Një prift amerikan provokon protesta të dhunshme në botën arabe
Ambasadori i SHBA-së në Libi dhe tre anëtarë të stafit të tij u vranë në një sulm mbi konsullatën e Bengazit, e cila u pushtua nga militantë islamikë që akuzojnë Amerikën si përgjegjëse për një film që shan Profetin Muhamed. Bengazi është djepi i kryengritjes për liri të libianëve kundër regjimit të Muamar Gadafit dhe që doli me sukses vetëm pas mbështetjes ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së. Një sulm tjetër u krye në të njëjtën kohë në ambasadën e SHBA-së në Kajro të Egjiptit.
Ambasadori Christopher Stevens u vra gjatë sulmit, ndërsa po shkonin në një shtëpi të sigurt. Një aeroplan evakuimi me trupa komando mbërriti në Tripoli, me synimin për t’i marrë nga vendi i paracaktuar.
“Supozohej që ishte një vend sekret dhe ne u kapëm në befasi nga grupet militante që e dinin ekzistencën e këtij vendi”, komentoi një zyrtar libian. Një film amatorësh që u nxit nga një prift amerikan e paraqet profetin Muhamed si budalla dhe mashtrues. Në një fragment të publikuar në “YouTube” tregohet profeti në një akt seksual me një grua. Për shumë myslimanë është blasfemi të paraqitet fytyra e Profetit dhe incidenti bëri jehonë shpejt në të gjithë botën arabe. Në një incident të ngjashëm në vitin 2006, më shumë se 50 vetë vdiqën gjatë protestave të dhunshme, pasi një gazetë daneze publikoi karikatura.
Presidenti Barack Obama, administrata e të cilit mbështeti kryengritjen libiane me fonde, armë dhe trajnime, i konsideroi vrasjet si një sulm i ulët. Ai urdhëroi forcimin e sigurisë në të gjitha përfaqësitë diplomatike.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, tha se sulmi ishte punë e një “grupi të vogël barbar” që nuk përfaqësojnë qeverinë apo popullin e Libisë. Forcat e sigurisë së Libisë që kishin për detyrë të mbronin ambasadën raportohet se u mposhtën shpejt nga sulmi i përgjakshëm.
Sulmi besohet se është kryer nga Ansal al-Sharia, një grup islamik në stilin e Al-Kaedës. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se sulmuesit kishin ardhur posaçërisht për të gjetur amerikanë. Libianët kanë një histori të gjatë reagimi në raste të tilla. Në vitet ’30, kur vendi ishte i pushtuar nga Italia, ambasada italiane u sulmua pas një ngjarjeje që u interpretua si fyerje ndaj Islamit.
Libia kërkoi falje dhe tha se forcat e saj nuk qenë të përgatitura për sulm me bomba. Udhëheqësit perëndimorë e kritikuan sulmin njëzëri dhe të njëjtën gjë bëri edhe grupi militant shit Hezbullah në Liban.
Ambasadorët amerikanë udhëtojnë nën kushte të forta sigurie në vende të tilla si Libia dhe shoqërohen nga forca ushtarake. Ambasadori Stevens u rrit në Kaliforni dhe u diplomua në Berkeley. Ai pati punuar me Trupat e Paqes në Afrikën e Veriut si vullnetar para se të bashkohej me shërbimin diplomatik. Ekspertët e sigurisë thonë se zona e Bengazit është e mbushur me grupe të ndryshme militantësh islamikë që kundërshtojnë praninë e Perëndimit në vendet myslimane. Por ndryshe nga Iraku, në Libi grupet islamike nuk mund të marrin shumë peshë, për shkak se këtu nuk ka trupa ushtarake të huaja.
Filmi amator u promovua në internet nga një prift amerikan me emrin Terry Jones, i cili edhe më herët ka shkaktuar debate me qëndrimin e tij antiislamik dhe ka kërcënuar në disa raste se do të djegë një Kuran.