2-6 qershor – Tenderi i parë ishte planifikuar të zhvillohej në datat 4-6 qershor, por u anulua nga ministria, për shkak se ofertat e paraqitura nuk ishin në përputhje me vlerën e kërkuar nga qeveria
7-9 korrik – Tenderi i dytë, i planifikuar më 7-9 korrik, por sërish u shty. Motivacioni ishte koha e pamjaftueshme nga ana e kompanive për të vlerësuar bilancet e HEC-eve. Në garë ishin futur edhe kompani shqiptare
10-13 shtator – Datat e caktuara u lanë 10-13 shtator, pra sot dhe të enjten, do të zhvillohet tenderi për privatizimin e HEC-eve, ku pritet garë e fortë mes kompanive austriake, franceze dhe shqiptare
Ecuria
ARD KOLA
Plani i qeverisë shqiptare për të shitur gjithçka që është pronë e saj, deri në masën 95 për qind të asaj çfarë zotëron, ka përfshirë edhe veprat energjetike. Prej më shumë se një viti, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka punuar për përgatitjen e tenderit për privatizimin e katër objekteve energjetike, deri dje pronë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe pjesë e bilancit shtetëror të energjisë. Bëhet fjalë për shitjen e hidrocentraleve Ulëz, Shkopet (në Veri) dhe të Bistrica 1 dhe 2 (në Jug) me fuqi të instaluar prodhimi prej 80 megavatesh.
Tenderi i parë ishte planifikuar të zhvillohet në datat 4-6 qershor, por u anulua nga ministria, për shkak se ofertat e paraqitura nuk ishin në përputhje me vlerën e kërkuar nga qeveria. Tenderi i dytë ishte planifikuar në datat 7 dhe 9 korrik, por sërish u shty. Motivacioni ishte koha e pamjaftueshme nga ana e kompanive për të vlerësuar bilancet e katër HEC-eve. Në garë ishin futur të tjera shoqëri, kryesisht shqiptare dhe me rritjen e interesit, qeveria u detyrua ta shtynte sërish afatin.
Datat e caktuara u lanë 10 dhe 13 shtator, pra sot (e hënë) dhe të enjten, do të zhvillohet tenderi për privatizimin e HEC-eve, nga ku mendohet një garë e fortë mes kompanive austriake, franceze dhe shqiptare.
Ndoshta për herë të parë kemi në garë kompani shqiptare që marrin pjesë në shitjen e objekteve strategjike në vend. Sikurse shikohet nga emrat e tyre, kompanitë janë të njohura në fushën e ndërtimit.
Qeveria shpreson të vjelë sa më shumë nga privatizimi i radhës. Procesi do të ndahet në dy pjesë, ku sot dalin në shitje HEC-et Bistrica 1 dhe 2, ndërsa më 13 shtator dy HEC-et e tjera, Ulëza dhe Shkopeti. Duhet thënë se dy objektet e Bistrica 1 dhe 2 janë në gjendje shumë të mirë dhe ku pak kohë më parë përfundoi investimi gjerman me vlerë 30 milionë euro, duke instaluar pajisje të fjalës së fundit.
Katër hidrocentralet që qeveria dëshiron t’i privatizojë për 100-150 milionë euro, mund të kushtojnë dy herë më shumë në rast se do të ndërtohen tani dhe kanë një jetëgjatësi prej së paku 250-300 vjet, bëjnë të ditur ekspertë të energjisë për “Shqip”, duke kundërshtuar shitjen e një “pasurie kombëtare të pazëvendësueshme”, siç e konsiderojnë ata.
Të katër hidrocentralet prodhojnë mesatarisht 546 mijë MW/h, e cila, duke marrë parasysh çmimin aktual të energjisë në treg të hapur prej 50 eurosh për MW/h, nënkupton se kanë potencial për xhiro vjetore prej 22.8 milionë eurosh.
Për realizimin e objektivit, qeveria lidhi kontratë me IFC, e cila do të shërbente si konsulente për një shitje me çmim sa më të mirë të mundshëm. Zyrtarisht në garë janë disa kompani, austriake dhe franceze, të cilat në garën e parë të muajit qershor nuk ofruan atë çmim të dëshiruar nga qeveria, ndërsa në tender mungonte konkurrenca.
Kompania austriake “Verbund” është e interesuar seriozisht për blerjen e tyre, fakt ky i pranuar nga vetë drejtuesit e saj pak kohë më parë për agjencinë e lajmeve “Bloomberg”. Sakaq, ekspertët në gazetën ekonomike austriake “WirtschaftsBlatt”, kanë pohuar se shuma që do të ofrohet do të jetë 1 milion euro për megavat. Sipas kësaj logjike, çmimi i ofruar do të jetë 80 milionë euro, por për qeverinë shqiptare kjo shumë nuk mjafton, aq sa e detyron të rishikojë afatet për zhvillimin e tenderit deri kur të jetë e sigurt që vlera e ofruar të jetë të paktën 150 milionë euro.
Për Bistrica I dhe II, qeveria shpenzoi 30 milionë euro (kredi e Bankës gjermane KfW) për forcim kapacitetesh
Kompanitë e interesuara
“Kurum Group” – Turqi
“Andritz Hydro” – Austri
“Verbund AG” – Austri
EVN – Austri
CNR – Francë
“Limak Energy” – Turqi
“Tozzi Sud Spa” – Itali
“Agna Group” – Shqipëri
“Gener-2” – Shqipëri
“Cara-El” – Shqipëri
“Erioni” sh.p.k – Shqipëri
HEC-et
Të katërta HEC-et ndodhen në gjendje të mirë, sidomos ato të Jugut, Bistrica I dhe Bistrica II, për të cilat qeveria shqiptare shpenzoi 30 milionë euro (kredi e Bankës gjermane KfW) për të forcuar kapacitetet. Këto objekte garantojnë një fitim të sigurt, pasi energjinë e prodhuar ka të drejtë t’ua blejë KESH-i, me një çmim të caktuar nga ERE për afro 9 lekë/kilovati. Të katër hidrocentralet prodhojnë mesatarisht 546 mijë MW/h, e cila, duke marrë parasysh çmimin aktual të energjisë në treg të hapur prej 50 eurosh për MW/h, nënkupton se kanë potencial për xhiro vjetore prej 22.8 milionë eurosh.
Ulëza - Është ndërtuar mbi lumin Mat. Impianti ka katër turbina dhe kapaciteti i instaluar është 25 MW, me një prodhim mesatar vjetor 120 GWh. Vlera tregtare e prodhimit vjetor është 6 milionë euro
Shkopeti - HEC-i është ndërtuar në vitin 1963. Impianti ka dy turbina dhe kapaciteti i instaluar është 24 MW, me një prodhim mesatar vjetor prej 90 GWh. Vlera tregtare e prodhimit është 4,5 milionë euro
Bistrica I - Është ndërtuar mbi lumin Bistricë në 1960-1963. Impianti ka tri turbina dhe kapaciteti i instaluar është 7.5 MW secila, me një prodhim 165 GWh. Vlera tregtare e prodhimit, 8,3 milionë euro
Bistrica II - Impianti ka një turbinë dhe kapaciteti i instaluar është 5 MW, me një prodhim mesatar vjetor prej 35 GWh. Impianti është i lidhur me rrjetin 110 Kv. Vlera tregtare e prodhimit, 1,7 milionë euro.
Procesi
Të paktën 300 milionë euro pritet të derdhen në arkën e shtetit
Shanse për buxhetin dhe zgjedhjet 2013-n
Sido të shkojnë procedurat, shpallja e fituesit, etj., në arkën e shtetit nga shitja e 4 HEC-eve dhe “Albpetrol”-it do të arkëtohen të paktën 300 milionë euro. Ky është një shans i mirë për qeverinë shqiptare, e cila po përgatitjet për zgjedhjet e mëdha parlamentare në qershor të 2013-s, por edhe për buxhetin e shtetit, i cili ka hyrë në krizë prej tre vitesh.
Faktet tregojnë se në kohë fushatash ose në prag zgjedhjes, qeveria ka realizuar shitje me peshë, duke arkëtuar qindra milionë euro.
Në vitin 2009, qeveria shqiptare “bëri” bingo, duke shitur ARMO-n dhe OSSH-në, për afro 230 milionë euro. Procesi kishte nisur në vitin 2008, por paratë u derdhën në buxhet një vit më pas, kur Kryeministri Berisha zhvilloi fushatën elektorale më të madhe në vend, duke siguruar më tej mandatin e dytë qeverisës. Këto para shkuan kryesisht për “Rrugën e Kombit”, Durrës-Kukës.
Sikurse duket nga grafiku, proceset e privatizimeve janë përdorur si mekanizëm për të garantuar para, të cilat shkojnë për fushata rrugësh dhe projekte të ndryshme. Kështu duket edhe në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005, me 15 miliardë lekë të ardhura nga privatizimet dhe në fushatën e 2007-s për zgjedhjet lokale, ku u siguruan 14 miliardë lekë.
Ky vit konsiderohet i rëndësishëm, për shkak se përkon me kohën e krizës që po përjeton vendi. Qeveria u ka borxh të paktën 100 milionë euro kompanive private, ndërsa administrata nuk po shërben si duhet, për shkak të mungesës së stimulit shkaktuar nga kursimet e tepërta.
“Albpetroli” është kryefjala e privatizimeve të këtij viti, proces ky i nisur dy vjet më parë, por që pritet të finalizohet brenda dy javëve të ardhshme. Kompania shqiptare e naftës shikohet nga qeveria si mjeti më i fortë për të siguruar faturën e fushatës elektorale, nga ku pritet të sigurohen shumë para.
A.K