Bela Biszku akuzohet për krime kundër njerëzimit të kryera në vitin 1956


Ish-ministri i Brendshëm i Hungarisë, Bela Biszku, i cili ishte në detyrë gjatë shtypjes së dhunshme të revolucionit të vitit 1956, u arrestua i dyshuar për krime lufte. Biszku, 90 vjeç, akuzohet se nuk mbrojti popullatën civile në kohë lufte dhe se urdhëroi forcat e sigurisë të hapin zjarr mbi turmat. Ai i mohon akuzat për të cilat mund të përballet me burgim të përjetshëm.


Kryeprokurori i Budapestit, Tibor Ibolya, tha se dëshironte ta mbante të dyshuarin në arrest shtëpie. “Sot, prokurorët kanë marrë në pyetje të dyshuarin Bela Biszku, një nga organizatorët dhe përgjegjësit kryesorë për reprezaljet që pasuan revolucionin dhe kryengritjen e vitit 1956”, tha ai.


Kjo është hera e parë që një udhëheqës i shtypjes së vitit 1956 është vënë nën ndjekje ligjore. Biszku është i mbijetuari i vetëm i Komitetit Ekzekutiv të Partisë Komuniste. Kryengritja e tetorit 1956 arriti të rrëzojë diktaturën komuniste në Hungari, por brenda tri javësh, ajo u shtyp nga pushtimi i vendit nga Bashkimi Sovjetik.


Biszku akuzohet si përgjegjës për një ngjarje kur trupat e sigurisë hapën zjarr ndaj një turme protestuesish pas përfundimit të kryengritjes. Rreth 50 vetë u vranë në atë ngjarje. Akuza të tjera lidhen me dyshimet se ka ndikuar në vendimet e gjykatave për të qenë të ashpra ndaj revolucionarëve, përfshirë edhe 226 dënime me vdekje.


Hungaria ka nënshkruar në vitin 1968 Konventën e Nju Jorkut, ku sanksionohet dënimi i të akuzuarve për krime lufte. Në vitin 2011, Hungaria miratoi një ligj që e bënte të detyrueshme konventën në këtë vend. Pak më vonë, Prokuroria e Budapestit hapi hetim mbi ish-ministrin pas denoncimeve të viktimave.