Replikat
Kryeparlamentarja: Po flet si Pol Poti. Olldashi: Po mbroni njerëzit e ish-sigurimit
BLEDAR HOTI
Shqyrtimi i aktit normativ të qeverisë u shoqërua me debate të ashpra ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, debatoi ashpër me kryeparlamentaren Topalli në lidhje me këtë vendim të qeverisë. Ndërsa ministri Sokol Olldashi akuzoi të majtët se po mbrojnë njerëzit e ish-Sigurimit të Shtetit dhe se po kërkojnë të mbajnë në fuqi luftën e klasave. Topalli, pas debatit me Tahirin u detyrua të ndërpresë për disa sekonda me qëllimin që socialisti të ulej në vendin e tij. Nënkryetari i grupit të PS-së, Tahiri nxori disa foto, ku tregoi se disa pallate ku sipas tij janë të Presidentit Bujar Nishani.
Debati në seancë
Sajmir Tahiri, PS: Kur do ta kuptoni o të mjerë se 22 vjet ish-pronarët sot nuk e kanë pronën dhe fajtorët janë këta këtu.(bën shenjë nga qeveria)
Jozefina Topalli: Kujt ia thua ti këtë more?
Sajmir Tahiri: A ka mundësi të flas?
Jozefina Topalli: Jo mor s’të lë me rrejt unë këtu, me than budallallëqe…
Sajmir Tahiri: Ta dinë ish-pronarët…
Jozefina Topalli: Nuk ke altoparlant këtu sot për me shprehë urrejtjen e madhe që ke për ish-pronarët. Merre altoparlantin që ta dëgjojnë mirë lart sa i urreni ish-pronarët.
Sajmir Tahiri: O zonjë, unë nuk kam ndërmend të le nga koha ime që as nuk e meriton
Erion Braçe nga vendi: Po lërë të flasë moj zonjë, se ti i more pronat tua.
Jozefina Topalli: Urrejtje pa fund, Gestapo thotë ky, se ashtu i quanit ato ish-pronarët që i nxirrnit nga shtëpia ju. Ashtu ju dukeshin ata…
Sajmir Tahiri: Je duke marrë nga koha ime zonjë.
Jozefina Topalli: Ku ke kohë ti more, të ka vdekur ora prej kohësh.
Sajmir Tahiri: Më lër të flas. Ta dinë ish-pronarët sot nuk e gëzojnë pronën, se të jesh qytetar i ndershëm në këtë vend, të të jetë njohur prona, nuk e merr dot, sepse e marrin pushtetarët. Të kesh një pronë në bregdet nuk e merr dot, sepse e marrin pushtetarët dhe sekserët. Edhe po të jesh gjykatës nuk e merr dot, sepse të hedhin në erë me bombë në mes të rrugës. Pushtetarët i pengojnë pronarët me gjykatat, me ato agjenci që dhe kur hidhen ato goglat, zgjidhen vetëm ato të Jozefinës. Problemi mbetet i pazgjidhur, sepse këta këtu marrin pronat e qytetarëve duke ua vjedhur ish-pronarëve. Relatorja e ligjit ka marrë shtëpi nga ish-pronarët ka ndërtuar pallat e ka përfituar njëlloj si ata. E shikoni ministrin që foli(Mediu) po njëlloj ka bërë, e nuk është ndonjë ministër nga ata që ka shumë hall për viktimat, ju e dini këtë.
Jozefina Topalli: Të mbaroi koha. Le të flasë zoti Koka në emër të LSI-së.
Sajmir Tahiri: Më ndërpreve, më jep fjalën, do flas në emrin e grupit.
Jozefina Topalli: Ulu se ke dhjetë minuta, ulu se si krerët e kuq ke fol, krejt si Pol Poti më dukesh.
Socialistët nga salla: Jepja fjalën, jepja pse ia ndërpreve.
Sajmir Tahiri: Ke marrë nga koha ime. Kush janë të fituarit? Ja pallatet e Bujar Nishanit në Durrës (tregon fotot). Ku dalin 60 familje në rrugë dhe përfiton vetëm ai.
Topalli i ndërpret fjalën: E shihni urrejtjen që kanë, nëse ndonjë pronar ka marrë pronën e tij dhe ka ndërtuar, e shihni çfarë urrejtje ka ky. Të bëj një pyetje mor ti shok, mor ti sekretar i parë i Partisë së Tiranës: Nëse në këtë moment shtëpinë tande, apartament, farmacinë tande si ndihesh ti kur ti konfiskojnë, edhe që i ke në mënyrë të paligjshme. Ulu tashti vetëm Pol Potin më kujton ti mua.
Sajmir Tahiri flet pa mikrofon…
Jozefina Topalli: Mbyllet seanca, rifillon pas pak
Fatmir Mediu për replikë ndaj Tahirit: Është bërë zakon në këtë sallë dhe duhet të kthehet me të njëjtën gjuhë. Unë nuk po preferoj të kthehem me të njëjtën gjuhë megjithëse ti e meriton se është një gjuhë rruge. Po të them vetëm kaq që të ndash injorancën nga e drejta nuk mund ta përcaktosh ti. Ka disa dokumente mbi të cilat duhet të mbështetemi ne politikanët se kush është e drejta ose jo? E natyrisht si pionier i ri në Parlament të takon ta ngresh zërin, por si njeri që të bësh politikë është mirë të dish se ku e ke vendin tënd. Dhe vendi yt shkon atje ku nuk cenon të drejtën e pronarit të ligjshëm. Po të them se është hera e fundit që po të përgjigjem me këtë gjuhë, do të përgjigjem me gjuhën që takon ty.
Sokol Olldashi: Ju thoni që njerzillëk është ai që shpallet ju dje me protesta. Po kë nxorët në protestë? I pashë, familjen e Luan Babametos, ish-ministër, familjen e Rahman Hankut, ish-ministër, familjen e Petro Dodes, ish-kryetar i Planit të Shtetit, familjen e Prokop Murrës, ish-ministër, familjen e Skënder Kosovës, hierark i sigurimit, familjen e Sotir Koçollarit, në Bashkimet Profesionale, familjen e Kristo Themelkos, Reshat Hysit, ish-drejtor i Sigurimit të Shtetit, familjen e Koço Priftit, familjen e Aleks Vendit, familjen e Pilo Peristerit, familjen e Vasil Nathanailit, ish-ministër që rri në shtëpinë e Jorgo Kllakit, ditëziut që rri në Korçë. Në shtëpinë e Erebarave në Tiranë, – Gëzim Erebara vdiq pa e marrë dot shtëpinë e tij – jeton familja e Bato Karafilit, njëri nga monstrat e Sigurimit të Shtetit. Ne nuk mund t’u themi qiraxhinjve “rrini sa të doni në shtëpitë e pronarëve” dhe pronarëve t’u themi “vdisni në bodrume duke parë pronat tuaja me dylbi”. Ju po vazhdoni të kërkoni luftën e klasave. Ndërkohë, ne po kthejmë në këtë vend paqen sociale, paqen sociale mes dy grupimeve që janë shumë të pabarabartë.