Një protestë e stërmadhe në Barcelonë tregon fuqizimin e lëvizjeve separatiste në Spanjën e zënë nga kriza e euros
Ka shumë në Bashkimin Europian që kërkojnë një federalizim të kontinentit, një forcim të rolit të Brukselit dhe krijimin e një supershteti. Kjo është e gjitha pasojë e krizës financiare të borxheve sovrane, e cila nxori në pah defektet e bashkimit aktual që konsiston në heqjen e barrierave të tregtisë, qarkullimin e lirë financiar dhe monedhën e përbashkët. Por, në të njëjtën kohë, në kontinent, grupime të ndryshme kanë axhendë tjetër.
Ja ku gjendemi, në Katalunjë. Është një rajon i Spanjës me 7.5 milionë banorë. Çdo vit, një grupim separatist organizon një manifestim, përmes të cilit dëshiron të tregojë se popullsia e këtij rajoni kërkon pavarësi nga Madridi, pra nga Spanja. Por të martën, kur u zhvillua manifestimi për këtë vit, organizatorët njoftuan se arritën të bindnin mbi dy milionë vetë të dilnin në shesh.
Policia e Katalunjës, e njohur si Mossos, thotë se qenë rreth 1.5 milionë. Garda civile e Spanjës dhe policia kombëtare thonë se vlerësimi i tyre ishte prej 600 mijë pjesëmarrës. Ndërsa lufta propagandistike mbi numrin e pjesëmarrësve vijon, ajo që është e qartë, është se edhe vlerësimi më konservator përbën një numër jashtëzakonisht të madh në raport me popullatën.
Por, pjesëmarrja në protestë, nuk do të thotë domosdoshmërish se nëse një referendum për pavarësi do të zhvillohej, separatistët do të fitonin. Katalunjasit janë një nga rastet e shumta në botë ku popullsitë e rajoneve të ndryshme janë mërzitur me supershtetet dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë mëvetësi politike e ekonomike. Kebeku në Kanada vuri partinë separatiste në pushtet. Në Skoci, njerëzit pritet të votojnë në referendum për pavarësi nga Britania e Madhe. Belgjika është gjithmonë e rrezikuar nga përçarja mes popullatës franceze dhe asaj me origjinë holandeze. Provinca e Sicilisë në Itali ka arritur të fitojë një autonomi shumë të gjerë nga Italia.
Në Katalunja shumë sondazhe kanë treguar në të shkuarën se popullsia do t’i thotë “jo” ndarjes nga Spanja, në rast se një referendum zhvillohet. Por vitet e fundit, klima politike dhe, më e rëndësishmja, situata ekonomike e Katalunjës dhe e Spanjës ka ndryshuar.
Disa mendojnë se momenti politik për pavarësi është forcuar. Kriza ekonomike e Spanjës është veçanërisht e ashpër në Katalunjë dhe kjo ka nxitur mbështetjen për forcat separatiste.
Ndërsa Katalunja festoi ditën e saj kombëtare më 11 shtator, e njohur si La Diada, presidenti i rajonit, Artur Mas, i tregoi një gazetari të BBC: “Nëse nuk arrijmë një marrëveshje ekonomike, atëherë rruga drejt lirisë është e hapur”.
Në thelb ai po i bënte shantazh Kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy: “Nëse ju (qeveria spanjolle) nuk na jepni një marrëveshje më të favorshme ekonomike, ne (qeveria e Katalunjës) do të shtyjmë popullin për pavarësi.”
Mas drejton një koalicion nacionalist të qendrës së djathtë, koalicion që në teori nuk e mbështet kauzën e pavarësisë nga Madridi. Por kjo gjë ndoshta po ndryshon. Marrëveshja që Presidenti i Katalunjës po fliste, njihet në Spanjë si “pakti fiskal”.
Katalunja pretendon se i paguan Madridit 15 miliardë euro çdo vit më shumë nga sa merr në formë të financimit të shërbimeve publike e investimeve. Dhe shumica e ekonomistëve duhet ta pranojë këtë shifër si të vërtetë.
Muajin e kaluar, Katalunja, i cili është edhe rajoni më i ngarkuar me borxhe në Spanjë, kërkoi 5 miliardë euro nga një fond i qeverisë qendrore për shpëtimin e provincave në vështirësi financiare, disa zyrtarë rajonalë komentuan privatisht se në fakt po kërkonin të merrnin një pjesë të vogël të asaj që i takonte.
Por Madridi duket se nuk ka ndër mend ta pranojë këtë argumentim dhe as pretendimin e Katalunjës që kreditë nga fondi i shpëtimit të jepen pa kushte shtesë për disiplinë buxhetore. Ka një paralelizëm të prekshëm mes kërkesës së Katalunjës për shpëtim nga falimenti përmes fondeve të Madridit, si dhe një kërkese të pritshme që Spanja mund të bëjë për shpëtim nga falimenti përmes fondeve të partnerëve europianë.
Udhëheqësit e Spanjës dhe ato të Katalunjës pritet të takohen më 20 shtator për të diskutuar paktin financiar. Qeveria e Katalunjës në thelb kërkon të njëjtën marrëveshje që e ka fituar edhe Rajoni Bask. Ajo kërkon të mbledhë dhe menaxhojë taksat e veta, ose, në praktikë, kërkon një fetë më të madhe nga torta.
Pengesa kryesore në rrugën drejt arritjes së një marrëveshjeje është e thjeshtë: Qeveria e Spanjës në vetvete është e dëshpëruar për më shumë të ardhura. Ky është një problem i shtuar nga recesioni shumë i fortë ekonomik. Kalkulimi që Madridi po bën, është nëse ka realisht mundësi të japë ndihmë. Llogaria shtesë është se sa mund të kushtojë mosarritja e një marrëveshjeje.
Llogaritë ekonomike janë gjithmonë të lidhura ngushtë me diskutimet politike. Ekziston një frikë e madhe për fragmentarizmin e vendit.
Njerëzit në Spanjë janë frymëzuar së fundmi nga referendumi që pritet të zhvillohet në Skoci për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar. Por ndryshe nga Londra, Madridi kundërshton edhe thjesht hapjen e diskutimit mbi një mundësi për referendum. Kryeministri konservator Rajoy ka shumë pak gjasa të ndjekë shembullin e David Cameron dhe të pranojë zhvillimin e një referendumi.
Në fund, ekziston një problem tjetër: përveç zhvillimit të një referendumi, procesi politik drejt krijimit të një kombi të ri në Katalunja është i paparashikueshëm. Spanja e konsideron një proces të tillë thjesht si antikushtetues.
Pavarësisht këngëve dhe parullave që mbuluan rrugët e Barcelonës të martën e shkuar, ky rajon, i cili ka gjuhën dhe kulturën e vet dukshëm të ndryshëm nga shumica e Spanjës, është edhe shumë larg transformimit në një komb më vete të pavarur të Europës.
Frika se Spanja mund të shpërbëhet ishin faktorë të rëndësishëm që sollën luftën e përgjakshme civile. Në vitet e tranzicionit të vendit drejt demokracisë, kërkesat e rajoneve qenë menaxhuar me kujdes. Një kërkesë për pavarësi e Katalunjës ka gjasa të hasë në kundërshti të ashpra edhe nga vendet e tjera të Europës, si Gjermania, e cila e di se një Spanjë e copëzuar do të jetë edhe më problematike se sa ajo e sotmja për monedhën e përbashkët.