Eurozona filloi një javë shumë të rrezikshme të mbushur me mina që mund ta hedhin në erë, si dhe me shpresën e investitorëve se masat e fundit të Bankës Qendrore Europiane e kanë parandaluar skenarin më të keq, atë të shpërbërjes.
Gjykatësit gjermanë, votuesit holandezë, inspektorët e FMN-së dhe burokratët e Brukselit kanë në dorë vendime të rëndësishme këtë javë, të cilat mund të kthehen në surpriza pozitive apo negative. Kriza e borxheve publike në Eurozonë tashmë është në vitin e tretë dhe po rëndon në ekonominë e të gjithë planetit.
E mërkura pritet të jetë disa më e rëndësishme. Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë do të japë vendimin e saj për pyetjen nëse fondi i përhershëm i shpëtimit të krijuar nga Eurozona, është i ligjshëm për Gjermaninë apo jo. Në të njëjtën ditë, Komisioni Europian do të shpallë planet për krijimin e bashkimit bankar të Eurozonës ndërsa Holanda do të mbajë zgjedhje të përgjithshme ku një forcë antieuropiane mund të marrë më shumë vota. Java mbyllet me një takim të ministrave të Financave të Eurozonës në Qipro, ku do të duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet mbi planin për mbikëqyrjen e përbashkët bankare, si dhe do të flitet për mundësinë e një pakete të re ndihme për Spanjën, ekonomia e katërt më e madhe në Union. Në diskutim do të jetë edhe ecuria e reformave të Greqisë.
Vendimet përfundimtare për Spanjën dhe Greqinë do të merren në tetorin e ardhshëm, por bisedimet mund të tregojnë nëse Madridi do të aplikojë për ndihmë nga BE-ja, duke pranuar kushte të rënda mbikëqyrjeje dhe nëse inspektorët e BE-së dhe FMN-së do të rekomandojnë dhënien e këstit të radhës të ndihmës për Athinën apo ky vend do të shkojë drejt falimentit.
Europa ka mbajtur frymën për dy muaj në pritje të vendimit të gjykatës së Gjermanisë. “Reuters” pyeti 20 ekspertë ligjorë dhe që të gjithë thanë se prisnin se gjykatësit do të lejojnë ekzistencën e Mekanizmit të Stabilitetit Europian (EMS) dhe paktit për disiplinë fiskale, por shumica presin që ata të vendosin kushte të ashpra për rastet e ardhshme të shpëtimit të vendeve nga falimenti.
Një masë e tillë mund t’i lidhë duart kancelares Angela Merkel në rast se kësaj të fundit do t’i duhet të miratojë një shpëtim të ri. Investitorët mund të reagojnë keq ndaj një vendimi të tillë pasi ndihma për vendet e Jugut në vështirësi mund të bëhet një procedurë më e vështirë.
Por një vendim kundër EMS-së, pasojat do të jenë drejtpërsëdrejti shkatërrimtare dhe Eurozona do të zhytej më tej në telashe. Një nga masat kufizuese të pritshme është që Gjykata të kërkojë që Parlamenti i Gjermanisë të ketë të drejtën e vetos në rast se diskutohet shpëtimi i një vendi tjetër ose të vendosë limite për masën në të cilën Gjermania do të kontribuojë në raste të tilla.
Pak më në veri, zgjedhjet në Holandë rrezikojnë ta fusin vendin në kushtet e mosqeverisjes dhe paralizës ndërsa shanset janë që ekstremet e majta dhe të djathta të dalin grupime politike të fuqishme. Në të dyja krahët ka me bollëk eurospektikë që mund ta bëjnë të vështirë punën për shpëtimin e euros. Por sondazhet e fundit tregojnë se liberalët e qendrës së djathtë dhe Partia e Punës në qendrën e majtë janë në avantazh dhe se një koalicion proeuropian është i mundshëm.
Beteja për bankat
Një betejë e ashpër sakaq ka filluar në lidhje me propozimet për një mbikëqyrës të përbashkët të bankave të Eurozonës, plan që pritet të prezantohet nga presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Gjermania, e cila duket e vendosur të ruajë kontrollin mbi bankën rajonale “Landesbanken” dhe bankat e tjera të kursimit sepse janë politikisht sensitive, këmbëngul që BQE të ketë autoritet mbikëqyrës vetëm për 25 bankat e rëndësishme sistemike dhe me aktivitet ndërkufitar ndërsa të tjerat duhet të mbeten nën mbikëqyrje kombëtare.
Gjermania thotë se BQE nuk ka shanse të mbikëqyrë në mënyrë realiste mbi 6 mijë bankat që gjenden në Eurozonë, ndërkohë që problemi qëndron te 200 bankat kryesore që kanë mbi 95 për qind të aseteve të sistemit. Por fakti është që kriza ka filluar nga banka të vogla si “Northern Rock” e Britanisë dhe “Bankia” e Francës, duke vënë në dukje se edhe të voglat përbëjnë rrezik në kushtet e integrimit të thellë financiar.