Presidenti i republikës, Bujar Nishani ka përshëndetur me anë të një mesazhi urimi popullin e Kosovës me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.
“Përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë. Përulemi me mirënjohje para veprës së tyre”, – thuhet në mesazhin përshëndetës të kreut të shtetit.
Më tej presidenti Nishani e ka cilësuar këtë ditë si një ogur të bardhë që i bashkohet festimeve të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, por ka shtuar se pas këtij momenti përgjegjësitë për shtetin e Kosovës do të jenë më të mëdha.
“Kjo është një ditë e mbushur me entuziazëm, por edhe me një përgjegjësi të madhe. Qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të kenë përgjegjësinë e plotë për të punuar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit më të ri në moshë, por që ka fituar tashmë pjekurinë falë përkushtimit dhe urtësisë së të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile”, – shprehet ndër të tjera presidenti.
10 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)