“Ka pasur zhgënjim me ritmin e reformave, të cilat u ngadalësuan shumë kur rrugën e përparimit e zuri politika”


“Ato duan një sistem gjyqësor që është i drejtë dhe i balancuar, që ka një fushë të barabartë loje, institucione të pavarura”


Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Filip Riker, në emisionin dhënë për në “Bugajski Hour” në “Albanian Screen” shprehet se sipërmarrësit amerikanë duan garanci për të investuar në Shqipëri, në mënyrë që kapitali i tyre të ndihet i sigurt. “Duam të sigurohemi që tregjet janë të hapura për investitorë të mundshëm nga SHBA-ja. Përpiqemi të nxisim mundësitë për investuesit nga SHBA-ja, si edhe investuesit nga pjesë të tjera të botës dhe prandaj transparenca është aq kritike, prandaj sundimi i ligjit është absolutisht thelbësor. Investitorët nga SHBA-ja më thonë që vijnë, shohin rajonin, por duan të jenë të sigurt që kontratat e tyre janë të shenjta, që kanë mundësi për rekurs në një sistem gjyqësor që është i drejtë dhe i balancuar, që ka një fushë të barabartë loje. Dhe, përsëris, me këtë ka të bëjë procesi i reformave, rëndësia e institucioneve të pavarura, rëndësia e gjyqësorit”, shprehet Riker.


Të shohim më shumë përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. E di që nuk mund të jepni një kohë se kur Shqipëria do të jetë anëtare, por cilat janë prioritetet, cilat janë gjërat që qeveria duhet të bëjë për t’u kualifikuar për anëtarësim?


Mendoj që BE-ja ka përcaktuar një listë shumë të mirë rekomandimesh, 12 rekomandime që nevojiten për t’u bërë vend kandidat, për të arritur statusin e vendit kandidat dhe pikërisht tek këto duhet të përqendrohet qeveria. Koha është vërtet tani. Të gjithë e dimë që ka pasur zhgënjim me ritmin e reformave, të cilat u ngadalësuan shumë kur rrugën e përparimit e zuri politika dhe kur partitë politike morën përparësi, krahasuar me mirëqenien dhe të ardhmen e të gjithë vendit. Tani është mundësia për të bërë përparim të vërtetë, madje edhe në javët që vijnë siç kanë vënë në dukje zyrtarë të BE-së, përpara se KE-ja të nxjerrë progres-raportin, me shpresën që Shqipëria të arrijë statusin e vendit kandidat deri në fund të vitit dhe pastaj të shohë drejt procesit shumë të vështirë që nevojitet për të filluar negociatat e anëtarësimit dhe në fund, siç kemi parë me vende të tjera të rajonit, të bëhet anëtare e plotë.


Më duhet të bëj edhe pyetjen e fundit, lidhur me anëtarësimin në BE. Kur Shqipëria të jetë gati të hyjë në BE, çfarë Bashkimi Europian do të ekzistojë atëherë? E di që nuk mund të parashikoni, por çështja është se si mund t’i sigurosh shqiptarët që ndjekja e këtyre reformave është në të mirën e tyre, pavarësisht nëse hyjnë apo jo në BE, që nuk është thjesht çështja e anëtarësimit, por është në të mirë të vendit që këto reforma të plotësohen dhe të zbatohen.


Mendoj që të gjithë e kemi parë se çfarë ka bërë BE-ja për anëtarët e saj, jo vetëm në drejtim të konsolidimit të paqes dhe stabilitetit, por edhe në drejtim të ndihmës për vendet e BE-së, që të jenë konkurruese në shekullin e 21-të. Është çështje tregjesh, konkurrence, jo thjesht me Amerikën Veriore, por gjithnjë e më shumë me Azinë, me ekonominë moderne, e cila është shumë e ndërlidhur dhe mund ta shohim tek vetë BE-ja dhe këtu në Shqipëri. Ajo që ndodh ngjitur ekonomikisht ndikon atë që ndodh këtu. Dhe reformat që BE-ja kërkon për anëtarësim janë ndërtuar shumë për ta drejtuar vendin drejt një ekonomie moderne dhe konkurruese ku institucionet pasqyrojnë vlerat demokratike, pasqyrojnë ekonomi të hapura, në mënyrë që Shqipëria apo cilido vend tjetër në rajon të mund të jetë pjesë e diçkaje shumë më të madhe.


Nga pikëpamja e bashkëpunimit rajonal, përmendët se sa i rëndësishëm është – ka shumë shembuj nga BE-ja, te Beneluksi, te grupi i Vishegradit e kështu me radhë që vendet të bashkëpunojnë. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, siguria rajonale, zhvillimet ekonomike, sa të rëndësishme janë gjëra si energjia, siguria, infrastruktura, transporti, të tjera ndërlidhje rajonale, dhe a mund të luajë Shqipëria një rol të rëndësishëm në këto fusha?


