Zyrtari i Lartë i DASH-it takon Ramën: Diskutuam edhe për zgjedhjet


Faktori ndërkombëtar duket se po shërben këto ditë si një ndërmjetës mes mazhorancës dhe opozitës, për të gjetur një konsensus në lidhje me ngërçin e imuniteteve, i cili ka rikthyer tensionin pas shtyrjes së shqyrtimit të paketës së Ps-së, nga ana e mazhorancës. Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker, i cili ka zhvilluar takimin e tij të fundit në Shqipëri me liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama, ka folur për një “paketë dakordësie” që duhet të arrihet në Parlament. Për takimin mes zotit Reeker dhe Ramës nuk ka pasur një njoftim për shtyp nga ana e selisë rozë apo ambasadës së SHBA-së, por dy bashkëbiseduesit kanë dhënë deklaratë për mediat pas takimit. Zyrtari i lartë i DASH-it, deklaroi hapur që rolin për të ecur para me statusin kandidat e ka Parlamenti. “Është në fuqinë e Parlamentit mundësia për të ndikuar pozitivisht progres raportin e Komisionit Europian dhe ne besojmë që gjetja e dakordësisë mbi reformën e rregullores së Parlamentit, miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, si dhe votimin e amendamenteve kushtetuese lidhur me imunitetet janë të arritshme dhe do të jenë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur për Shqipërinë”, deklaroi Reeker, pas takimit me Ramën, ku ka përsëritur të njëjtin shqetësim që ndau në takimin me Kryeministrin Berisha. Pra, ka përmendur sërish zgjedhjet dhe frazën tashmë të famshme “javët kritike për Shqipërinë”.


“Z. Rama dhe unë diskutuam marrëdhënien e fortë dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Shqipërisë. Siç e përmendi ai, diskutuam integrimin euroatlantik të Shqipërisë, përparimin e bërë prej gushtit të shkuar, si edhe zgjedhjet që po vijnë – jo vetëm ato në vendin tim, por edhe në Shqipëri. Siç e kam thënë më parë, Uashingtoni do t’i ndjekë nga shumë afër zhvillimet këtu. Shpresojmë të shohim përparim të mëtejshëm të reformave. Shpresojmë të shohim që zgjedhjet demokratike të vitit që vjen të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme. Dhe, gjithmonë theksoj respektimin e pavarësisë së institucioneve demokratike. Siç e dini të gjithë, siç e kam diskutuar gjatë kohës sime këtu, javët që do të vijnë janë me rëndësi. Ato janë kritike për të demonstruar përparim me reformat, si dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat më të mira dhe dëshirat e popullit shqiptar. Është në fuqinë e Parlamentit mundësia për të ndikuar pozitivisht progres raportin e Komisionit Europian dhe ne besojmë që gjetja e dakordësisë mbi reformën e rregullores së Parlamentit, miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, si dhe votimin e amendamenteve kushtetuese lidhur me imunitetet janë të arritshme dhe do të jenë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur për Shqipërinë”, deklaroi Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Philip Reeker, pas takimit me liderin e opozitës. Ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi se “Duke u fokusuar tek perspektiva demokratike dhe europiane e vendit ne shkëmbyem po ashtu shqetësimet dhe idetë lidhur me përshpejtimin e progresit të vendit, qoftë në drejtim të familjes europiane, qoftë në drejtim të standardeve demokratike që do ta bënin Shqipërinë një vend europian jo vetëm gjeografikisht, por edhe si një shtet me institucione të forta dhe të pavarura dhe padyshim me një Parlament që të përfaqësojë shqiptarët qoftë në qeveri, qoftë në opozitë, brenda standardesh si ato që sot e gjithë ditën e karakterizojnë parlamentarizmin e familjes europiane”.


 


Deklarata


Gjithmonë theksoj respektimin e pavarësisë së institucioneve demokratike. Siç e dini të gjithë, siç e kam diskutuar gjatë kohës sime këtu, javët që do të vijnë janë me rëndësi. Ato janë kritike për të demonstruar përparim me reformat, si dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat më të mira dhe dëshirat e popullit shqiptar”


 


Zgjedhjet


Gjermeni: Nuk kemi struktura militare


Partia Socialiste deklaron se zgjedhjet e 2013-ës nuk do të mbrohen me “struktura paramilitare”, por do të jenë qytetarët ata që do të bëjnë ndryshimin. Deputetja Eglantina Gjermeni i kundërpërgjigjet në këtë mënyrë ministrit të Brendshëm Flamur Noka, i cili e quajti të jashtëligjshme mënyrën e PS-së për mbrojtjen e votës. “Kemi besim plotë që vetë qytetarët shqiptarë, vetë ne të gjithë do të jemi aty për mbrojtjen e votës. Nuk e kemi varur fatin e mbrojtjes së votës vetëm tek grupet militare. Unë besoj tek fakti që e gjithë kjo përvojë, e gjithë kjo periudhë e vështirë krize ekonomike, politike, sociale ka bërë shqiptarë të pakënaqur, ka arritur thika në kockë, dhe dëshirojmë ta ndryshojmë këtë gjë. Dhe kjo besoj dhe mendoj që jemi të aftë ta bëjmë përmes votës së lirë”, tha Eglantina Gjermeni, deputete e PS-së.