Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e hetimeve lidhur me procedurat e ndjekura në rastin e lirimit nga burgu të Ilir Xhakja, autor i vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj ditën e djeshme.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen sotme të KLD, “me urdhër të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, Inspektorati i këtij Këshilli do të verifikojë veprimtarinë gjyqësore të realizuar nga gjykatat, në shqyrtimin e akuzave penale, në ngarkim të të pandehurve, autorë edhe të ngjarjes tepër të rëndë të ndodhur në datën 13.09.2012, ndaj shefit të Komisariatit të Shijakut, kryekomisarit Adem Tahiraj”.
38-vjeçari Ilir Xhakja, nga Katund-Sukthi rezultonte i lirë edhe pse ishte një person shumë i rrezikshëm dhe me precedentë të shumtë penal, ndërkohë që Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku. Lirimi i tij nga burgu me një urdhër gjykate në vitin 2011, do të hetohet tashmë nga ana e KLD, sipas vendimit të marrë ditën e sotme.
14 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)