Ligji i arsimit parauniversitar: Drejtori ka të drejtë të punësojë mësues

Të dhëna

Ligji – I arsimit parauniversitar i jep dorë të lirë drejtuesve të shkollave arsimore për të bërë punësime, në bazë të nevojave që ka institucioni

Emërimet – E reja në radhët e arsimtarëve pritet të bëhen në muajin tetor. Shkollat do të depozitojnë në fund të muajit pranë drejtorive arsimore kërkesat për burimet njerëzore

Buxheti – Ministria e Arsimit dhe e Shkencës raporton vështirësi financiare në buxhetin e pagesave për punonjësit e arsimit. Pavarësisht kësaj këtë vit do të bëhen emërime të reja

Punësimet e mësuesve

Këtë vit u lihet dorë e lirë drejtuesve të shkollave 

Lorina Mixha

Këtë vit shkollor ka hyrë në fuqi ligji për arsimin parauniversitar. Shkollat raportojnë rritje të numrit të nxënësve në klasa. Në kryeqytet në shkollat 9-vjeçare e në gjimnaze një klasë ka nga 50 në 60 nxënës, gati dyfishin e numrit që parashikohet të ketë një klasë mësimore.

Pavarësisht rritjeve të nxënësve, buxheti i arsimit nuk mund të përballojë punësime në masë të mësuesve të rinj, por javët e para të muajit tetor do të jenë vendimmarrëse për institucionet arsimore, të cilat do të bëjnë edhe propozimet pranë drejtorive arsimore për numrin e mësuesve që duhet të marrin në punë për të plotësuar nevojat.

Ligji i arsimit parauniversitar, lejon për këtë vit shkollor të gjithë drejtuesit e shkollave të punësojnë përkohësisht, por edhe definitivisht mësues. Fondi në këtë rast mund të sigurohet nga institucioni, ndërkohë që vendimi duhet të konsultohet në grup.

Përveç kësaj, sipas ligjit të ri në fuqi, punësimi i mësuesve bëhet në disa faza dhe për këtë vendosin disa struktura.

“Shkolla jonë fillon vitin e ri shkollor me një ligj të ri për sistemin arsimor parauniversitar. Ky ligj tepër bashkëkohor dhe modern ka në qendër dhe vihet në funksion të realizimit të interesave të nxënësve”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj në ditën e parë të shkollës.

Sipas ligjit të arsimit parauniversitar, një risi e këtij viti dhe në vazhdimësi është një kompetencë e re që u është dhënë drejtuesve të shkollave për të marrë në punë staf ndihmës. Por këta ndryshe nga mësuesit e dispozicionit do të mund të paguhen si me rrogë të pjesshme ashtu edhe me rrogë të plotë.

Në këto raste emërimi bëhet nga drejtuesi i shkollës, duke pasur parasysh mundësitë dhe nevojat e institucionit. Deri tani, kompetenca e emërimeve të mësuesve janë bërë vetëm me propozim dhe miratim të drejtorive arsimore.

Punësimet nga drejtori

Sipas ligjit, drejtori i institucionit arsimor është përgjegjës për: menaxhimin e personelit dhe krijimin e kushteve për zhvillimin profesional të punonjësve të institucionit.

Drejtori i institucionit arsimor publik kryen edhe këto detyra:

Menaxhon institucionin, përfshirë edhe menaxhimin financiar;

Përdor një fond të veçantë vjetor nga buxheti i njësisë arsimore vendore për shpërblimin për merita profesionale të mësuesve, në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, pas këshillimit me partnerët socialë dhe bordin e institucionit; “Ka të drejtë që, me fonde të siguruara nga institucioni, të punësojë, me kohë të plotë ose të pjesshme, mësues ndihmës, sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit dhe ministrit të Financave”, thuhet në ligj.

Kriteret për punësim

Mësuesit që do të qëndrojnë në punë, ata që kërkojnë të punësohen apo të tjerë që bëjnë përpjekje për të qëndruar në stafin pedagogjik në një institucion arsimor, duhet të zotërojnë një diplomë të caktuar në varësi të ciklit ku japin mësim.

Konkretisht, në ligjin e arsimit parauniversitar paracaktohen se cilat janë diplomat e vlefshme për të mbajtur vendin e punës në një nga institucionet e arsimit, gjimnaz, 9-vjeçare apo fillore.

Sakaq, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka deklaruar se për punësimet e reja në radhët e mësuesve, procedurat e aplikimeve dhe pranimeve do të nisin në muajin tetor.

Deri në fund të shtatorit institucionet arsimore do të bëjnë planifikimet dhe propozimet për nevojat në burime njerëzore. Më pas në bazë të kërkesave dhe ligjit të arsimit parauniversitar do të bëhen emërimet e reja dhe nënshkrimet e kontratave me arsimtarët e rinj.

 

Drejtorët, si zgjidhen

Duke u nisur nga ndryshimet e fundit ligjore drejtuesit e shkollave emërohen nga drejtori i drejtorisë arsimore, votohen dhe marrin miratimin në bordin e shkollës, apo siç quhet në komisionin e ngritur në shkollë dhe shkarkohen vetëm nga kreu që i emëroi dhe me asnjë procedurë tjetër.

Autor te 13 Shtator 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry