Aplikimi elektronik 


Agjencia e Provimeve: Sivjet nuk do të ketë çregjistrime. Fituesit e parë nuk do të spostohen


Shpresa Mezini


Matura Shtetërore 2012-2013 vijon të sjellë risi për nxënësit që kandidojnë në universitete për herë të parë, sivjet. Matura Shtetërore e këtij viti vjen pothuajse e dixhitalizuar, duke nisur nga plotësimi i formularit A2 online për të përfunduar te aplikimi online që mundëson regjistrimin e fituesve në fakultete. Kështu, fituesit e këtij procesi nuk do të regjistrohen më në sekretaritë e fakulteteve ku janë shpallur fitues, por në një sajt të posaçëm nëpërmjet internetit. Sipas MASH, kjo praktikë e re për sistemin tonë arsimor synon eliminimin e radhëve të gjata që janë krijuar prej vitesh në sekretaritë e fakulteteve, por edhe krijimin e një procedure më të thjeshtë që do të zgjasë në një periudhë kohore më të shkurtër. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, sqaron maturantët se pasi të kenë kaluar të dhënat personale në faqen e Ministrisë së Arsimit, në rast se do të evidentohen gabime, do të njoftohen me mesazh për t’u paraqitur në sekretaritë e fakulteteve. Sipas tij, kjo me qëllim që regjistrimi të transferohet nga ai elektronik në atë manual. E ndërsa procesi i regjistrimit online është detajuar në një manual të mundësuar nga Ministria e Arsimit në ndihmë të të rinjve, theksohet se aplikimi nëpërmjet internetit do të ndodhë vetëm njëherë, ndërsa në rast gabimesh, nxënësit do të duhet t’u drejtohen sekretarive të fakulteteve.


Procedura


“Regjistrimi paraprak dhe ai përfundimtar realizohet online nga vetë maturanti. Vetëm në rastet kur maturanti ka plotësuar me gabime të dhënat personale të nevojshme për marrjen e username-it dhe passëord-it për regjistrim online dhe sistemi nuk e pranon, duhet të shkojë në sekretarinë e fakultetit ku ka fituar një vend studimi”, parashikohet në manual. Në të theksohet se në javën e parë të mësimit, studentët e rinj duhet të paguajnë tarifën e regjistrimit dhe të dorëzojnë dosjen me dokumentet përkatëse për të përfituar statusin e studentit dhe numrin e matrikullit.


Mësohet se sivjet për herë të parë kandidatët për studentë do të kenë një mundësi më shumë krahasuar me ato të viteve të kaluara. Kështu, një student fitues në fazën paraprake në njërën nga preferencat e zgjedhura me anë të formularit A2, mund të regjistrohet përfundimisht në atë program. Këtë ai mund ta realizojë gjatë aplikimit online duke klikuar mbi “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar”. Kjo do të thotë së këtë vit nuk do të ketë çregjistrime nga faza paraprake në atë përfundimtare, që i referohej pozicionimit të preferencave sipas rëndësisë, siç ka ndodhur në përvojat e kaluara të Maturës Shtetërore. Bazuar në manualin e MASH, kandidati për student që në listën paraprake shpallet fitues në një fakultet të caktuar, ndërsa në listën përfundimtare listohet fitues në një degë më sipërore, do të duhet të ndjekë studimet në fakultetin e parë, jo në atë të dytë.


 


Vendimi – Fituesit e këtij procesi nuk do të regjistrohen në sekretaritë e fakulteteve, por në një sajt të posaçëm nëpërmjet internetit


Shkaku – Kjo synon eliminimin e radhëve të gjata në sekretaritë e fakulteteve dhe krijimin e një procedure në një kohë të shkurtër


Risia – Fituesit e parë nuk do të çregjistrohen nëse në listën e dytë janë fitues në një degë më sipërore se e para


 


 


Pasaktësitë


Studentët me gabime në detaje, regjistrim vetëm në fakultete


Nëse studenti nuk lejohet të vazhdojë aplikimin për shkak të pasaktësive, ndonëse mendon se i ka shënuar të gjitha të dhënat personale, duhet ta provojë sërish duke futur saktë të dhënat personale që i kërkohen. Kur sistemi i gjen ato të sakta, ai e lejon të vazhdojë regjistrimin. Në të kundërt, studentit i shfaqet mesazhi se duhet të shkojë pranë sekretarisë për t’u regjistruar. Në adresën e tij të e-mail-it, studentit i shkojnë username dhe passëord-i me të cilat ai mund të futet në sistem pa futur të dhënat e tij personale. Në këtë adresë e-mail-i atij i shkojnë edhe mesazhet për zgjedhjen e statusit të regjistrimit “i përkohshëm” apo “përfundimtar”.