Kushtetuesja – Kryediplomati theksoi se baza e negocimit të marrëveshjes do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese


Vizita – Panariti do të kryejë së shpejti një vizitë në Athinë, pasi është ftuar nga homologu i tij, Avramopulos


Grupi – Për kreun e MPJ-së nuk ka grupe pune, pasi ai ngrihet me vendim të Presidentit, që jep plotfuqishmërinë


Përgjegjësia – Për kryediplomatin, përgjegjësia për marrëveshjen e parë nuk është vetëm te MPJ, por është e të gjitha dikastereve


Debate të ashpra në Komisionin e Jashtëm mes Bejës dhe Dades


BLEDAR HOTI



Mazhoranca aktuale duket se synon që ta shtyjë pas zgjedhjeve të ardhshme fatin e marrëveshjes detare me Greqinë. E cilësuar prej kohësh si një “patate e nxehtë e politikës”, PD-ja ka gjasa ta lërë në “harresë” dhe t’ia postojë atë si një “mollë sherri” mazhorancës qeverisëse që do të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Ky fakt është bërë prezent nga vetë kryediplomati Edmond Panariti në seancën dëgjimore të zhvilluar dje në Komisionin Parlamentar të Politikës Jashtme. Duke iu përgjigjur pyetjes së socialistit Qemal Minxhozi për kohën se kur mbyllet ky pakt me Greqinë, Panariti u shpreh se “nëse rinegocimi do t’i lihet ose jo mazhorancës tjetër, kjo do të varet se sa do të zgjasin procedurat dhe është plotësisht e mundur që kjo t’i kalojë qeverisjes së ardhshme”. “Pozicioni ynë është se negociatat do të nisin atëherë kur ne do të jemi të përgatitur për këtë, atëherë kur ne do ta gjykojmë se është oportune në interes kombëtar se këto negociata do të nisin jo bazuar në vullnetin për hapje nga pala greke. Përcaktimet e bëra nga kjo gjykatë janë detyruese dhe duhen zbatuar në rastin eventual të bërjes së një marrëveshjeje të re me të njëjtin objekt. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyes për çdo hap të mëtejshëm për delimitimin detar me Greqinë”, iu përgjigj Panariti pyetjes së deputetes socialiste Dade. Por a i ka acaruar marrëdhëniet me Greqinë moszbatimi i paktit detar? Kjo gjë u ngrit nga ish-ministrja e Jashtme, socialistja Arta Dade. “Kemi çështjen që mund të jetë e paprecedentë, që gazetari Marin Mema ndalohet në kufi. Klima politike e marrëdhënieve midis dy vendeve është e cenuar. A mendoni që rinisja e negociatave në këtë klimë mund ta vinte Shqipërinë përsëri nën presion?”, tha Dade. Në lidhje me këtë, kryediplomati shqiptar u shpreh se “këto janë probleme që padyshim janë jo të varura nga njëri-tjetri, por që do të kenë trajtesën kurajoze të drejtpërdrejtë, që unë do të bëj në vizitën time të ardhshme në Greqi, me ftesë të homologut tim, Avramopulos. Të gjitha këto çështje do të adresohen në mënyrë të hapur konstruktive me homologun tim grek, sepse unë mendoj se kjo është klima që duhet të kemi në raport me Greqinë”, theksoi Panariti. Kryediplomati ka qenë i paqartë sërish, pasi në të njëjtën kohë shprehet se nuk ka grupe për negociata, por njëkohësisht paraqiti materialin, ku ky grup ka pushuar së funksionuari. “Nuk ka inkoherencë qëndrimesh mes meje dhe Kryeministrit për çështjen e grupeve të punës. Nuk ka negociata, nuk ka grupe negociatorësh, ka vetëm trajtesë teknike brenda ministrisë”, tha Panariti. Ministri i Jashtëm “harron” se vetë Berisha ka nxjerrë urdhrin në korrik të 2011-s për ngritjen e grupit të punës. “Ai (grupi) ka parashtruar materialin dhe që tani e tutje nuk është më. A ka një vendim për të? Për sa kohë e ka mbaruar mandatin e tij, e ka dorëzuar materialin nuk është racionale që të funksionojë, përderisa produktin e ka të gatshëm”, vijoi Panariti qëndrimin e tij. Mbledhja e Komisionit të Jashtëm është zhvilluar me debate mes socialistëve dhe demokratëve. “Kjo mazhorancë, kjo qeveri e ka humbur të drejtën dhe autoritetin që të rinisë negociatat, edhe për faktin që për 10 muaj do të kemi zgjedhje parlamentare. Rinegocimi t’i lihet një mazhorance tjetër që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Arta Dade, deputete e PS-së. Beja ka pasur replika me Daden, kur i është drejtuar se “ti nuk do të jesh më ministre e Jashtme”. “Ti ke konflikt interesi, sepse ke djalin të punësuar në Ministrinë e Jashtme, unë do të jem ministre, por dije, ti nuk do të jesh më deputet në zgjedhjet e ardhshme. Ke komplekse si kryetar komisioni, nuk e ke eksperiencën e duhur për këtë çështje. Largoje djalin dhe do të jesh më i qetë. Ti doje të zhvilloje mbledhjen pa praninë e medias”, u shpreh Dade. Në fund të mbledhjes, kryekomisioneri Fatos Beja nuk ka lënë që të zhvillohen diskutimet e deputetëve të opozitës mbi raportimin e kryer nga diplomati Panariti. Kjo shkaktoi replika dhe debate, ndërsa Beja mbylli në mënyrë të njëanshme mbledhjen.


