Kreu i shtetit, Nishani dhe kryeministri Berisha, mesazhe ngushëllimi presidentit Barak Obama


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama për sulmin e ndodhur ndaj ambasadës amerikane në Libi.


“Me hidhërim të madh mësova mbi vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi, zotit J. Christopher Stevens, dhe tre anëtarëve të stafit të tij, pas sulmit terrorist mbi misionin diplomatik të SHBA. në Libi. Më lejoni Shkëlqesi, që për këtë ngjarje tragjike që tronditi gjithë popullin mik amerikan dhe mbarë botën demokratike, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju shpreh Juve dhe të afërmve të viktimave, ngushëllimet më të sinqerta! Duke shprehur indinjatën time më të thellë për këtë ngjarje shumë të shëmtuar, shpresoj që pasojat e kësaj tragjedie njerëzore dhe ndërkombëtare të kalohen sa më lehtë”, – shkruan Nishani në mesazhin e tij.


Ndërkohë, ndaj ngjarjes së rëndë ku si rezultat i sulmit ndaj konsullatës amerikane në Libi mbetën të vrarë 4 diplomatë amerikanë, mes të cilëve edhe ambasadori i SHBA-ve në Libi, J. Christopher Stevens ka reaguar edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili gjithashtu i ka nisur një mesazh ngushëllimi presidentit të SHBA-ve.


“Qeveria shqiptare dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar e barbar ndaj ambasadorit Stevens dhe tre punonjësve të Ambasadës Amerikane dhe ju shpreh Ju, familjeve të viktimave, qeverisë dhe kombit tuaj, ngushëllimet më të sinqerta, ndjenjat më të thella të simpatisë e solidaritetit për këtë humbje të rëndë si dhe mbështetjen më të plotë në luftën kundër terrorizmit në botë, thuhet në mesazhin e ngushëllimit që kryeministri Berisha i dërgon presidentit të SHBA, Barak Obama.

12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)