Fier, rikthehen “tërmetet” në Zharrëz

Banorët ngrenë barrikada me gurë në rrugën nacionale, në shenjë proteste, policia shoqëron 12 prej tyre

Edmond Hoxhaj

Rikthehen “tërmetet” në fshatrat e Komunës Zharrëz të Rrethit të Fierit. Lëkundje të forta sizmike kanë tronditur dje tabanin e tokës në gjithë fshatrat e Komunës së Zharrëzës, qytetit të Patosit, Roskovecit, Fierit dhe zonave përreth tyre. Ndërkaq, banorët kanë dalë në panik nga banesat, me qëllim që të mos rrezikonin jetët dhe më pas i janë drejtuar rrugës nacionale që kalon përmes fshatit Zharrëz, duke ngritur aty barrikada me gurë.

 

Lëkundjet

Kanë qenë rreth pesë apo gjashtë lëkundje të forta rreth orës 11:45 të ditës së djeshme, të cilat kanë terrorizuar me mijëra banorë në banesat e tyre. Banorët e Zharrëzës, me një ndërgjegjësim tashmë kolektiv ndaj “tërmeteve” të shpeshta që ndodhin në tokën e tyre, kanë dalë jashtë banesave për t’i shpëtuar aksidenteve të mundshme. Më pas, rreth 200 banorë janë mbledhur në aksin rrugor Fier-Berat, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në shenjë proteste kundër kompanisë naftënxjerrëse kanadeze “Bankers”, të cilën e akuzojnë si përgjegjëse të lëkundjeve. Sipas banorëve të zonës, lëkundjet janë shkaktuar nga operacionet që kryhen prej “Bankers” në zonën naftëmbajtëse. Disa prej tyre kanë treguar për gazetën se kanë qenë duke kaluar mesditën brenda banesave, kur është ndjerë shpërthimi dhe më pas lëkundje të forta të tokës. Një banore e këtij fshati, pohoi se është plagosur teksa ka qenë në gjumë, prej suvasë së rënë në fytyrën e saj.

 

Protesta 1

Në panik dhe të irrituar, ata kanë dalë nga banesat dhe pasi janë bashkuar në qendër të fshatit, kanë ndërtuar një barrikadë me gurë në rrugën automobilistike kombëtare, duke ndaluar qarkullimin e automjeteve. Banorët kanë pohuar se “fillimisht është dëgjuar një shpërthim dhe më pas ka pasur lëkundje të forta të tokës”. Situata ka qenë tepër e tensionuar. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë. Por edhe pse policia ka kërkuar që të lihet i lirë qarkullimi i automjeteve, protestuesit nuk kanë pranuar. Ata kanë këmbëngulur se për të disatën herë iu janë dëmtuar rëndë banesat prej lëkundjeve të tokës, që sipas protestuesve, shkaktohen nga kompania kanadeze. Protestuesit kanë qenë mjaft të irrituar, duke mos lejuar përfaqësues të mediave të filmojnë apo fotografojnë, duke pohuar se pamjet e ofruara nëpër ekrane për këto protesta janë marrë si prova nga policia për të proceduar penalisht banorët e zonës, që sipas tyre, kërkojnë vetëm të drejtat themelore, të jetojnë të lirë dhe të qetë në banesat e tyre. Disa prej protestuesve janë konfrontuar me policinë, duke pohuar me zë të lartë se ndihen të shqetësuar dhe të frikësuar për jetesën e tyre e të fëmijëve në këtë zonë.

 

Protesta 2

E njëjta situatë ka qenë edhe në kthesën e fshatit Sheqishtë, në Komunën Zharrëz. Dhjetëra banorë kanë bllokuar kryqëzimin e rrugëve që të çojnë për në Marinëz e Sheqishtë, duke krijuar kaos në qarkullimin e mjeteve. Edhe këtu është nevojitur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Në ndihmë të forcave të rendit në vendngjarjet e të dyja protestave kanë mbërritur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ato kanë qëndruar në gatishmëri për çdo situatë të papritur, ndërsa forcat e rendit kanë negociuar me protestuesit që të lirojnë akset rrugore dhe iu kanë kërkuar prova për pretendimet e tyre lidhur me shpërthimet. Pas rreth një ore protestuesit janë shpërndarë, ndërsa policia ka shoqëruar rreth 12 persona si të dyshuar për konsumim të veprës penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme.

 

Ankesat

Banorët janë shprehur se kompania kanadeze “Bankers Petroleum” nuk ka respektuar premtimet e bëra në nisje të aktivitetit të saj. Ata ankohen se kompania është përqendruar në shfrytëzimin pa kriter të puseve të naftës dhe nuk shqetësohet për pasojat që po shkakton në jetesën e këtij komuniteti mijëra banorësh. Kompania kanadeze administron të gjithë zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz të Rrethit të Fierit. Ashtu si edhe herët e mëparshme, ende nuk ka asnjë deklaratë nga kompania në lidhje me akuzat e banorëve. Edhe Institutit Sizmologjik në kryeqytet, deri tanimë nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për natyrën e këtyre lëkundjeje që janë ndjerë të fuqishme në Zharrëz, Roskovec, Patos, Fier e në fshatrat e tjera përreth.

 

Box

“Tërmetet”

Në ujin që injektohet në puse hidhet një solucion, që shkrifton shtresat ranore, duke i kthyer ato në rërë. Nafta nxirret më lehtë, por merr edhe rërën. Për shkak të eliminimit të shtresës ranore, shtresa sipër saj ngjishet poshtë e për pasojë, shkaktohen lëkundjet

 

 

Reagimi

“Protestojnë” deputeti i PS-së dhe kryekomunari i Zharrëzës

Lidhur me lëkundjet e djeshme ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi. Ai ka pohuar se është në krah të banorëve dhe se sipas tij, kjo tregon shfrytëzimin barbar që po i bëhet nëntokës shqiptare nga kompani të cilat kanë si prioritet vetëm fitimin dhe jo mbrojtjen e jetës së qytetarëve e mjedisit. Ai shtoi se me ardhjen në pushtet të PS-së do të ketë rishikim të kontratave të dyshimta, të cilat do të anulohen nëse janë në kundërshtim me legjislacionin shqiptar. Pas qetësimit të situatës ka reaguar edhe kryetari i Komunës Zharrëz, Taulant Grëmi. Ai ka kërkuar një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës. “Situata është tepër e agravuar në fshat”, tha Grëmi, ndërsa shtoi se nuk ka informacione zyrtare lidhur me atë që shkakton lëkundjet e tokës.

 

Autor te 10 Shtator 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry