Obama përshëndet Kosovën: Arritje historike, por tani më tepër përgjegjësi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka përshëndetur Kosovën me rastin e mbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Përmes një mesazhi, zoti Obama ka shprehur mbështetjen e tij për mbylljen e këtij procesi, që sipas tij përbën një sukses të madh për popullin kosovar.

“Mirëpres dhe përkrah fuqishëm lajmërimin e sotëm nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues se mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës ka përfunduar. Pas gati katër viteve e gjysmë, përmbushja e dispozitave të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është një arritje madhore për gjithë qytetarët e Kosovës”, – ka deklaruar Obama.

“Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë që është karakteristike për popullin e saj, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e arritjeve të pas pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumetnik, përfshirës, dhe demokratik”, – është shprehur presidenti amerikan në mesazhin e tij.

Megjithatë, shefi i Shtëpisë së Bardhë vlerëson se, Kosova ka ende punë për të bërë, sidomos tani që udhëheqësit e saj marrin përgjegjësi të plotë për të siguruar se parimet e mishëruara në deklaratën e saj të pavarësisë dhe në Kushtetutë do të plotësohen për çdo qytetar.

“Kosova po ashtu duhet të vazhdojë të angazhohet konstruktivisht me fqinjët e saj dhe të punojë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, posaçërisht ato me Serbinë. Arritja e kësaj do të përforcojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe do të shërbejë për promovimin e stabilitetit nga i cili varen perspektivat Euroatlantike të rajonit”, – thotë më tej Obama.

Në emër të popullit amerikan, presidenti ka uruar qeverinë, parlamentin dhe popullin e Kosovës në këtë moment historik, që sipas tij shënon një hap të rëndësishëm drejt vendit të Kosovës në një Europë të lirë, të tërë dhe paqësore.

10 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

 

Autor te 10 Shtator 2012. Rajon. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry