Berisha e konsideron rënien e shitjeve “rritje dhe fitore e madhe”
Indeksi i Shitjeve me Pakicë gjatë tremujorit të dytë të këtij viti u përmirësua në krahasim me tremujorin e parë, por mbetet 1.2 për qind më poshtë nga sa qe në tremujorin e dytë të vitit 2011, bën të ditur Instituti i Statistikave. Në krahasim me tremujorin e parë 2012 u shënua një rritje me gati 10 për qind.
Indeksi shënoi vlerën 162.6 në fund të qershorit ku viti 2005 është i barabartë me 100. Ai shënoi kulmin në vitin 2010 në kuotën 190.5 ndërsa ra shpejt gjatë vitit 2011.
Rënia vjetore prej 1.2 për qind duket se nuk i bëri shumë përshtypje kryeministrit Sali Berisha, i cili e ktheu indeksin e shitjeve me pakicë në temën e vetme të fjalimit të tij para ministrave në mbledhjen e sotme të qeverisë.
“Qarkullimi i gjakut’ të ekonomisë shqiptare është në gjendjen më të mirë. Nuk ka rritje të papunësisë, por ka rënie progresive të saj”, tha shefi i qeverisë në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Ministrave.
Indeksi i Shitjeve me Pakicë mat sasinë e mallrave të blera nga popullsia. Ai ka një cikël vjetor sezonal luhatjeje ku në tremujorin e parë është i ulët dhe në tremujorin e fundit është i lartë. Për këtë arsye krahasimi bëhet gjithmonë me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Këto teknikalitete në leximin e statistikave duket se nuk i hyjnë në punë kryeministrit.
Në tërësi, treguesi i shitjeve me pakicë tregon një rënie më të lehtë në tremujorin e dytë nga sa qe shënuar gjatë vitit 2011 dhe sugjeron se pjesa më e rëndë e krizës ndoshta është kapërcyer.
12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)