Çelet shkolla 


Dita e parë e shkollës, sot nisin mësimin për herë të parë 35 mijë nxënës


Lorina Mixha


Sot çelet viti i ri shkollor dhe për herë të parë në banka do të ulen rreth 35 mijë nxënës në të gjithë vendin.


Trafiku bllokohet që në orët e para të mëngjesit, prindërit kanë marrë leje se do të paraqiten me pak vonesë në punë, ndërkohë që për mijëra nxënës është dita me më shumë emocione, gëzim dhe angazhim.


Janë 579 mijë nxënës të sistemit parauniversitar dhe fëmijë kopshtesh që do të nisin të hënën vitin e ri shkollor 2012 – 2013. Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, 36 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës për të nisur rrugën e gjatë të dijes dhe 75 mijë fëmijë u drejtohen kopshteve.


Këtë vit, një pjesë e mirë e shkollave të Tiranës kanë mbaruar meremetimet dhe restaurimet. Të tjera presin mbylljen e proceseve tenderuese për t’u ringritur nga e para apo për t’u pajisur me infrastrukturë të nevojshme.


Risia e këtij viti shkollor do të jenë ndryshimet e kurrikulave apo programeve të sistemit bazë 9-vjeçar. Ndryshimi është konfirmuar dje nga ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj në fjalën e tij përshëndetëse për të gjithë nxënësit në mbarë vendin.


Ndryshimet


Këtë vit do të nisë diskutimi i madh për ndryshimet në kurrikulat e arsimit 9-vjeçar. Debati, sugjerimet dhe ndryshimet do të diskutohen mbi bazë të gjerë ndërkohë që në thelb të ndryshimeve do të jetë gjuha shqipe.


Sivjet e fillojmë këtë vit shkollor të përfshirë në entuziazmin e festimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.


Në këtë vit shkollor reforma në përmbajtje e programeve, planeve mësimore dhe gjithë kurrikulës së arsimit 9-vjeçar do të jetë një diskutim i madh që do të shtrihet në çdo shkollë e ku do të marrin pjesë gjerësisht mësues, nxënës e prindër. Në thelb të kurrikulës së arsimit bazë qëndrojnë kompetencat themelore të të nxënit, ndër të cilat zotërimi në nivel të lartë i gjuhës shqipe është kryesorja. E gjithë paketa e re kurrikulare do të fillojë të zbatohet në vitin shkollor 2013-‘14.


“Shkolla jonë fillon vitin e ri shkollor me një ligj të ri për sistemin arsimor parauniversitar. Ky ligj tepër bashkëkohor dhe modern ka në qendër dhe vihet në funksion të realizimit të interesave të nxënësve, të kompetencave, shprehive dhe aftësive të tyre, të cilat do t’i shërbejnë formimit të tyre si qytetarë të një shoqërie të lirë dhe demokratike, si dhe rritjes së shanseve për punësim, karrierë dhe, në tërësi, për një jetë më të mirë”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqyerem Tafaj.


Mesazhi i kreut të arsimit fton nxënës, mësues e prindër të përpiqen për t’i orientuar nxënësit drejt dijes dhe bashkëpunimit.


Mesazhi


Dita e parë e shkollës është një festë e bukur që ndjehet në çdo qytet dhe fshat të vendit, sepse çdo familje e ka një lidhje të fortë me shkollën. Ndaj, në këtë ditë të veçantë, mbushur me gëzim dhe urime për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve që ulen në bankat e shkollës, gjej rastin të uroj të gjithë fëmijët e kopshteve, nxënësit dhe mësuesit:


Suksese në vitin e ri shkollor!


Urimi i parë, si gjithnjë, shkon për ju vogëlushë, ju nxënës që uleni për herë të parë në bankat e shkollës, për ju që përcilleni nga dora e nënës dhe shtrëngoni dorën e mësueses apo mësuesit për të nisur rrugën e gjatë, por të bukur të dijes. Ju keni sot në duar abetaren mbarëkombëtare.


Një urim për të gjithë ju, nxënësit e klasave e tjera, që në këtë ditë e ndjeni veten më të rritur e më të ditur dhe që jeni fort të motivuar për t’u bërë edhe më të aftë për t’i shërbyer vetes, së ardhmes dhe familjes suaj.


Në këtë fillimviti shkollor kam kënaqësinë të shpreh një urim për ju mësuese dhe mësues, që meritoni mirënjohje dhe nderim, që punoni me përkushtim për të ndriçuar mendjet e fëmijëve.


Profesioni i mësuesit më shumë se sa i tillë është një mision i madh, misioni i edukatorit që përgatit brezat e rinj, të denjë si shqiptarë dhe qytetarë europianë.


 


Tafaj:


Nuk ka nxënës pa një prirje, pa një dhunti, gjithkujt i jepet më shumë në një fushë të dijes e të jetës. Në çdo klasë dhe shkollë do të punohet me përkushtim për të zbuluar, nxitur dhe ushqyer vazhdimisht e me dashuri këto prirje që do të përcaktojnë më vonë rrugët e jetës së fëmijëve tanë


Statistikat – Numërohen gjithsej 358 mijë nxënës që ndjekin shkollat 9-vjecare dhe 146 mijë nxënës arsimin e mesëm. Aktualisht numërohen 21 mijë nxënës që ndjekin shkollat profesionale në vend.


Nxënësit – Janë 579 mijë nxënës të sistemit parauniversitar dhe fëmijë kopshtesh, që do të nisin sot vitin e ri shkollor


Fëmijët – Janë 36 mijë nxënës që ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe 75 mijë fëmijë u drejtohen kopshteve