“Economist Intelligence Unit” parashikon zhvillimet: Kriza ekonomike që ka prekur vendin, si dhe pritshmëritë për ulje të ecurisë së ekonomisë për vitin 2013, janë shkaku kryesor që qeveria “Berisha” të mund të humbasë zgjedhjet e ardhshme


Rama: Biznesi po lëngon krizën


“Kriza do të sjellë fitoren e PS në 2013-n”


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje takime në një koncesionar automjetesh në kryeqytet, për të folur në lidhje me paaftësinë e qeverisë për të zhvilluar biznesin e madh dhe për të hapur vende të reja pune. Sipas Ramës, vizita në industrinë e makinave tregon qartë krizën lënguese në shitje dhe pamundësinë e madhe të qeverisë për të hapur vende të reja pune përmes biznesit të madh në vend. Nga ana tjetër, kreu i opozitës foli dhe për çështjet e ndotjes së mjedisit dhe numrit në rritje të aksidenteve. “Ligji për favorizimin e makinave të përdorura po rrit përditë ndotjen në Shqipëri dhe po shton numrin e aksidenteve”, theksoi Rama në lidhje me këtë vizitë. Nga ana tjetër në rrjetin social “Twitter”, Rama deklaroi se as biznesi i vogël nuk po arrin dot të mbijetojë. “Shitësi i qofteve në Durrës: Iku koha kur fitoja nai lek, tani dal me të miat e shyqyr Zotit më del edhe për t’u ushqy!”, citoi Rama tregtarin në qytetin bregdetar. Prej kohësh kreu i opozitës po përqendrohet te problemet ekonomike të vendit.


Një raport i rëndësishëm ndërkombëtar parashikon se kriza ekonomike që ka mbërthyer vendin do të jetë dhe shkaktarja e disfatës politike të qeverisë aktuale të koalicionit PD dhe LSI. Është pikërisht “Economist Intelligence Unit”, një grup analistësh të rëndësishëm ku bën pjesë dhe i njohuri Gabriel Partosh, të cilët kanë hartuar që në gusht një dokument që u është dërguar kancelarive të njohura apo organizatave që merren me shqyrtimin e situatës në rajon. Kriza ekonomike që ka prekur vendin, si dhe pritshmëritë për ulje të ecurisë së ekonomisë për vitin 2013, janë shkaku kryesor që qeveria “Berisha” të mund të humbasë zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa shanset që Partia Socialiste të vijë në pushtet janë të mëdha. Ky është konkluzioni i raportit të radhës së Njësisë Ekonomike të Inteligjencës, me seli në Londër, që bën një përshkrim të hollësishëm të situatës politike në vend. Duke iu referuar këtij raporti të publikuar në gusht, evidentohet se zoti Berisha nuk ka më shanse që të luajë me tezën e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo, pasi Partia Socialiste është më solide, ndërsa bashkëpunimi Berisha-Meta pritet të zgjasë deri në fund të mandatit, për shkak edhe të pafajësisë që ky i fundit mori në gjykatë pas akuzave për korrupsion. “Z. Berisha nuk ka më mundësi për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, pasi dobësitë e liderit socialit pas konflikteve në PS janë tejkaluar dhe partia opozitare duket më unike. PS e ka lënë pas politikën e saj të protestave në rrugë dhe tashmë ka një qasje më konstruktive duke u mbështetur në tezën ekonomike. Ndaj do të ishte e rrezikshme që të kishte zgjedhje të parakohshme në këtë stad. Megjithatë, rritja e dobët ekonomike në 2012 dhe pritshmëritë e ulëta në 2013 pritet të sjellin një rënie të popullaritet të qeverisë dhe Partia Socialiste ka shanse të forta për të ardhur në pushtet, pas dështimit të dy palë zgjedhjeve radhazi”, thuhet në raport.


Por, kur ndërkombëtarët apelojnë për realizimin e reformave, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat, raporti që analizon periudhën e verës evidenton se shanset janë të pakta që ky vendim të merret brenda këtij viti. “Zgjedhjet parlamentare të 2009-s, si dhe ato lokale në 2011 treguan se Shqipëria nuk është ende gati të mbajë zgjedhje që të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, edhe pse në korrik u arrit një marrëveshje për reformën zgjedhore, e cila nëse zbatohet ofron mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe gatishmëria që po tregohet për të hequr imunitetet e zyrtarëve të lartë, ‘Economist Intelligence Unit’ mendon se Shqipëria ka shanse të pakta për të marrë statusin e vendit kandidat brenda parashikimeve. Që kjo të ndodhë duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet me opozitën”, vijon raporti. “Economist Intelligence Unit”, është një suplement i specializuar i revistës prestigjioze britanike “The Economist”, që bën analiza ekonomike dhe politike për shumë vende të botës. Raportet e saj janë tremujore dhe në to evidentohen zhvillimet për çdo shtet.


Kush është EIU


Nëpërmjet analizave dhe kërkimeve shkencore EIU parashikon, jep këshilla nëpërmjet shërbimit klientëve të saj. Kjo njësi furnizon qeveritë, industritë dhe korporatat e mëdha. Janë të njohura raportet mujore për çdo vend, parashikimet 5 vjeçare për ekonomitë, raportet mbi rrezikun, por edhe raportet për industrinë. Kompania është e specializuar gjithashtu për të furnizuar analizat e detajuara për tregjet apo sektorë të ndryshëm të biznesit. Economist Intelligence Unit prodhon gjithashtu raporte të rregullta për koston e jetesës në qytetet kryesore të botës, e cila përdoret nga gazetat më të njohura të globit. Aktualisht kreu i kësaj njësie është Robin Bew.


 


Statusi


“Edhe pse u arrit një marrëveshje për reformën zgjedhore, ‘Economist Intelligence Unit’ mendon se Shqipëria ka shanse të pakta për të marrë statusin e vendit kandidat brenda parashikimeve”