Vdekja e ambasadorit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu iu përgjigj dje të gjitha ngushëllimeve që qytetarët shqiptarë i kishin drejtuar për humbjen e jetës së kolegut të tij në Libi. Sipas Arvizut, përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-së në Shqipëri e kishte përjetuar së tepërmi sulmin tragjik të ndodhur në Libi dhe si pasojë e njohjeve personale me personat që humbën jetën. “U preka shumë pasi lexova mesazhet e shumta të ngushëllimit dhe keqardhjes nga miqtë tanë shqiptarë mbi tragjedinë në Libi. Disa prej nesh në ambasadën amerikane në Tiranë kanë punuar me ambasadorin Stivens e viktimat e tjera që u vranë në Libi ose i njihnin ata. Ata ishin kolegë, miq dhe pjesë e familjes së madhe të atyre amerikanëve të përkushtuar, të cilët ndihen të nderuar e të privilegjuar që i shërbejnë vendit tonë jashtë kufijve”, deklaroi Arvizu, duke shtuar se gjithsesi zyrtarët e lartë amerikanë refuzojnë ta përfshiojnë këtë ngjarje tragjike me besimet fetare. “Refuzojmë të gjitha përpjekjet për të denigruar besimet fetare të të tjerëve. Por për këtë lloj dhune të pakuptimtë nuk ka absolutisht asnjë justifikim. As edhe një të vetëm. Bota duhet të qëndrojë bashkë për t’i hedhur tej këto akte brutale pa ekuivok”, përsëriti Arvizu, deklaratat e Hilari Klinton dhe Barak Obamës. Sipas tij, shqiptarët bashkohen me vendosmëri me amerikanët në këtë kohë të vështirë dhe për këtë amerikanët janë shumë mirënjohës ndaj tyre.
