Arian Leka prezantohet tashmë edhe te lexuesi austriak përmes një libri dygjuhësh, shqip dhe gjermanisht, nën titullin “Ein Buch Ein Meer”(Një libër, një det). Përkthimi nga origjinali është kryer nga Lindita Arapi dhe Loreta Schilock. Vëllimi poetik është botuar nga “Edition Thanhäuser”, si pjesë e kolanës RanitzDruck, një seri botimesh që ka nisur në vitin 1995 dhe drejtohet nga Ludwig Hartinger, i cili është njëkohësisht edhe lektor i librit të Lekës. Botimi përmban poezi dhe proza poetike kushtuar detit, përzgjedhur nga librat “Anija e zgjimit” (2000), “Strabizëm” 2004 dhe “Libër deti”, 2010. Kemi të bëjmë me një libër tematik: monotematik, ndërtuar vetëm me poezi për detin “Adria” dhe “Mare Nostrum”. Kjo materie letrare është vështruar në disa fushëpamje: deti si peizazh, deti historik në kujtesën e shqiptarëve, deti metaforik, deti si pjesë e kulturës së brigjeve, deti si pengesë dhe deti si mundësi. Janë fragmente të 12 muajve kushtuar detit, njerëzve që i qëndruan përballë dhe atyre që i kthyen shpinën. “Evokimi i kujtimeve, i përvojës jetësore të folësit lirik, me këtë rast, sistemuar si projekt poetik, realizohet në ecje, si proces kohor të cilit i paraprin seleksionimi i pandërprerë i lëndës. Kemi një diskurs poetik që lëviz mes emocionit dhe refleksivitetit, mes nostalgjisë dhe luciditetit, mes ekzaltimit dhe zhgënjimit, gjithnjë në provokim të ndërsjellë, folës-det. Brenda hapësirës së kësaj lëvizjeje, Arian Leka shfaq, përkatësisht dëshmon ndjeshmëri ndaj mundësisë së fjalës për të prodhuar reflekse kuptimore dhe emocionale të pashtershme. Në këtë libër është deti, si kuptim i ekzistencës njerëzore”, e përkufizon akademiku Ali Aliu. Libri “Një libër, një det” nuk rrëfen, ai krijon gjendje, përfytyrime dhe ndjesi mbi detin e poetit, në vështrimin onirik dhe detin e shqiptarëve, në kuptimin e marrëdhënies së njerëzve të brigjeve me detin. Botimi shoqërohet me një cikël grafikash të teknikës mbi dru të gdhendur, realizuar nga artisti Christian Thanhäuser, të cilat ilustrojnë librin nga ana tematike, por edhe ndajnë llojet e cikleve për detin (detin historik nga deti metafizik).
Libri mban si prolog një epigram të Erion Kristos, shkëputur nga libri i tij “Mozaik kulturor”: “Poezia e Arian Lekës ka një cilësi të veçantë, ai është poet i detit dhe i fluturimeve pindarike”. Siç thotë shkrimtari, ideja për këtë botim ka lindur që në vitin 2010, gjatë një burse për shkrimtarë dhënë autorit në Austri.