Dade – Nënkryetarja e komisionit, pas mbledhjes, ka bërë sërish kërkesë për vazhdimin e seancës dëgjimore me ministrin Panariti, lidhur me ecurinë e procesit të delimitimit të shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon


Panariti – “Nuk ka negociatorë dhe nuk ka grupe negociatorësh. Dhe unë jam shprehur se ka një trajtesë teknike të këtij problemi, brenda këtij dikasteri, të mbështetur dhe në atë që tashmë janë bërë publike, që janë urdhëresa”


Përplasje – Mes PD-së dhe PS-së në Komisionin e Jashtëm pati përplasje për mënyrën e raportimit dhe vazhdimit të seancës. Por Beja nuk e pranoi vazhdimin e mbledhjes, duke e mbyllur në mënyrë të njëanshme atë, duke ndërprerë çdo diskutim


 


 


Eksperti


Pasha: Rinegocimi, shumë i vështirë


Myslim Pasha, intelektuali i cili zbuloi i pari që marrëveshja e parë me Athinën ishte në dëm të territorit shqiptar, deklaroi dje për “Shqip” se rinegocimi do të jetë shumë i vështirë, për arsye se kemi të bëjmë me një pozitë jo normale që diplomacia shqiptare e ka vënë veten para Greqisë. Sipas profesorit të njohur, “autoritetet greke e kanë bërë të qartë se do të zbatonin paktin e vitit 2009, duke bërë të ditur se kemi një marrëveshje të miratuar. Mirëpo, në këtë rast, Tirana zyrtare duhet të ketë vetëm një lajtmotiv, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili është tepër i qartë dhe nuk ka asnjë ekuivok. Ajo marrëveshje është antikushtetuese, ndaj ka rënë. Prandaj duhet një përgatitje e gjatë, diskutim me të gjithë ekspertët dhe intelektualët e njohur për të shoshitur të gjithë problematikën e kufirit, por edhe interesat e Shqipërisë”. Zoti Pasha thekson gjithashtu se qeveria shqiptare po korr atë që ka gatuar vetë në të kaluarën, ndaj dhe ndodhet në një situatë bllokimi. “Nuk mund të na vënë kushte, pasi bëhet fjalë për integritetin kombëtar”, deklaroi Myslim Pasha, i cili është dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi.


 


Dokle thekson se diplomacia nuk ecën me analogji


Dule: Kjo është një histori tradhtarësh dhe heronjsh


Anëtari i Komisionit të Jashtëm, deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dulem u shpreh në diskutimin e tij: “Po shoh dy rreziqe potenciale për diplomacinë tonë dhe politikën e jashtme: e para është se historia e marrëveshjes me zonat detare me Greqinë po shndërrohet në histori tradhtarësh dhe heronjsh, me ndikime të forta që tentojnë folklorizimin e politikës së jashtme, e dyta se politikanë e forca politike, është tashmë e dukshme se e kanë vënë në fokus politikën e jashtme për përfitimet partiake në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”. Ndërsa deputeti i PS-së, Namik Dokle, në reagimin tij theksoi se “i gjithë konfuzioni ka ardhur nga deklarata e Kryeministrit, e cila ishte në kundërshtim me këtë material si dhe me deklarimet e ministrit”. Dokle kontestoi dhe precedentët e paraqitur siç është Maqedonia, duke theksuar se “diplomacia nuk ecën me analogji”. Ndërsa socialisti Minxhozi u shpreh se “dikush duhet të mbajë përgjegjësi për mosvënien në dijeni për grupin e punës dhe mosinformimin e Komisionit të Jashtëm”.