Përcillet për në banesën e fundit Kryekomisari i rënë në krye të detyrës një ditë më parë, Dëshmori i Atdheut, Adem Tahiraj. Trupi i pajetë komisar Tahirajt është drejtuar drejt Varrezave të Dëshmorëve, ku miq, të afërm dhe kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut që dha jetën në krye të detyrës.


Për dy orë me radhë, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë janë mbajtur homazhet në nder të kryekomisar Adem Tahirajt, i cili humbi jetën në krye të detyrës ditën e djeshme. Të afërm, miq, kolegë dhe personalitete të rëndësishme të vendit kanë kaluar para arkivolit me trupin e pajetë të 49-vjeçarit, për ta nderuar dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit, komisarit që ia kushtoi jetën e tij policisë së shtetit dhe në fund e dha edhe vetë jetën për këtë polici.


Në ceremoninë e homazheve u vu re prania e kryeministrit Berisha si dhe kreut të opozitës, Edi Rama që shoqërohej nga një grup deputetësh socialistë. Gjithashtu, edhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë nderuar veprën e Dëshmorit të Atdheut dhe kanë ngushëlluar familjarët për humbjen e rëndë.


Kryekomisar Adem Tahiraj humbi jetën ditën e djeshme, ndërsa ishte duke kryer detyrën, teksa u godit për vdekje nga një person me precedentë të shumtë penal, që rezultonte i dënuar me 23 vjet burg për vrasje, por që ishte liruar nga gjykata në vitin 2011. Kreykomisar Adem Tahiraj la pas tre fëmijë.


14 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)