Artan Zeneli që sot do të jetë zyrtarisht anëtar i Gjykatës së Lartë. Në ceremoninë e betimit të organizuar në ambientet e Gjykatës së Lartë, kanë qenë të pranishëm Presidenti i Republikës Bujar Nishani, si dhe kryetarja e kësaj gjykate, Shpresa Beçaj. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Nishani theksoi mbështetjen e tij për reformat në fushën e drejtësisë, duke nënvizuar rëndësinë e konsensusit për ligjin e Gjykatës së Lartë.


Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj u bëri thirrje forcave politike që të gjejnë dakortësi për ligjin e Gjykatës së Lartë, “duke e çuar këtë angazhim serioz përtej e mbi çdo interes politik”. Artan Zeneli u votua në Kuvend duke marrë 117 vota pro, dy kundër dhe tre abstenim në seancën plenare,ku u votua dekreti i ish-presidentit Bamir Topi.


Zeneli u dekretua nga ish-presidenti Topi në 1 shkurt të këtij viti. Në maj të vitit 2008 Artan Zeneli ishte propozuar nga Presidenti i Republikës për të njëjtin post, bashkë me katër gjyqtarë të tjerë. Asokohe, mazhoranca i hodhi poshtë dekretet e Presidentit me argumentin se Topi nuk ishte konsultuar më parë me Parlamentin. Artan Zeneli ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Fillimisht ai është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Pas disa vitesh në këtë gjykatë Zeneli merr detyrën e zëvendëskryetarit të gjykatës së kryeqytetit. Pas mbarimit të mandatit, ai ka ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 8-vjeçare. Zeneli cilësohet si një gjyqtar profesional, me një cv të pasur në fushën e jurisprudencës. Në vitin 2009, pas një periudhe të gjatë të ushtrimit të profesionit të avokatit, Zeneli u propozua për të drejtuar Gjykatën e Tiranës.


12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)