për autorin Rezart Aga, kjo është një shenjë e besimit në këtë format, ndaj edhe përgjegjësitë ndaj publikut bëhen më të mëdha. “Ka shumë interes nga personazhe që kanë marrë pjesë në talent show të tjerë në botë, të cilët duan të vijnë në ‘The Voice’ e po ashtu ka shumë shqiptarë që jetojnë në Itali, Suedi, Francë, Greqi, Gjermani, etj., që duan të krijojnë një karrierë këtu”, thekson Qirici. Po si do të vijë “The Voice” në këtë sezon të dytë? A do të ketë ndryshime? “Interesimi ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe tashmë dihet që është zëri ai që bën diferencimin nga formatet e tjera. Këtij besimi që na japin, ne do t’i shtojmë edhe pjesën tonë të investimit. Do të ketë një studio të re e mbi të gjitha, struktura e formatit do të ketë një dinamikë tjetër pas ‘Audicioneve të fshehura’, për ta bërë kështu këtë program edhe më tërheqës”, thekson autori i “The Voice of Albania”, Rezart Aga. Trajnerët do të jenë të njëjtë. Elton Deda, Miriam Cani, Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri vijnë me misionin për të gjetur zërin më të mirë. Këtë radhë, edhe me më shumë përgjegjësi. Do të kërkojnë të kenë në skuadrat e tyre zërat që mendojnë se mund t’i zhvillojnë e t’i bëjnë këngëtarë të vërtetë në skenë. Vjet ishte Alma Bektashi dhe Rina Bilurdaku që provuan shijen e fitores. Kush do të jetë këtë herë? Kurioziteti dhe pritshmëritë janë të mëdha. Ethet nisin që në fazën e parë të “Audicioneve të verbra”. Melsi Qirici, kryeredaktorja e programit, thekson se këtë vit ka një larmi zërash e stilesh, e kjo do ta bëjë garën edhe më të fortë. Në ndryshim nga sezoni i parë, konkurrentët i janë nënshtruar këtë herë “Summer training” me Kamelën dhe Landin, të dy të pranishëm në sezonin e shkuar si zëvendëstrajnerë. Ata kanë javë që punojnë dhe besojnë se përkushtimi i tyre do t’i ndihmojë konkurrentët të japin më të mirën. “Në krahasim nga viti i kaluar, nuk ka më zëra të mëdhenj dhe pa identitet e karakter. Ne kemi më shumë stile që do të thotë që e bëjnë akoma më interesante punën tonë e po ashtu edhe për publikun. Kemi pop, rrok, xhaz, bluz dhe jemi munduar të spastrojmë Mariah Carry, Celine Dion dhe Whitney Houston. Unë dhe Landi kemi qenë shumë të predispozuar dhe jemi munduar të japim maksimumin. Disa konkurrentë nuk kanë pasur shumë nevojë për punë, por vetëm për disa udhëzime, por ka pasur edhe të tjerë që u kemi qëndruar në kokë. Me disa jemi lidhur shumë emocionalisht dhe më vjen shumë keq që do të vijë faza e seleksionimit. Ka shumë zëra, shumë stile dhe sivjet jemi munduar që përzgjedhjen e këngëve ta bëjmë pak më të veçantë, duke u kujdesur që të mos përsërisim veten”, thotë Kamela Islami. Por jo të gjithë ata që i janë nënshtruar “Summer training” do të kalojnë në “Blind audition” (audicionet e fshehta). Ka një sërë provash që konkurrentët duhet të kalojnë para se të dalin në skenë përballë katër trajnerëve, tashmë figura të dashura për publikun. Prezantues do të jetë sërish Ledion Liço, i cili edhe këtë vit do të ndajë me publikun emocionet e konkurrentëve, ritmin e garës dhe fuqinë e zërave shqiptarë. Finalistët, por jo vetëm, vijojnë të punojnë fort për karrierën e tyre muzikore. Rina Bilurdaku, fituesja e “The Voice of Albania 1” duket se do t’i përkushtohet më së shumti pianos, Marsela Çibukaj vijon të jetë e pranishme në koncerte “live”, Lundrim Paçuku është tashmë një emër i muzikës në Maqedoni, Ylli Limani, Vjosa Selmani, Drilon Shala kanë tashmë edhe nga një këngë të re. Mbi të gjitha ata duartrokiten nga publiku, i cili i ndjek në pasionin e tyre të muzikës. Jeni gati për të tjerë zëra? Së shpejti në “Top Channel”.