Mendoj që energjia është qartësisht një çështje kritike. Është me rëndësi për rritjen ekonomike, ka implikime për çështje gjeopolitike; ka rëndësi për sigurinë, sigurinë ekonomike dhe çështjen më të gjerë të stabilitetit. Prandaj është me rëndësi që vendet të mendojnë së bashku se si mund të trajtojnë sfidat e tyre të energjisë. Dhe kjo shihet qoftë kur ka të bëjë me linja të mundshme në rajon, që mund të ndihmojnë të sjellin burime energjie këtu. Gjithnjë e më shumë, njerëzit dhe vendet duhet të punojnë së bashku. Tregjet e vogla, të izoluara, nuk do jenë aq të suksesshme sa ato që punojnë së bashku. Dhe sigurisht, ky është thelbi i BE-së dhe i tregjeve të përbashkëta.


A do ta mbështesnit një treg të përbashkët rajonal? Ka pasur disa sugjerime, disa propozime, kohët e fundit për të cilat është folur. Disa vende e kundërshtojnë, disa e mbështesin. A shihni ndonjë lloj – sidomos në këtë pjesë të botës – tregu rajonal që do të përforconte si të thuash vlerën e shtuar të secilit vend?


Mendoj vërtet që ajo ku vendet e këtij rajoni duhet të përqendrohen është perspektiva e tyre europiane. Rruga është e shtruar qartë për to. Ajo që duhet bërë është ajo që ne mbështesim – dera e hapur për NATO-n, dera e hapur për anëtarësim në BE, dhe kjo është ajo për të cilën kemi punuar shumë ngushtë me partnerët tanë europianë dhe me secilin vend të rajonit.


 


Nga pikëpamja e bashkëpunimit rajonal, përmendët energjinë dhe infrastrukturën, si dhe ndërkomunikimin. A mendoni se Amerika duhet të luajë rol më të madh këtu?


Mendoj që ne luajmë rol të madh. Duam të sigurohemi që tregjet janë të hapura për investitorë të mundshëm nga SHBA-ja. Përpiqemi të nxisim mundësitë për investuesit nga SHBA-ja, si edhe investuesit nga pjesë të tjera të botës dhe prandaj transparenca është aq kritike, prandaj sundimi i ligjit është absolutisht thelbësor. Investitorët nga SHBA-ja më thonë që vijnë, shohin rajonin, por duan të jenë të sigurt që kontratat e tyre janë të shenjta, që kanë mundësi për rekurs në një sistem gjyqësor që është i drejtë dhe i balancuar, që ka një fushë të barabartë loje. Dhe, përsëris, me këtë ka të bëjë procesi i reformave, rëndësia e institucioneve të pavarura, rëndësia e gjyqësorit. Kemi të bëjmë me një botë konkurruese dhe kapitali do të shkojë atje ku ndihet më i sigurt. Prandaj mendoj që kompanitë amerikane, investitorët amerikanë kanë një histori të gjatë të shqyrtimit të sfidave. Kanë vullnetin të investojnë, por u duhet të dinë që ekziston një fushë e barabartë loje dhe të dinë që në fund do të mbizotërojë sundimi i ligjit.


 


Më lejoni t’ju bëj edhe nja dy pyetje për rajonin. Pasi të ikni prej këtu, do të shkoni në Kosovë, në Prishtinë. Cili është qëllimi i udhëtimit tuaj? E di që është me interes të madh për popullin në Shqipëri.


Kam pasur mundësinë ta vizitoj Kosovën disa herë vitin e shkuar që kur mora këto përgjegjësi. Këtë herë do të takohem me grupin drejtues ndërkombëtar, ku presim të marrim një vendim për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, çka do të nënkuptojë fundin e zyrës civile ndërkombëtare. Siç e kemi parë tashmë, Parlamenti i Kosovës ka ndërmarrë hapa për të miratuar amendamentet kushtetuese, legjislacionin e nevojshëm për të tërhequr sipërmarrës, këto kërkesa, në linjë me propozimin tërësor për zgjidhjen. Prandaj është një kohë me rëndësi për Kosovën. Tregon që kanë bërë përparim të madh në pak më shumë se katër vite pavarësi, por sigurisht ka ende shumë më tepër për të bërë. Duhet të jenë të përqendruar dhe të disiplinuar për të punuar së bashku që të lënë mënjanë politikat e vockla dhe axhendat personale që të punojnë për të mirën e përbashkët të vendit.


Besoj pjesë e punës suaj është të gjykoni atmosferën dhe të ofroni sugjerime për kryeqytetet e ndryshme për sa i përket bashkëpunimit rajonal, zgjidhjes së disa prej problemeve që mbeten. Di që keni qenë në Beograd që nga zgjedhja e Nikoliç. Si e shihni marrëdhënien midis Kosovës dhe Serbisë?


