Debate të ashpra mes Topallit dhe Tahirit. Katër deputetë të LSI abstenojnë


Pavarësisht debateve të forta, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 67 vota pro aktin normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve. Deputetët socialistë nuk kanë marr pjesë në votim,ndërsa katër deputetë të LSI-së kanë abstenuar.


Shqyrtimi i këtij akti u shoqërua me debate të forta mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe nënkryetarit të grupit parlamentar socialist Sajmir Tahiri, çka çuan dhe në pezullimin për disa minuta të seancës plenare. Topalli ka akuzuar socialistët se i urrejnë pronarët, ndërsa deputeti Tahiri theksoi se nga ky ligj përfitojnë ministra e deputetë të PD-së. Tahiri akuzoi qeverinë se ka keqësuar konfliktin e pronave ndërsa shtoi se akti normativ nuk i jep zgjidhje pronarëve por edhe qiramarrësve. “Akti normativ që vjen sot vjen pas dy nismave të qeverisë, të këtij kryeministri, të dyja janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, se nuk i japin zgjidhje pronarëve dhe qiramarrësve.  A e dini sa problem ka me pronat. Janë vrarë 8 mijë 100 qytetarë në mbarë vendin. Më shumë se 1 qytetar në ditë. Koston e mban klasa politike. Ju thoni le të vriten”, deklaroi Tahiri nga foltorja e Kuvendit.


Dy ditë më parë, Avokati i Popullit Igli Totozani përmes një letre drejtuar Kuvendit të Shqipërisë e ka cilësuar aktin normativ të lirimit të banesave të ish-pronarëve si jo kushtetues dhe cënon të drejtat e individit. Sipas tij, pranë institucionit të Avokatit të Popullit, janë paraqitur në vazhdimësi një numër i konsiderueshëm ankesash, në lidhje me trajtimin me strehim të familjeve të pastreha, të cilat banojnë në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.


13 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)