Kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish thirrje opozitës të vendosë një datë brenda shtatorit për votimin e heqjes së imunitetit. Sipas shefit të qeverisë, kjo do të ishte një mesazh i qartë bashkëpunimi në prag të marrjes së përgjigjes nga KE për statusin e vendit kandidat. Kërkesa e kreut të mazhorancës u artikulua gjatë mbledhje së radhës së grupit kuvendor të Partisë Demokratike.


“Kanë kërkuar seanca hiri për propozimet e tyre, nuk kam asnjë kundërshtim. Le të bëhen dëgjimet. Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë dhe synimet tona janë të qarta por meqënëse shtatori është një afat kritik për vlerësimin e arritjeve ë Shqipërisë, unë do tu lutesha me njerëzi që të bëjnë gjithçka për të afruar në përputhje me rregullat datën e votimit në parlament të heqjes së imunitetit. Natyrisht dhe përgjigjen e propozuar nga PS për të cilat ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe besoj që jemi në qëndrim parimor të drejtë. Në rast se do mundej që kjo procedurë të kompletohej brenda afatit kohor për të cilën po bëhet fjalë, ky do të ishte lajmi më i mirë që ne të mund tu ofrojmë partnerëve tanë kudo në Europë dhe botë”, u shpreh Berisha përpara deputetëve demokratë.


Kreu i mazhorancës është shprehur i vendosur për heqjen e imunitetit të zyrtarëve, ndërkohë që ka pranuar se opsioni i fundit mbetet imuniteti. “Të paktën për datat të mos mbetet pa u votuar imuniteti në muajin shtator. Në rast se votohet është një arritje e madhe e Shqipërisë, e shoqërisë e Kushtetutës së Shqipërisë. Opsioni ynë tjetër mbetet plotësisht i mundshëm dhe nuk tërhiqemi në përpjekjen tonë”, tha kryeministri ndër të tjera.


Sakaq ai është shprehur se Partia Demokratike po bëhet gati për betejën elektorale të 2013. Ai tha se PD vjen me energji të ripërtëritura për atë që e konsideroi fushatën  më intensive dhe më e gjerë të zhvilluara deri sot. Mandatin aktual ai e quajti mandati i transformimit. “Energjitë e ripërtërira të kësaj here do të jenë energji të fuqishme të fushatës së ardhshme elektoral. Ne do zhvillojmë më të bukurën, më intensiven, më të gjerën e të gjitha fushatave që kemi zhvilluar deri më sot. Në të gjitha zonat tuaja elektorale, kudo që shkoni gjeni projekte të realizuara apo në realizim e sipër, të këtij mandati që është mandati i transformimit. Kjo ishte hyrja për të treguar parapërgatitjet për betejën e ardhshme elektorale”, tha Berisha.


10 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)