Mendoj se do të jetë me rëndësi për Serbinë e qeverinë e saj të re që të përqendrohet te normalizimi i marrëdhënies dhe kontekstit me Prishtinën. Këtë BE-ja e ka bërë shumë të qartë, që do të ishte e nevojshme që Serbia të mund të ndërmerrte hapin tjetër drejt synimit të saj për anëtarësim në BE. Serbia arriti statusin e vendit kandidat më herët këtë vit dhe për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, Brukseli ka qenë shumë i qartë, ashtu si vendet anëtare, që do duhet të ndodhin disa reforma të caktuara dhe që do duhet të ketë përparim në dialogun me Prishtinën. Mendoj se është e arritshme. Mendoj që kemi parë një numër marrëveshjesh të arritura nëpërmjet dialogut të udhëhequr nga BE-ja më parë këtë vit. Ato marrëveshje duhet të zbatohen plotësisht si hap i parë dhe pastaj të ndërmerren hapat e tjera për të arritur një situatë më normale.


Edhe dy pyetje të fundit. Sigurisht, keni shërbyer si ambasador në Maqedoni. Mosmarrëveshja e emrit – është shumë më e gjerë se sa thjesht emri – ku Greqia vazhdon ta përkeqësojë dhe ka bllokuar përparimin e Maqedonisë drejt këtyre dy institucioneve të rëndësishme, NATO dhe BE. A shihni dritë në fund të tunelit, një zgjidhje?


Gjithmonë kam qenë në gjendje të shoh një zgjidhje. Kam shpresuar gjithmonë për një rrugë përpara. Mendoj se është tragjike që nuk ka pasur përparim në këtë drejtim. Askush më shumë se SHBA nuk duan ta shohin Maqedoninë të ecë përpara në axhendën e saj euroatlantike. Në Bukuresht u mor një vendim. Ne duam ta shohim Maqedoninë të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. Duam t’i shohim të përparojnë me bisedimet e anëtarësimit për t’u bërë anëtare e BE-së. Kjo është e mirë për Greqinë, është e mirë për rajonin dhe është mirë për të gjithë hapësirën transatlantike. Ndaj shpresoj që të dyja vendet do jenë në gjendje të punojnë së bashku. Kanë shërbimin e mirë të ambasadorit Nimetz dhe Kombeve të Bashkuara, një proces me të cilin mund të gjejnë një kompromis, një rrugë përpara për të zhbllokuar procesin. Është hap i rëndësishëm. Mendoj se do të jetë hap historik, dhe sigurisht shpresojmë të ndodhë.


Do jetë me rëndësi edhe për Shqipërinë që të shohë fqinjin të …


Pikërisht, është një prej çështjeve që kam theksuar, një prej temave që kam ngritur këtu, dhe ky është roli i rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur si aktore konstruktive në rajon dhe kam nxitur udhëheqësit këtu që të vazhdojnë ta luajnë atë rol. Shqipëria është mike e fortë e Maqedonisë fqinje; është edhe mike e fortë e Kosovës. Ajo mund të luajë një rol shumë pozitiv diplomatikisht – një mike e mirë, një fqinje e mirë dhe partnere. Dhe sigurisht ne, Shtetet e Bashkuara, kemi një partneritet shumë të fortë me Shqipërinë dhe jemi shumë të kënaqur ta shohim Shqipërinë si anëtare të plotë dhe aleate në NATO. Mendoj se kemi një përkushtim të fortë me njëri-tjetrin, qoftë nëse shërbejmë bashkë në Afganistan, apo nëse punojmë bashkë për përpjekjet për reforma, apo disa nga nismat që ambasadori Arvizu ka ndërmarrë kohët e fundit për të promovuar përfshirjen e qytetarëve në komunitetet e tyre, për të promovuar përpjekjet, për të përmirësuar shërbimet dhe jetët e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.


Pyetja e fundit – 100-vjetori i shtetit shqiptar. Si do t’i përmblidhnit drejtimet kryesore të kësaj marrëdhënieje, të marrëdhënies shqiptaro-amerikane? Është e qartë që ka disa spiranca madhore historike. Si do ta përshkruanit atë marrëdhënie? Çfarë e mban atë?


Mendoj që bazohet në një miqësi të vjetër. Ka një diasporë të fortë të shqiptarëve në SHBA. Kemi mbështetur tranzicionin e Shqipërisë, reformat e saj, përparimin e saj dhe duam të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe Shqipërinë e kemi gjetur një lojtar konstruktiv në rajon. Duam t’i shohim ta vazhdojnë këtë. Si miq, duam edhe që të ngremë zërin dhe të flasim mbi nevojën për të vazhduar përpjekjet për reforma, për të ripërqendruar energjitë në sigurimin e respektit për institucionet e pavarura demokratike, për të punuar mbi reformat gjyqësore, për të theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit. Mendoj që këto janë gjëra për të cilat shqetësohet qytetari i zakonshëm dhe kjo është ajo që do ta çonte Shqipërinë në drejtime të reja në 100 vjetët e saj të ardhshme. Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, presim të jemi miq të saj në këtë proces.


Më vjen mirë që do jeni këtej rrotull në atë kohë, por sigurisht…


Fol për vete …


 


Marrë me shkurtime “AS TV”