Të dhëna


Për kazinotë dhe kazinotë elektronike, niveli i taksës deri në datën 31.03.2013:



  • Për subjektet e zonës A, niveli i taksës është 1.000 lekë/m2;

  • Për subjektet e zonës B, niveli i taksës është 700 lekë/m2;

  • Për subjektet e zonës C, niveli i taksës është 500 lekë/m2;


 


Të dhëna


Për kazinotë dhe kazinotë elektronike, niveli i taksës pas datës 31.03.2013:



  • Për subjektet e zonës A, niveli i taksës është 10.000 lekë/m2;

  • Për subjektet e zonës B, niveli i taksës është 7.000 lekë/m2;

  • Për subjektet e zonës C, niveli i taksës është 5.000 lekë/m2;


Për lojërat e tjera të fatit, si: Baste sportive, Baste për gara në pistë, Lotari kombëtare, Bingo tradicionale dhe Bingo televizive, niveli i taksës është 5000 lekë/muaj;


Parlamenti vendor nuk dihet se kur do të mblidhet


Lorina Mixha


Mbledhja e anuluar e Këshillit Bashkiak të enjten e javës së kaluar, nuk dihet se kur do të zhvillohet.


Përgjegjësit e organizimit të mbledhjeve të parlamentit vendor nuk kanë dhënë asnjë datë fikse për organizimin e Këshillit Bashkiak. Madje nuk dihet me saktësi as nëse takimi do të zhvillohet në fund të këtij muaji apo muajin e ardhshëm.


Opozitarët, por edhe një pjesë e lobit të bizneseve të lidhura me lojërat e fatit raportuan ditën e anulimit të mbledhjes se arsyeja e pezullimit të parlamentit vendor ishte për shtyrjen e miratimit të taksës dhe ndryshimeve fiskale në Tiranë, për të gjitha subjektet e lojërave të fatit. Projektvendimi i paraqitur nga Bashkia qëndron pezull dhe nuk dihet se kur do të shtrohet për diskutim, kur do të miratohet me shumë votash e kur do të hyjë në fuqi.


Bashkia e Tiranës ka mohuar një arsyetim të tillë dhe ka bërë publik vendimin dhe relacionin lidhur me taksën e përkohshme që do t’i duhet të paguajnë subjektet e lojërave të fatit, duke argumentuar se nuk do të ketë kthim mbrapsht të tij apo ndryshime të cilat favorizojnë njërin apo tjetrin subjekt.


As Këshilli Bashkiak e as Bashkia e Tiranës nuk kanë njoftuar datën se kur do të zhvillohet mbledhja e Këshillit.


Pas njoftimit të disa prej anëtarëve, lidhur me mungesën e tyre për arsye subjektive, mësuam se edhe krerët drejtues të kësaj strukture ishin të sëmurë. Kryetari i Këshillit Njazi Kosovrasti dhe Zamir Ndroqi, zëvendës i tij, munguan në mbledhje për arsye shëndetësore. Por në fakt, opozitarët si dhe lobi i bizneseve të lojërave të fatit kanë sqaruar se kjo është thjesht një metodë për të shtyrë mbledhjen dhe për të reflektuar lidhur me vendimin e lojërave të fatit, taksës që kërkon Bashkia të vendosë.


Projektvendimi


Taksa e përkohshme e lojërave të fatit aplikohet për çdo sallë ku zhvillon veprimtarinë organizatori.


Niveli i taksës së përkohshme të lojërave të fatit aplikohet i diferencuar sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit të Tiranës, për efekt të zbatimit të taksave vendore.


“Të gjitha subjektet që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve (“UPNA”, ish–Uzina e Autotraktorëve–Shkozë), nuk do të aplikohet taksa e përkohshme e lojërave të fatit”, thuhet në projektvendimin e Bashkisë së kryeqytetit.


Sipas ndryshimeve të propozuara nga Bashkia e kryeqytetit, subjektet e kategorisë së lojërave të fatit Kazino dhe Kazino Elektronike që zhvendosin aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve, ish–uzina e Autotraktorëve – Shkozë), përfitojnë rimbursim të pagesave të kryera të kësaj takse. Për zhvendosjen brenda datës 31 Dhjetorit 2012, rimbursohen në  vlerën 100% të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse, për zhvendosjen brenda datës 31 Mars 2013, rimbursohen në vlerën 50% të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse.


Panorama


Aktualisht, sipas Njësisë së Mbikëqyrjes se Lojërave të Fatit, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 20 kazino elektronike të licencuara me 81 salla me kompjuterë dhe makina elektronike, 7 subjekte të licencuara për baste sportive me 801 pika shitjeje, si dhe 10 bingo. Grupi i punës që ka përgatitur vendimin argumenton se nga eksperienca e vendeve te tjera në përgjithësi rezulton se kuadri ligjor përkatës është më gjithëpërfshirës dhe rregullon disa çështje me përfitim për komunitetin lokal, si dhe aktorët në këtë proces. Strukturat e përfshira janë: enti mbikëqyrës i lojërave të fatit, Ministria e Shëndetësisë, si dhe njësitë vendore.


 


Përvoja


Në Perëndim, aktiviteti i lojërave të fatit lejohet në periferi


Bazuar në eksperiencat e qyteteve të tjera të zhvilluara europiane, zhvillimi i këtij biznesi të rrezikshëm në zonat e banuara është zvogëluar ndjeshëm dhe këto biznese janë larguar nga mjediset e qyteteve, duke lejuar zhvillimin e veprimtarive të tyre në hyrje dhe në periferi të qytetit. Kështu, në shumë qytete të Italisë pushteti lokal ka miratuar akte të veçanta, për moslejimin e hapjeve të këtyre aktiviteteve afër zonave të ndjeshme (shkolla, objekte fetare, rezidenca banimi, zona historike, industriale etj.), duke bërë në këtë mënyrë dislokimin e tyre në periferi të këtyre qyteteve. Gjithashtu, në Angli, komisionet e licencimit të këtyre aktiviteteve kanë identifikuar zona specifike ku mund të ushtrohet kjo veprimtari.


Përdorimi i lojërave të fatit shoqërohet me probabilitetin e lartë të humbjes së mjeteve financiare, që në shumicën e rasteve merren nga buxhetet familjare.